E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova në OKB, liderët kosovarë lobin për njohje të reja

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu dhe ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, që ndodhen aktualisht në New York, vazhdojnë fushatën lobuese për të fituar mbështje për pavarësinë e Kosovës ndër vendet që nuk e kanë njohur atë ende. Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, tha në një intervistë për BBC-në se vendimi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës pritet të ketë ndikim në procesin e njohjeve të metejme të pavarësisë së Kosovës. Ai tha se duke mos qenë anëtare e OKB-së, Kosova e ka të vështirë të zhvillojë aktivitete në organizatën botërore, sepse një numër vendesh kanë shfaqur hezitime të natyrave të ndryshme. Hyseni tha se një numër i vendeve anëtare të OKB-së preferojnë të presin deri në përfundimin e procesit në Gjykatën e Hagës por, duke mos e kushtëzuar asnjëherë njohjen e Kosovës me përfundimin. Duke iu referuar deklaratave të presidentit serb Boris Tadiç për rinisje të negociatave me Kosovën, ministri Hyseni, tha se statusi i Kosovës është i përmbyllur dhe ai është shtet i pavarur dhe sovran. Nga ana tjetër edhe presidenti dhe ministri i Jashtëm serb po bëjnë punën e tyre, duke lobuar për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës. Hyseni tha se kjo është e natyrshme dhe se nuk sheh asgjë të panatyrshme në këtë mes, por sipas tij, kjo është një politikë dhe qasje e gabuar. Presidenti Boris Tadiç ka thënë se po pret një vendim të GJND-së për të rifilluar negocitatat me Kosovën për të arritur, siç ka thënë, një kompromis për statusin e saj. Por për këtë, Hyseni tha se statusi i Kosovës është i mbyllur dhe se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›