E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kosova mes tri qëndrimeve

I pari dhe më këmbëngulësi në drejtimin e duhur është qëndrimi amerikan, që kërkon zgjidhje sa më të shpejt të statusit të Kosovës. Qëndrimi i dytë është ai evropian, që vazhdon të jetë hamendësues dhe herë pas here konfuz. Qëndrimi i tretë është ai i Rusisë, e cila vazhdon të kundërshtoj çdo zgjidhje më të cilën nuk pajtohet Serbia. Situata e tillë, kur Kosova gjendet mes tre qëndrimeve, të kujton, shndërrimin e problemit të Kosovës në një “fermë të futur në karantinë”, për të mos u përhapur sëmundjen. Sepse si të tillë dëshiron ta paraqes Rusia çështjen e Kosovës, si një sëmundje që mund të përhapet apo bartet shpejt në shtete tjera apo rajonet tjera. Deri sa të gjendet diagnoza Kosova do të mbetet e karantinizuar

Kosova tani gjendet mes tri qëndrimeve politike për të ardhmen e saj. I pari dhe më këmbëngulësi në drejtimin e duhur është qëndrimi amerikan, që kërkon zgjidhje sa më të shpejt të statusit të Kosovës. Për këtë qartë u shpreh edhe presidenti amerikan Xhorxh Bush, i cili kërkoj që kjo çështje të zgjidhet sa më parë. Ai e tha shumë qartë, fundi i këtij procesi është pavarësia e Kosovës dhe për këtë po punohet. Në një moment ne mund të themi mjaftë, më mirë herët se vonë, dhe duhet të marrim një vendim ëpr të ardhmen e Kosovës, që është pavarësi dhe të cilën e presin qytetarët e saj, tha Bushi në Tiranë. Por, edhe Bushi nuk na e tha kohen se kur do të mund të thotë, mjaftë.

Ndoshta kjo ka logjikën e saj. Së pari, dëshirohet që të sprovohet apo t’u jepet kohë edhe pak të gjithë atyre që janë të përfshirë në këtë proces, përfshirë edhe Rusinë. Të dëshmohet se SHBA-ja nuk është për vendime të njëanshme, por kërkon që të gjithë të miratojnë atë që thotë ajo. E dyta, dëshiron që të dëshmojë se të gjitha mundësit për arritjen e një konsensusi mes shteteve që mbështesin dhe atyre që kundërshtojnë janë shterur dhe se çdo shtyrje tutje është humbje kohë. ShBA-ja dëshiron më këtë rast të forcojë bazën e një vendimi që do të marr në fund të procesit dhe të ketë më shumë arsye ose mbështetje nga të tjerët kur të vijë koha për ta marr këtë vendim. Po ashtu ShBA-ja kur vendos të marr vendim nuk dëshiron që ai të dështoj dhe assesi ajo nuk e pranon dështimin, ajo duhet të jetë e sigurt se vendimet e saj duhet të zbatohen.

Qëndrimi i dytë është ai evropian, që vazhdon të jetë hamendësues dhe herë pas here konfuz. BE-ja, edhe pse më shumë është në krahun e ShBA-së, prapë vazhdon të luaj rolin e një mesi, mes ShBA-së dhe Rusisë. Edhe tani që Bushi ka deklaruar qartë se çfarë pret nga ky proces, evropianët sikur nuk besojnë se fundi do të jetë i tillë. Evropa duhet të ketë më shumë guxim dhe të pozicionohet më qartë, është më “neve apo me arushën”. Në këtë proces nuk ka lojë të dyfishtë, sepse kjo po zgjatë pritjen dhe në të njëjtën kohë po rrit shpresat e serbëve dhe rusëve se mund të gjendet një kompromis në fund, ndërsa po mllefos dhe nervozon palën kosovare duke i bërë dyshues në një vendim të pritshëm. Madje Evropa vazhdon të shkojë rrugës, sa të fillohet të shikohet sikur ajo po tradhton durimin dhe interesat e Kosovës.

