E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bush Kruja dhe maskarada e një ore të pavjedhur!

Nëse Jon Bon Jovi do të vinte në Tiranë, padyshim që do të pritej që të fluturonte mbi krahët e fansave diku në “Skënderbej”, “Qemal Stafa” apo “Nënë Tereza”! Por askush nuk priste ta bënte njeriu më serioz i botës George Bush i Riu, në një qytezë shqiptare të panjohur, mes njerëzve të thjeshtë, të cilët sapo dëgjuan edhe deklaratën për Kosovën në Tiranë, nxituan të mbushnin shëtitoren e vetme të Fushë Krujës! Por ai e bëri këtë, duke treguar se është pikërisht ajo që e bën lider një lider, ndonëse s`ka nevojë për votën tonë për tu zgjedhur.

Por ajo që të çudit është se presidenti Bush, ka zgjedhur pikërisht Shqipërinë për të thyer protokollin dhe kjo nuk kishte ndodhur asnjëherë në 35 vitet e fundit me një lider amerikan. Sigurisht mesa dimë, asnjë lider amerikan nuk hipën më mbi makinë, që nga fatkeqësia kombëtare amerikane e vrasjes së presidentit Kenedi. Një miku im kosovar, do më përcillte kështu të dhënat që kishte dëgjuar nga një “live audio file”, të dhënat e së cilës të jepen vetëm me të dëgjuar e jo në mënyrë të printuar.

Sigurisht çdo gazetar mund të përdorë ato që mban mend. Burimet thonë se “presidentit Bush i është tërhequr vëmendja, dhe i është kërkuar që në raste të tilla, nëse do ketë, të paktën të njoftojë stafin e tij të afërt”.
Por ja që presidenti Bush, nisur edhe nga entusiazmi i paqtë e i pastër i fushë-krujasve, e theu rregullin dhe ndoshta vuri në pozitë të vështirë “çunat” e tij, të cilët përgjigjen për jetën e presidentit. Por kjo, i shërbeu padyshim forcimit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, përmirësimit të imazhit të Shqipërisë, dhe në fund fare vënies në vend të zakonit që shqiptari ka kur pret mikun në shtëpinë e tij.

Kështu u ndieva edhe unë, jo më larg se 3 metra nga vendi ku ndodhi ngjarja nw mes tw Fushë Krujës, duke parë i shokuar dhe i entusiazmuar “live” skenën në fjalë!
Burime nga Shtëpia e Bardhë, thonë se zyrëtarët amerikanë kanë ngelur të shokuar me pritjen, me organizimin, me seriozitetin që gjetën në Tiranë. Këtu vlen të përmendet The New York Times, e cila tha se “shpesh presidentit i bëhen protesta edhe në Teksas, në vendlindje, ndërsa në Shqipëri askush nuk e bëri këtë”! Pra, gjithçka që Shqipëria bëri, të gjitha strukturat që punuan ditë e natë për mbarëvajtjen e kësaj vizite, meritojnë këtu mirënjohje, sepse shërbimin më të madh ja kanë bërë vendit të tyre, dhe padyshim forcimit të marrëdhënieve me një vend dhe komb të madh!

Nuk është ekzagjerim po të themi se SHBA ka nevojë për mbështetjen tonë, qoftë kjo edhe minore nga një vend i vogël. Ndërkohë që shumëkush po i vihet kundër një shteti, që në fund të fundit ka bërë njësh me tokën diktatura (Millosheviç, Husein, Molla Omar etj). Por, ata që s`e kanë përjetuar diktaturën nuk kanë si ta dinë dhimbjen e atyre poshtë saj… le të shkojnë të pyesin kosovarët, të pyesin ne, irakianët e afganët e thjeshtë…

Presidenti Bush i tregoi botës dy gjëra, e para; Nuk duhet të nxitojë njeri në botë të thojë se gjithëkush është kundër SHBA, të paktën 8 milionë shqiptarë në hapsirën ballkanike dhe në botë, mendojnë se SHBA janë motori i demokracisë, i cili ka ndërhyrë atëherë kur duhet, (krahasoni Europwn e Bosnjes dhe SHBA-në e Kosovës!) E dyta: në luftën kundër terrorizmit, pra kundër atyre që mendojnë se feja është luftë e vrasje, ka edhe mbështetjen tonë. Dhe sido që ta paraqesin “analistët” e sido që ta stisin “tall show-istët” e Tiranës, shumica e banorëve të këtij vendi janë muslimanë- ju lutem mjaft përdorët termin “islamikë”- dhe të gjithë ata muslimanë i thonë JO injorancisë që ngatërron besimin e shenjtë në Zot, me sulme që në fund vrasin njerëz të pafajshëm!

E në fund me një fjali, s`mund të rrimë pa dënuar ato media shqiptare, që duke kërkuar skupin zbritën në llumin profesional, duke luajtur me imazhin e Shqipërisë. Hapni pak mediat italiane, greke, serbe, turke… do të duhej deklarata e Shtëpisë së Bardhë që të përgënjeshtrohen mijëra lajme të pabaza (vizitoni linkun dhe shpërndajeni http://www.voanews.com/english/2007-06-13-voa2.cfm). Nga na vjen kjo dëshirë për ta quajtur veten hajdutë??? Ata që nxorrën lajmin e rremë duhet të japin një përgjigje…

Një miku im, gjysmë me shaka, dhe thuajse gjysmë më vërtetë tha që ta quajmë Fushë Krujën, Bush Krujë, këndej e tutje… Sa të drejtë ka, atë vendoseni ju!

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›