E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova, në Bruksel grupi i punës diskutoi për zgjedhjet

PRISHTINË-Në Bruksel u mbajt takimi i radhës i Grupit Punues për Zgjedhjet në kuadër të zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Burimet zyrtare qeveritare kosovare njoftojnë se, në axhendë të këtij takimi ishte definimi i mëtejshëm i rolit lehtësues të OSBE-së në mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale në Republikën e Kosovës që do të mbahen më 3 nëntor 2013, çështja e votimit nga jashtë Kosovës sipas ligjit për zgjedhjet dhe aspektet që ndërlidhen me azhurnimin e listës votuese për katër komunat e pjesës veriore.

Një tjetër pikë e këtij takimi ishte edhe aspekti i informimit dhe sensibilizimet me qëllim të pjesëmarrjes sa më masive të qytetarëve të Kosovës në katër komunat me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës ku për herë të parë qytetarët serbë të asaj pjese do të votojnë për institucionet legjitime të shtetit të Kosovës.

Në këtë kuadër është me rendësi të veçantë informimi për metodën e votimit nga jashtë Kosovës, për personat e zhvendosur. KQZ në bashkëpunim të OSBE-së janë dakorduar që të organizohen fushata informuese për procedurat e votimit dhe pjesëmarrjen në zgjedhje.

Sa i përket listës së votuesve, pala kosovare ka njoftuar se ajo është duke u finalizuar dhe se do të jetë gjithëpërfshirëse dhe synon në ofrimin e të drejtës për të marrë pjesë në zgjedhje të gjithë qytetarëve të Kosovës me të drejtë vote dhe pa dallime sipas ligjit në fuqi të Kosovës dhe standardeve ndërkombëtare.

Në delegacionin e Kosovës në këtë takim ishte edhe Valdete Daka, kryetare e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve të Republikës së Kosovës.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›