E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kur kanë kaluar 8 vjet...

Me 12 qershor 2007 mbushen plot 8 vjet që kur trupat e KFOR-it hynë në Kosovë , pas bombardimeve të vazhdueshme plot 77 ditë të pandërprerë të aleancës veriatlantike të NATO-së në misionin e tyre të quajtur humanitar për të ndaluar spastrimin etnik të shqiptarëve nga Kosova.

Në historinë e mijëvjeçarit të dytë të Kosovës, ushtrinë serbe dhe pushtetin shtetëror serb mbi Kosovën e shporrën, për herë të parë perandoria osmane në vitin 1389, për herë të dytë perandoria austrohungareze në vitin 1915, për herë të tretë perandoria gjermane në vitin 1941, dhe për herë të katërt, të fundit dhashë Zoti, perandoria amerikane në vitin 1999.

8 vite pas, në ditën e 12 qershorit, më bien ndërmend kujtimet e hidhura të periudhës më të vështirë të luftës në Kosovës, koha prej 24 marsit e gjer më 12 qershor 1999, si njëri ndër aktorët e shumtë të popullit shqiptar, që përjetuam”live” këtë tmerr e terror të paparë në Kosovë. Me të vërtetë këto 77 ditë të përjetuara në ankth, më sillen vërdallë në kokë, çdoherë kur afrohet 12 qershori, një ditë me rëndësi të madhe historike për Kosovën. Shpeshherë mendohem, vallë a thua do të ishte më mirë të ishim larguar në atë kohë nga Kosova, se sa që mbetëm neve të ngujuar dhe në ankthin e pritjes së vdekjes dita më ditë.

Tani, pas kësaj distance kohore të kaluar, me të vërtet kemi qenë o të “çmendur” që qëndruam dhe përjetuam në atë kohë tërë presionin psikologjik të luftës së Kosovës. Më mirë do të ishte sikur të ishim në njërën prej kampeve të refugjatëve në Shqipëri, Maqedoni, Mali i Zi, apo gjeti në botë apo me pushkë në dorë në radhët e UÇK-së diku në mal, e cila fal aktivitetit pacifik të strukturave të atëhershme politike pacifiste në vend të masivizimit dhe favorizimit të luftës, propagandohej edhe më tej në rezistencë pacifike, që bëri që të zbehej dhe të dobësohej kjo rezistencë e armatosur e UÇK-së.

Prizreni për krahasim nga qytetet tjera të Kosovës gjatë luftës në Kosovë ka përjetuar më pak dëme materiale dhe humbje në njerëz. Me siguri, kjo ishte dhunti nga Zoti i madh, por edhe një karakteristikë tjetër e Prizrenit ka qenë, se gjatë tërë periudhës së bombardimeve prej datës 24 mars e gjer më 12 qershor 1999, ka vepruar me plot sukses, me sulmet e befasishme guerile komandant Hoxha me njësitin e vet i cili ju solli humbje të mëdha në njerëz armikut serb dhe ju shkaktoi dëme materiale dhe solli kokëçarje të mëdha në radhët e tyre. Gjatë gjithë kohës sa ishim të ngujuar në qytet, pëshpëritej me të madhe se në qytet është duke vepruar një komandant me pseudonimin”Hoxha”, duke mos ditur fare se ai ishte shoku dhe kolegu që nga studimet e kaluara në Mitrovicë Samidin Xhezairi që për mua ishte një befasi e këndshme, pasi kisha njohuri se shumë kohë gjendej me punë larg Kosovës në perëndim. Me të vërtet takimi im me të, pas shumë vitesh, në xhaminë e Bajraklisë, në Prizrenin e sapoçliruar, ashtu me uniformë dhe me armë në dorë, ka lënë përshtypje dhe mbresa të thellë që përherë do i kem në kujtim. U përshëndetëm, dhe iu drejtova në shaka me fjalët:” a ti qenke ai “Hoxhë” fantazmë i Prizrenit, po pse ore, nuk ja çove selamin shokut tënd dhe kolegut në studime për t’ju bashkëngjitë”.

Çast më të pakëndshëm gjatë gjithë kohës së bombardimeve ka qenë dita kur ushtria dhe policia bënë bastisjen e shtëpive për ti mbledhur të rinj shqiptar për të dërguar në hapjen e kanaleve dhe istikameve në afërsi të kufirit shqiptaro-shqiptar. Vetëm një Zot i madh na shpëtoi për të mos rënë në duart e tyre, së bashku me nipat e mi që ishim strehuar në një vend prapa shtëpisë, edhe pse u afruan shumë afër nuk na diktuan. Pas këtij aksioni plot 30 ditë të tjera i kam kaluar në burg shtëpiak hiq pa dalë gjer në muzgun e 12 qershorit të vitit 2007.

