E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova në nato, zgjidhja e problemit

Ylber LILI

Ditët e fundit gjëmshëm vërshon kakofonia e zërave se çfarë do të vendosë GJND më 22 korrik. S'do mend, në të tilla raste qëndrimet Pro et Contra janë të pashmangshme. Disa kanë përqasje të një vendimi pro Kosovës (në fakt, provat ose argumentet anojnë tek e drejta legjitime e Kosovës), sikundër ka edhe tjerë që belbëzojnë për një "favor" - Serbisë. Por, duke marrë në konsideratë rolin e gjykatës, filozofinë dhe metodologjinë e funksionimit të saj, ka gjasa që GJND ta përmbyllë çështjen e arkivuar dy vite më parë me një qëndrim "as mish as peshk".
E thënë ndryshe, peshorja e Gjykatës së Drejtësisë ka shumë mundësi të jetë e balancuar, dmth pritshmëria e vendimit nuk do të jetë i formës së prerë me Po, apo Jo, në lidhje me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë. Më pak fjalë, GJND si ndjekëse e filozofisë së OKB-së, nuk do të dalë me konkluzione precize për t'i dhënë zgjidhjen e prerë ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë. Sidoqoftë secila nga palët do të yshten për të përfituar sa më shumë nga vendimi i gjykatës. Ndonëse e pamundur, gjithsesi Serbia e përkrahur nga Moska do të rreket ta dërgojë çështjen në Këshillin e Sigurimit. Nga ana tjetër politika dhe diplomacia e Kosovës do të tentojë me të gjitha mënyrat për të pasur sa më shumë njohje të reja. Fundja, edhe në qoftë se peshorja e gjykatës do të jetë e balancuar, pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, këtë e thonë të gjithë. Madje edhe vetë politikanët serbë nën zë e kanë kuptuar dhe pranuar një realitet të tillë. Pra, çështja që shtrohet për diskutim nuk ka të bëjë gjithaq me vendimin e GJND sesa me prapaskenat që luhen para dhe pas këtij vendimi. Pikërisht këtu qëndron paradoksi!
Në kushtet kur "tapia" e pavarësisë është vulosur dhe firmosur nga SHBA-të dhe vendet e tjera më kredenciale të fuqishme në skenën botërore, shfaqen skema paradoksale që e shpien Ballkanin Perëndimor në një rrugë pa krye. Nuk është e rastit që kohët e fundit kanë dalë në qarkullin zëra dhe ide me protagonistë lobistë të Beogradit për ndarje, apo shkëmbime territoresh. Në këto rrethana analiza bëhet qartësisht e kuptueshme.
Ndonëse serbët e kanë fare të qartë se e kanë humbur Kosovën, gjithsesi ata nuk mund të ngushëllohen "duarthatë" nga beteja e tyre irracionale dhe hegjemoniste. Në rrethanat e krijuara, politikanëve serbë krahas panikut nga presioni i qarqeve nacionaliste të Beogradit, krahas vazhdimësisë së mendësisë millosheviçiane, iu nevojitet edhe një pretekst i fortë për të shkuar të qetë në zgjedhjet e vitit 2012. Në rast se dështon plani i tyre për ta dërguar çështjen në Këshillin e Sigurimit, serbët mund të riciklojnë zyrtarisht rishikimin e kufijve me Kosovën (ndarje, shkëmbim territoresh etj).
E thënë në mënyrë metaforike, një gjymtyrë e shkëputur nga trupi i Kosovës do t'iu mjaftonte tadiçëve jo thjesht për të garantuar fitoren në zgjedhjet e ardhshme, por mbi gjithçka për të lartësuar propagandën e nacionalizmit serbomadh si fitore jo vetëm ndaj shqiptarëve, por edhe ndaj gjithë atyre që pranuan pavarësinë e Kosovës. Në këtë rast gjymtyra është Mitrovica e veriut, e cila de fakto mbeti e shkëputur nga trupi i Kosovës që prej vitin 1999.
