E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letërsia në totalitarizëm

Ligjëratën e radhës, në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare e mbajti studiuesi Shaban Sinani. Ai foli për Ismail Kadarenë dhe letërsinë në totalitarizëm. Nga Albana S. Muja më 25 gusht 2011 në ora 11:48

Kanë mbetur edhe pak ditë deri tek përmbyllja e Seminarit të 30-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

Gjatë këtyre dy javëve, shumë të huaj por edhe studiues e albanologë nga vendi, janë bërë pjesë e ligjëratave dhe referimeve e takimeve të shumta të seminarit.

Të mërkurën, gjatë paradites, studiuesi Shaban Sinani mbajti ligjëratë me bazë “Letërsia në totalitarizëm: I. Kadare”, ndonëse është ndalur më shumë te pyetjet: Pse letërsia në totalitarizëm dhe pse Ismail Kadare?

Sinani, pasi arsyetoi shprehjen ‘Kritikë vullnetare’, nisi të flasë për një fakt të lidhur direkt me veprën e Ismail Kadaresë, përveç kritikës së tij, ai është bazuar edhe në dokumentime tjera, të cilat i kanë bërë kritikë veprës së Kadaresë.

Pasi ka lexuar romanin e Ismail Kadaresë “Kronikë në gur”, ai mendon që vepra s’është ngritur fare mbi tipiken, por mbi të rastësishmen e shëmtuar. Pra, si vepër ajo nuk i takon aspak realizmit socialist. Për më tepër, ajo është një vepër surrealiste. “I prekur thellë dhe i tronditur prej kësaj vepre, që nuk është e zakonshme për Ismail Kadarenë, tek i cili kemi drejtuar sytë tanë, si qytetar dhe si një komunist i ardhshëm, mendoj se ai roman duhet të hiqet menjëherë nga qarkullimi”, ka thënë Sinani.

Sipas Sinanit, konkretisht fjalëve të thurura në ligjëratën e tij, puna me shkrimtarët është delikate, ata duhen edukuar vazhdimisht. “Këtyre njerëzve ne duhet t’u ndihmojmë, duke u vënë në dukje gabimet e të metat, t’i edukojmë e të përpiqemi t’i shpëtojmë gjer në fund. Po e kaluan barrikadën për matanë, më qafë paçin veten! Kështu mendoj unë. Por mund edhe të gaboj në mendimin tim. Sidoqoftë, unë jam dakord si të vendosni ju”, u shpreh ai.

Jo më pak kanë vazhduar vërejtjet dhe faktet, se çfarë kanë thënë emra të mëdhenj pasi kanë lexuar këtë apo atë vepër të Kadaresë.

Në gojë zë edhe Dritëro Agollin. Sinani citon Radion ‘Europa e Lirë’(1984), në buletinin e saj të përditshëm, duke iu referuar debateve që u zhvilluan në seancën plenare të plenumit të Lidhjes së Shkrimtarëve të zhvilluar më 1982 dhe evokon këto kritika të Dritëro Agollit drejtuar Ismail Kadaresë: “1. Prirja për të shkruar romane me temë nga historia, me gjithë vlerat edukative të saj, nuk duhet të bëhet në dëm të realizmit socialist; 2. ne nuk mund të jemi plotësisht dakord me mendimet e fundme të I. Kadaresë për shkak të ideve dhe problemeve të trajtuara subjektivisht, për shkak të modernizimit të ekzagjeruar dhe aktualizimit të temave specifike, që sjellin interpretime të dyfishta; 3. Tek ‘Nëpunësi i pallatit të ëndrrave’, kur thuhet se ‘kriteret e Tabir Sarait janë jo pranimi i influencave të jashtme, por mbrojtja prej tyre; jo qarkullimi, por izolimi; jo rekomandimi, por mosrekomandimi’ si dhe kur përdoren shprehje të tilla si: influenca të huaja, qarkullim, izolim, që autori i përdor me ironi, lind pyetja se cilës periudhë, cilit vend, shtet dhe sistem social i referohen?”

Në amfiteatrin e Fakultetit të Filologjisë, në orët e mbrëmjes, në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, përveç tjerash u mbajt edhe një koncert i këngëtares arbëreshe Anna Stratigo. Stratigo është përcjellur nga violonçelisti Spiro Pano dhe kitaristi Massimo Garritano. Anna Stratigo është e njohur për përpunimin e këngëve popullore arbëreshe dhe shqiptare me ngjyrime të xhazit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›