E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova në CIMAM

Drejtori i Galerisë Kombëtare të Kosovës (GAK), Erzen Shkololli, po merr pjesë në konferencën CIMAM (Komiteti Ndërkombëtar i ICOM’it për Muzetë dhe Koleksionet e Artit Modern), që sivjet po mbahet në Stamboll.

Konferenca, që organizohet në bashkëpunim me Galerinë SALT, filloi punimet të hënën dhe do të zgjas deri të mërkurën (14 nëntor).

Si përfaqësues i GAK, Shkololli është njëri prej 190 drejtorëve pjesëmarrës të muzeve, kuratorëve, institucioneve të artit modern, dhe të liderëve të botës së artit nga 55 shtete të botës.

Kjo konferencë e CIMAM, që mbahet për çdo vit, shërben si burim i informatave për profesionistët e artit, dhe ofron mundësi të shumta për shkëmbim idesh dhe konceptesh rreth modeleve ndërkombëtare të praktikave më të mira muzeale, kuratoriale dhe artistike. Tema bartëse e konferencave të CIMAM ndryshon për çdo vit. ‘Muzetë përtej krizës’ (Museums Beyond the Crises) është tema kryesore e konferencës së sivjetme, përmes së cilës synohet të shikohet përtej krizës së sotme, të definohen risitë dhe të përcaktohet e ardhmja e muzeut.

Në mesin e pjesëmarrësve në këtë konferencë janë Christine Van Assche, drejtoreshë e kurimit në New Media Department of Centre në Pompidou, në Paris; Zdenka Badovinac, drejtoreshë e Moderna galeria, në Ljujanë; Bartomeu Marí, drejtor i Museut d’Art Contemporani de Barcelona, në Barcelonë; Tirdad Zolghadr, kurator e kritik i artit dhe profesor në Bard College, në New York; Melih Fereli, këshilltar i Kulturës dhe Artit, nga Fondacioni Vehbi Koç, në Stamboll; Ben Borthwick, drejtor i Artes Mundi, në Cardiff; Joseph Backstein, drejtor artistik në Moscow Biennale of Contemporary Art, në Moskë; Charles Esche, drejtor i Van Abbemuseum, në Eindhoven; Penelope Curtis, drejtoreshë e Tate Britain, në Londër; Marta Gili, drejtoreshë e Jeu de Paume, në Paris; dhe Lauren Cornell, kurator i Trienalit New Museum 2015, në New York.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›