E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova ka “veto” në integrimin e Serbisë në BE

Gazetat serbe sjellin prapaskenat e vizitës së Kancelares Merkel në Beograd Nga Express më 25 gusht 2011 në ora 12:36

Merkel i ka dhënë dritë të gjelbër kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, që t’i vë veto Serbisë në rrugën e integrimeve europiane, shkruajnë mediat serbe.

Sipas tyre, Merkel ishte “lobuesja” më këmbëngulëse për Kosovën.

“Hillary Clinton është bebe e vogël” për të, thonë burimet që ishin të pranishme në drekën e shtruar në Beograd për kancelaren gjermane, Angela Merkel, transmeton Telegrafi.

Politologu Predrag Simic thotë se anëtarësimi i Serbisë në BE është i lidhur me bisedimet me Kosovën, gjë që praktikisht Prishtina ka fituar veto për procesin e integrimeve serbe.

“Porositë e saj janë hap i hidhur që Serbia duhet ta përpijë”, ka thënë Simic, për “Alo”.

Se zyrtarët serbë i kanë marrë seriozisht porositë e mysafires nga Gjermania, e dëshmon fakti se nuk kanë dashur t’i komentojnë kërkesat e kancelares Merkel.

“Ditëve në vazhdim do të marrim një vendim të përbashkët. Në këtë moment është i rëndësishëm konsensusi politik”, thotë burimi i “Alo” nga Qeveria e Serbisë.

Burimet e “Alo” që ishin të pranishme në drekën me kancelaren gjermane, kanë thënë se ajo nuk lëshonte fare pe.

“Nuk e mbaj mend ndonjë burrështetas të huaj - nga të gjithë ata që ishin në Serbi e që kanë lobuar për Kosovën - të jetë aq këmbëngulës dhe jofleksibil në qëndrime. Ajo edhe duke ngrënë thoshte ‘Kosova, Kosova’, prandaj edhe atmosfera ishte e tensionuar. Për të Hillary Clinton është bebe e vogël, kur merret parasysh sa ishte a palëkundur kjo”, thotë burimi për të shtuar se deri në fund Merkel ishte e ftohtë, ndërsa gjatë përshëndetjes ka thënë qartë: “Do të shihemi shpejtë për temat dhe problemet e njëjta”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›