Qysh në atë kohë Mitrovica e Veriut ka shërbyer si depozitë e projekteve serbe për të penguar pavarësinë e Kosovës. ç'është e vërteta, ajo pjesë e Kosovës është shndërruar në një "ishull" të vetmuar, ku fle qetësisht krimi dhe kontrabanda, ku mbizotëron pasiguria qytetare, ku lakuriqësohet roli me dy standarde i EULEX, mefshtësia e institucioneve të Kosovës dhe mbi të gjitha ku Beogradi vepron sipas qejfit, pa u penguar nga askush. Në këtë kuptim do të ishte naive të mendonim se serbët nuk do të përfitojnë nga panorama e sipërpërmendur në lidhje me Mitrovicën. Ndonëse do të hasin të kundërshti të mëdha, gjithsesi pritet që pas vendimit të GJND-së, politika dhe diplomacia serbe do të zyrtarizojnë projektin e tyre për shkëmbim territoresh, apo ndarje…
Për rrjedhojë konflikti Prishtinë-Beograd mund të futet në dimensionin e sherrit për kufirin. Gjithsesi, duke marrë në konsiderate rrezikshmërinë e shkallës së lartë që paraqet projekti serb, faktorët relevantë ndërkombëtarë, sidomos SHBA-të nuk do të pranonin asnjë variant, i cili do të shkaktonte efekt domino. Teorikisht një ndarje e Kosovës do ta trondiste nga themelet Maqedoninë. Shqiptarët atje do të hidhnin vështrimin drejt Shqipërisë, apo Kosovës për një bashkim të mundshëm. Në krahun tjetër Bosnja do të thërrmohej si kullë prej rëre, pa harruar edhe oreksin e vendeve të tjera të rajonit që kanë pretendimet e tyre etnike, apo territoriale. Pra, Ballkani do të futej në një krizë të pamenaxhueshme, sikundër do të bjerrte së tepërmi autoritetin gjithnjë e në rënie në BE-së. Kjo e fundit nëse do të ishte unike për një demokraci panevropiane, tashmë nuk do t'i kishim telashet e sipërpërmendura. Në këtë kontekst të gjitha shtetet e BE-së duhej që në krye të herës ta njihnin në mënyrë unanime pavarësinë e Kosovës dhe tashmë kjo çështje duhej konsideruar e ezauruar. Mitrovica do të ishte e integruar sipas Kushtetutës së Kosovës, nga ana tjetër Serbia duhej të kishte kërkuar me kohë falje për krimet në Kosovë, Mlladiç duhej të ndodhej pas hekurave… Sikundër Bosnja do të kishte fytyrën e një shteti me themele të sigurta… Maqedonia duhej të funksionojë si shtet multietnik dhe jo monoetnik, etj. Në këtë kontekst ta themi troç, Bashkimi Evropian nuk është i aftë dhe as nuk ka vullnet të menaxhojë kriza fatale. BE, e zhytur në krizë financiare, e unifikuar në vija imagjinare, por e çorganizuar praktikisht nuk ka asnjë tregues për zgjidhjen e krizave. Shembujt janë kokëfortë, të cilët vërtetojnë se Bashkimi Evropian nuk arritur të zgjidhë kriza pa ndërhyrjen energjike të SHBA-ve. Kështu që në kushtet kur SHBA-të kanë prioritete të tjera, BE-ja nga ana e saj duhet të ndërhyjë energjikisht me gjithë potencialin e saj për të parandaluar kriza marramendëse, që vijnë si pasojë e oreksit hegjemonist serb.
Më e pakta që mund të bëjnë vendet e BE-së në këtë situatë që mban era konfliktualitet rajonal është përshpejtimi i procedurave për hyrjen e Kosovës në NATO. Si përfundim Kosova në NATO është mënyra më produktive për të qetësuar gjakrat në rajon, për të shuar epshet dhe orekset e serbëve dhe rusëve në Ballkan, zgjidh përfundimisht betejat për ndarje, apo shkëmbime territoresh, fundja shpëton edhe "nderin" e vetë BE-së. Kosova në NATO hap një kapitull të ri për mbarë rajonin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›