E Hënë, 2 Nëntor 2026

Buka e ngrohtë e Fushë Krujës

Presidenti Bush nuk e dinte se pak kilometra nga vendi ku Airfoce One po ulej, do të vizitonte furrën e bukës më të ngrohtë të rruzullit. Pikërisht aty ai do të harronte se ishte presidenti më i rëndësishëm i globit dhe ndoshta më i shënjestruari, teksa shikonte tortën me miell fushë kruje të mbrujtur nga Usaidi.

Fushë –Kruja përveç të tjerash hyri edhe në historinë personale të Walker Bushit, si momenti më mallëngjyes i cili e zhveshi atë nga koraca e blinduar dhe e ftohtë e politikës dhe e bëri atë pjesë të turmës. Aq e vërtetë është kjo, saqë pati momente kur Presidenti Bush teksa zhytej në turmën e ekzaltuar, ngjante më shumë me një banor të Bashkisë Fushë-Krujë sesa rezident i Shtëpisë së Bardhë.

Është shumë simbolike arratisja e tij nga truprojet në drejtim të turmës mikëpritëse duke shënuar një rekord historik në qasjet e një presidenti amerikan me simpatizantët. Në të vërtëtë Fushë-Kruja në veçanti por edhe shqiptarët në përgjithësi, i ofruan «bukën e kripën» karakteristike të mikëpritjes numrit një të arenës globale, kjo në shenjë mirënjohjeje për qëndrimin e tij dhe administratës së tij lidhur me çështjen e Kosovës, por edhe të ndihmesës së dhënë ndaj integrimit dhe stabilizimit të Shqipërisë.

Ka pasur shumë komente lidhur me mënyrën se si shqiptarët hapin zemrat e tyre ndaj çdokujt që përbën një bosht të fuqishëm në këtë globin tonë që i ngjan një loje « counter strike » pa mbarim. Është e kuptueshme që popuj të vegjël kanë kërkuar gjithmonë përgjatë historisë, të gjejnë protektorin e tyre i cili do t’u garantonte mbijetesën dhe do t’i ndihmonte në faktorizimin e tyre në skenën botërore. Në rastin e Shqipërisë, përveç asaj që thamë më sipër, shtohet edhe fakti se ajo ka qenë gjithmonë vitualisht dhe praktikisht e gllabëruar nga fqinjët e vet « mishngrënës », që pasi kishin mbaruar punë me mishin, kërkonin t’i mernin edhe kockat.

Jap pse historia përsëritet, dhe shqiptarët kërkojnë mbështetje nga një superfuqi për t’i mbijetuar rrezikut asimilues të fqinjëve. Ja pse ushtria e NATO-s, alias amerikane, u mirëprit me lule nga banorët e Kosovës, për t’i shpëtuar asimilimit dhe genocidit serb, ja pse shqiptarët me anë të Karl Topisë, kryetarit të Principatës së Shqipërisë së Mesme, rreth shtatë shekuj më parë, i bënte thirje Perandorisë Osmane (Shteteve të Bashkuara të asaj kohe), që të vinin e të ndërhynin në Shqipëri, për ta shpëtuar atë nga asimilimi serb në bashkëpunim me Balshajt në Veri, dhe nga shtypja ortodokso-bizantine në Jug. Ja pse kur Sokol Balla, teksa komentonte vizitën e Bushit në Tiranë kur citontë shprehjen « hordhitë osmane », duhej ta dinte ftesën për mbijetesë që i bënë shqiptarët atyre. Nuk duam të mendojmë që më vonë djemtë apo edhe nipërit « miopë » të zt. Balla të bëjnë gabimin historik dhe të quajnë prezencën amerikane në Kosovë apo edhe vizitën e Presidentit Bush në Shqipëri, si « hordhitë amerikane të shekullit 21 ».

Presidenti Bush gjeti në Shqipëri atë që i mungonte në botë dhe shqiptarët gjetën tek presidenti amerikan atë që atyre u mungonte në botë. Pra nuk ka pse të shikohet dhe komentohet si një hata e madhe. Unë mendoj se shqiptarët kanë qenë gjithmonë në drejtim të rrymës së tyre e cila i ka shpjerë gjithmonë në mbrojtje të interesave kombëtare. Ja pse shqiptarët, në kundërshtim me atë që komentonte Arbër Xhaferri disa muaj më parë se ishin kontingjentë për të tjerët, treguan se ato gjithmonë kanë qenë kontingjentë të vetvehtes së tyre dhe i kanë shërbyer mbijetesës së vet dhe pasardhësve të vet.