13 qershor 1999, ditë e cila do të mbetet e shënuar me shkronja të arta në historinë më të re të qytetit të Prizrenit, ditë kur trupat e KFOR-it gjerman hynë në Prizren, ka qenë ditë që vetëm mund të përjetohet e assesi nuk mund të përshkruhet, ai erupsion i shpërthimeve të vullnetit të qytetarëve prizrenas pas plot 77 ditësh të ngujimit dhe të pritjes në ankth të lirisë. Gjatë gjithë jetës sime janë 3 ngjarje që kanë mbetur në kujtesë dhe kanë lënë mbresa të përhershme, e para, dita kur kam kryer shërbimin ushtarak në ish armatën jugosllave,e dyta, dita kur kam diplomuar në fakultet, treta, dita kur kam përjetuar çlirimin e qytetit tim dhe të Kosovës në përgjithësi. Kjo ditë, 13 qershori 1999, për babën tim ishte gëzimi dhe çasti dytë i përjetimit të çlirimit të qytetit të Prizrenit nga ushtria gjermane, hera e parë ka qenë viti 1941 kur Qazim Bllaca së bashku me trupat gjermane nga Ferizaj hynë dhe çliruan Prizrenin nga ushtria serbe e cila me të madhe veç ja kishte nisur me djeg qytetin, hera e dytë ishte përjetimi i tij në moshë të shtyre i çlirimit të Prizrenit me 13 qershor 1999 përsëri nga ushtria gjermane. Si sot më kujtohen shpesh fjalët e babait tim, për ngjarjen e rrëfyer në fillim të vitit 1944 në Prizren.

Atë ditë në Shatërvan të Prizrenit para masës së tubuar të popullatës së qytetit, iu drejtua me një fjalim koloneli Shmithuber i divizionit “Skënderbe” dëgjoni këto fjalët e mi, të dashur qytetarë shqiptar të Prizrenit, le të dini gjersa të jetë prezentë këtu këmba e gjermanit, do të jetë këtu Shqipëri, atë ditë që këmba e gjermanit nga këtu do largohet, do të kthehet prapë Serbia(Jugosllavia)”. Me të vërtetë edhe ashtu ndodhi, nuk kaluan as 6 muaj në nëntor të vitit 1944 përsëri u kthye Serbia(Jugosllavia). Kur jam këtu nuk mund e të mos e përmend edhe hoxhën dhe atdhetarin e dalluar prizrenas Hafëz Abdullah Sagdatin, ish major për çështje fetare në divizionin “Skënderbe”, i cili gjatë gjithë jetës së kaluar të tij, nuk ka fol për të kaluarën e tij, pasi ka qenë përherë i anatemuar nga komunistët, dhe falë fshatarëve të Kabashit të Prizrenit të cilën e kanë fshehur dhe strehuar, ka arritur të shpëtojë dhe më vonë pas amnistisë së përgjithshme të asaj kohë është lënë i qetë të jetojë. Në një çast pak para se të ndërrojë jetë në një të pame, e pyesin hafëzin e nderuar, t’ju tregojë, i cili ka jetuar plot 80 vite, çastet më të lumtura të jetës. Hafëzi i nderuar iu përgjigj me këto fjalët: “Gjatë jetës sime 80 vjeçare, vetëm gjatë 3 viteve kam përjetuar çastet më të lumtura, dhe atë periudhën e viteve 1941-1944 kur kanë qenë gjermanët, dhe kur kemi qenë së bashku me nënën Shqipëri”.

Ne shqiptarët në përgjithësi do të jemi përherë falënderues për ndihmën e ofruar të aleatëve tanë dhe asnjëherë nuk do të harrojmë çastet më të vështira në historinë më të re të Kosovës si dhe misionin humanitar të tyre që ndërmorën për shpëtimin e popullit shqiptar të Kosovës.

Në përfundim të këtij shënimi të përvjetorit do e përmbyll me fjalët e ish presidentit amerikan Bill Klinton , njeriun më të merituar për ndihmën ofruar popullit shqiptar, nën udhëheqjen e së cilës u ndërmor aksioni humanitar në Kosovë për ndaljen e spastrimit etnik të shqiptarëve të Kosovës: “Nuk do të lejojmë më që në Evropë njeriu të vritet vetëm se për shkak të mënyrës së falurit tek Zoti. Njeriu nuk do të vlerësohet vetëm për shkak të përkatësisë etnike, racore, fetare, por për karakterin dhe devotshmërinë ndaj Zotit dhe humanitetit të treguar ndaj popujve tjerë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›