Qëndrimi i tretë është ai i Rusisë, e cila vazhdon të kundërshtoj çdo zgjidhje më të cilën nuk pajtohet Serbia. Ajo kërkon negociata të reja dhe shtyrje të marrjes së vendimit, të paktën edhe për një vit. Rusia vazhdon të rrezikoj gjithë të arriturat e deritanishme më qëndrimin e saj kundrejt të ardhmes së Kosovës. Ky qëndrim nuk përkon me realitetin e krijuar në Kosovë dhe kjo shihet nga deklarata dhe qëndrimet që shpreh Rusia. Rusia dëshiron që 14 muaj negociata të zhvilluara në Vjenë dhe tetë vjet të pritjes për statusin të hidhen në ujë, sikur të mos kishin qenë në kalendarë. Tani që janë bërë tetë vjet që nga dita kur NATO-ja zbarkojë në Kosovë dhe Kosova u shpall zonë nën kontrollin e forcave të NATO-së, KFOR, dhe administrimin e OKB-së, përmes UNMIK-ut, për të cilat veprime Rusia “nuk ishte kundër”, sepse e para arriti në Prishtinë, çfarë domethënie kanë veprimet e fundit politike ose tendenca për ta bllokuar procesin në fundin e tij.

Kjo është një politikë e zgjuar, por tani në stilin e ri, atë “putinian” kundrejt politikës perëndimore. Kjo politikë kërkon të bllokojë çdo iniciativë që nuk përfillë kërkesat e Rusisë, sepse ajo dëshiron të imponohet dhe të tregojë se është diku, siq ishin deklaratat e fundit të Rusisë, ndaj mos ftesës së saj në takimin e shteteve të Quintit në Francë. Ajo tha se këto takime tingëllojnë si sekrete dhe vende për të përgatit strategjitë për të marr vendim, por që sipas Rusisë nuk do të pranohen nga ana e saj. Kjo të kujton deklaratat që bëheshin gjatë Luftës së Ftohët dhe tregon se në politikën ruse është imponuar po ajo logjikë dhe aq më bindëse bëhet kjo kur sheh se në krye të shtetin është një njeri që ka udhëhequr politikën e fshehtë të Rusisë kundrejt perëndimit për vite, politikën e KGB-së. Andaj ai dëshiron që të dëgjohet zëri i tij, ose në të kundërtën do të angazhohet kundër çdo vendimi që merret nga perëndimi, në këtë rast edhe kundër një vendimi për Kosovën.
Situata e tillë, kur Kosova gjendet mes tre qëndrimeve, të kujton, e kam thënë tani së fundi, e ka shndërruar problemin e Kosovës në një “ferme të futur në karantinë”, për të mos u përhapur sëmundjen. Sepse si të tillë dëshiron ta paraqes Rusia çështjen e Kosovës, si një sëmundje që mund të përhapet apo bartet shpejt në shtete tjera apo rajonet tjera. Deri sa të gjendet diagnoza Kosova do të mbetet e karantinizuar. Kjo do të ndodhë, sepse tani nuk ka një vendim për të ardhmen e saj dhe më e keqja është se nuk dihet si të veprohet në një situatë të tillë dhe zgjidhja me e mirë është menduar kjo, moratoriumi i status-quo, duke i dhenë “infuzion” më deklarata. Or, ajo që është edhe më shumë për të ardhur keq, kjo situatë u ka ikur nga duart liderëve politikë të Kosovës dhe BE-së, sepse ata vetë deklarohen se nuk është në duart e tyre, por duan të thonë të ShBA-së dhe Rusisë. Nëse ata merren vesh, zgjidhja vjen menjëherë, nëse jo ne nuk kemi çka të bëjmë, vetëm që të presim, është logjika politike evropiane. Edhe liderët politikë të Kosovës e edhe BE-ja do të veprojë njëjtë siç do të udhëzojë SHBA-ja, sepse janë të pafuqishëm të përballen me Rusinë, prandaj u duhet një mbrojtje tjetër, ajo e ShBA-së që t’i udhëheq rrugës së filluar.

Tani e gjitha ka mbetur në duart e një vendimi që do të merrte Kryetari i ShBA-së, Xhorxh Bush, por që ende nuk dihet se kur do të merr ai vendim. E dimë një gjë, që presidentit Bush nuk ia kemi “vjedhur Orën”, në mënyrë që ai të hidhërohet më neve dhe të na ndëshkojë. Besojmë se ai do të kujtojë shumë shpesh atë që ka përjetuar në Shqipëri dhe atë pritje duhet shpërblyer dhe ai shpërblim do të ishte njohja e Kosovës si shtet. Këtë mbrojte në ditë të vështira për shqiptarët e kanë bërë edhe presidentët tjerë amerikan, tani i ka rastisë që ta shënojë historia shqiptare edhe atë si presidentin që ndihmojë shqiptarët atëherë kur kishin nevojë për të.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›