Kosova i ofron Japonisë, ndihmën e FSK-së

Kosova është shprehur e gatshme të ndihmojë Japoninë në menaxhimin e katastrofës natyrore që ka goditur këtë vend.
Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, i ka ofruar homologut të tij japonez, Takeaki Matsumoto, ndihmën e një kontigjenti të specializuar të FSK-së.
“Në mbledhjen e djeshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës kemi diskutuar lidhur me ngjarjet dramatike në Japoni. Republika e Kosovës është e gatshme të ndihmojë Japoninë në çdo mënyrë. Prandaj, ne ju ofrojmë dërgimin e Trupave të specializuara të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Japoni. Trupat e FSK-së janë shumë mirë të stërvitura në menaxhimin e katastrofave natyrore dhe janë të gatshëm që krah për krah me forcat tuaja të ndihmojnë popullin e Japonisë”, thuhet në letrën e Hoxhajt, dëguar ministrit të jashtëm japonez.
Pas tërmetit dhe tsunamit, Japonia po përballet me rrezikun bërthamor. Impiantet nukleare në rajonin e Fukushimas, ndodhen në një gjendje emergjence, pas një shpërthimi në afërsi të tyre. Ekspertët deklaruan se niveli i radioaktivitetit në zonë është shumë-fishuar. Autoritet qeveritare kërkuan të qetësonin situatën, duke deklaruar se shpërthimi kishte ndodhur për shkak të nxehtësisë dhe nuk ishte një shpërthim nuklear.
Sipas televizionit japonez NHK, shpërthimi ka qënë aq i madh sa është prekur mbulesa e një prej reaktorëve.