Përkrah asaj që thamë më lart, mendoj se opinionbërësit në Shqipëri duhet të çlirohen nga prangat e interesit të tyre utilitar dhe të japin një gjykim më objektiv lidhur me vizitën e presidentit Bush. Monotoninë ekstra proamerikane të mediave tona e theu vetëm zt. Lubonja me objektivitetin e vet, kur kërkonte që figura e Presidentit Bush të analizohej edhe më gjërë se sa në spektrin shqiptar. Në të vërtetë ne duhet të bëjmë një dallim në mes të interesave tona në Ballkan dhe politikës së Departamentit të Shtetit në Irak dhe Afganistan, në trajtimin e çështjes së Lindjes së Mesme dhe mbështjetjes së verbërt që SH.B.A i japin Izralit për mënyrën e vet « paqësore » të trajtimit të popullsisë autoktone palestineze duke lejuar ndërtimn e mureve ndarës ala Berlin.

Nuk mendoj se e duam më shumë administratën amerikane se vetë amerikanët, të cilët kohët e fundit sipas sondazheve i japin mbështetjen më të vogël historike asaj. Ashtu siç amerikanët janë aleatë të vetvehtes dhe mbështetjen e tyre ndaj qeverisë e variojnë në varësi të politikave të ndryshme, edhe ne duhet të jemi objektivë dhe përkrah mbështetjes politike dhe shpirtërore ndaj tyre, të mbajmë edhe qëndrime parimore kur duhet, në lidhje me respektimin e normave demokratike në marrëdhëniet ndërkombëtare. Sepse ndryshe edhe kjo aleanca dhe mikëpritja jonë, ngjajnë më shumë si të shtira nëse nuk mbështeten mbi fondamente parimore dhe demokratike.

Megjithatë duhet thënë se Sh.B.A-të gjetën motrën e tyre të vockël diku në një cep të Evropës, e cila nga ana e saj, është e gatshme që për hir të vëllait të madh, t’i bëjë të pabërën kushurirave xheloze evropiane.

Vizita e Presidentit Bush u parapri nga një intervistë e një gazetari shqiptar në Shtëpinë e Bardhë, bërë vetë presidentit, e cila u trajtua si një sukses i gazetarisë sonë.
Së pari, mendoj se është normale që një president të japë një intervistë në një televizion të vendit ku ai dëshiron ta vizitojë, dhe kjo me dëshirën e tij. Merita ndoshta qëndron në shkathtësinë e televizionit të caktuar për të dalë i pari para presidentit Bush.
Së dyti, ishte shumë pak profesionale dhe shumë e dhimbshme komenti që gazetari intervistues, por edhe vrasësit tanë mediatikë me pagesë i bënë përceptimit të presidentit amerikan për Shqipërinë si « muslimanë që mund të jetojnë në paqe ». Kjo shpura jonë donkishoteste opinonistike, me përjashtime të rralla, i qau hallin presidentit amerikan për lapsusin apo stilolapsusin, mosinformimin apo dezinformimin në lidhje me përqindjet fetare në Shqipëri. Të alarmuar nga kjo frazë, e cila duhet thënë, zhvlerësoi gjithë atë infrastrukturë të ndërtuar nga ato në vite, pikërisht për të deformuar trashëgiminë kulturore dhe fetare të muslimanëve shqiptarë, nxitimthi monopolizuan ekranet e televizioneve private duke e servirur presidentin amerikan si dhe administratën e tij si të pa aftë për t’u informuar në lidhje me gjithçka shqiptare.
Por ata nuk thanë se është pikërisht admninistrata amerikane e cila përbën boshtin e shërbimeve inteligjente dhe informative në botë, dhe se ato jo vetëm informojnë saktësisht presidentin e tyre për gjithçka, por ata kanë informacione edhe për të ardhurat, financimet apo edhe udhëtimet shpesh herë të çuditshme të opinionbërësve tanë atdhedashës.
Sigurisht që deklara e presidentit amerikan në lidhje me muslimanët shqiptarë gjatë një interviste në Shtëpinë e Bardhë, ka qenë e qëllimshme dhe e vetëdijshme. Në mesin e cilësimeve të panumërta për shqiptarët, ai zgjodhi të theksonte elementin musliman të tyre. Kjo sepse vetë presidenti, administrata e tij por edhe historia na mëson se është pikërisht ky element që ruajti Shqipërinë dhe shqiptarët nga asimilimi, dhe nëse në kohët e sotme do të duhej që Shqipëria të ishte një bosht i rëndësishëm në Ballkan përkundrejt atij sllavo-ruso-ortodoks, elementi musliman paqësor, është pikërisht ai që do t’i garantonte influencave amerikane një qasje më normale në rajon dhe do të shtynte gardhin shqiptar në kufinjët e 1912-tës.

Pavarësisht shpesh qasjeve jo profesionale por edhe klanore që iu bë vizitës së Presidentit Bush në Shqipëri nga televizione të ndryshme private, apo edhe shpejtimit për ta njollosur mikpritjen shqiptare fushëkrujase me gjoja vjedhjen e orës së presidentit nga shqiptarët, faktorizimi i elementit shqiptar në rajon dhe në botë edhe atij musliman si pjesë përbërëse identitare e tij, tashmë është një fakt.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›