Vreri i Ramës dhe i vasalëve të tij kundër autostradës së Kombit
Edi Rama ka shfaqur në shumë raste alergjinë e tij kundër Rrugës së Kombit. Madje me mllef dhe zili të dukshme. Nënvetëdija e tij gjithmonë preket kur kundërshtari i tij politik bën një vepër madhore, diçka që do t’i mbetet historisë. Për rrugën që mori emrin e një anëtari të tij Asamblesë Kombëtare, por që s’u bë, E.Rama merr guximin dhe flet në “Kurban”. “Ne e dhamë idenë e kësaj rruge!”. Ndonjë i ndërliqur mund të ketë dëshirën që të ndërtojë një rrugë gjer në planetin Mars. Por a mund të përmendet një rrugë e tillë virtuale? Meqë “Kurbani” përmban edhe vetëmburrje të tilla groteske, kjo tregon edhe “vlerën” e këtij grumbullimi të përçartur fletësh, sepse “Kurbani” nuk mund të quhet as “libër” as “vepër”. Përsa i përket “rrugës së taksave”, ajo nuk hyn në agjendë, për vetë faktin se vetëm taksat iu zhvatën një rruge të paqenë!
Tani që jemi përpara një gjendjeje reale, jo imagjinare, Edvini betohet se nuk ka folur kundër Autostradës së Kombit. Veçse del një pyetje: Si nuk iu bë ndonjërit prej njerëzve të tij të afërt që të vinte për ta parë këtë rrugë, - që po bën epokë në historinë e sukseseve të prekshme të qeverisjes së vendit tonë, - në përurimin e saj? Urdhrat në PS-në e Ramës janë me konsekuenca, kur nuk zbatohen. Një vajtje e tillë do të kushtonte shndërrimin e anëtarit me dekorata të PS-së në një anëtar të zhveshur nga dekoratat, domethënë në një anëtar të thjeshtë të PS-së (si në rastin e K. Islamit), apo do të shkaktonte mungesën e kandidaturës për deputet. Inkoherenca e tij e njohur e bëri të lëshojë edhe deklarata, të bujshme por të pabesueshme: Tha se do të largohej nga politika nëse do të gjendej në arkiva deklarata e tij kundër ndërtimit të rrugës (!). Veçse në fushatën e zgjedhjeve të 2009-s kishte thënë se "me paratë që paguan taksapaguesit shqiptarë për këtë rrugë do të paguheshin rrugët e Kukësit, Hasit e Tropojës, kopshtet e të gjitha shkollat e çerdhet, që u duhen fëmijëve, por dhe Rruga e Arbrit". Sa i dhimbshur për paratë! Paratë e asaj taksës së rrugës “së ideuar”, që s’dihet se ku vajtën në xhepat e hierarkëve të PS-së, le t’i vinin në shërbim të këtyre rrugëve që qeverisja Berisha nuk i la, megjithatë, pa i bërë. Por nuk u dha as dorëheqja e premtuar!
Kështu, jo vetëm mund të jepen argumente për përbuzjen e tij të rrugës së Kombit, por faktet shtohen e bëhen kapicë kur vartësit e tij nxjerrin vrer nga postat elektronike, në e mail, apo në shpërndarjen e mllefeve në rrjetin social të Facebook-ut. Erion Veliaj e quan rrugën e Kombit, rrënim! Mund të quhet, sipas tij, thjesht një “akt patriotizmi”. Demek të quhesh patriot me flluska sapuni! Këto çoroditje të mendimit të shëndoshë kanë autor Erion Veliajn. Nëse Edvini nuk i përgënjeshtron këto përçartje të emisarëve të tij, atëherë ai është bashkëpërgjegjës, që do të thotë se zëre se i ka thënë ai vetë, Rama, këto përbuzje për rrugën e Kombit. Le të japë dorëheqjen, pra! E. Rama ka përgjegjësinë edhe të asaj shpikjes skandalozë me personazhin e Griseldës, për të kallur mendimin në institucionet ndërkombëtare se politika e krahut të djathtë të “Saliut” është “kapabël” (fjalët jashtë standardit janë tipari thelbësor i “Kurban-it”), që përfaqësuesi i mazhorancës të vërë banditë që të nxjerrin përdhunshëm fëmijën nga barku i nënës dhe ta hedhin foshnjen në kanal! Ky “skenar i përbindshëm” i anëtarit riosh të Asamblesë së Edit, e tmerroi Tanja Fajonin, funksionaren e BE-së, që tha e skandalizuar: Në Shqipëri paska shfaqje të kanibalizmit! Prandaj Erioni kërkon ta zëvendësojë Rrugën e madhërishme të Kombit me një të ashtuquajtur “akt patriotizmi” të ironizuar, kur akti i vërtetë i përbuzjes së Shqipërisë, si shtet dhe si komb, qëndron në sajesën e një shpifjeje antikombëtare të pashembullt! Edi, në vend që ta ndëshkojë këtë mashtrues të paskrupullt, e gradon në një vend të pamerituar në Asamblenë Kombëtare të PS-së! Ndërsa mentori i së majtës auropianiste, Kastriot Islami, nuk e meritoka vendin e tij të natyrshëm në këtë forum të PS-së. Ja si po e zvetënon dita-ditës PS-në E. Rama, që nuk ka thënë asnjë fjalë kundër atij anarkizmi terrorist të personit që flet në emër të ligjit, kur është personifikimi i antiligjit me ata “130.000 viktimat”, vetëm e vetëm që të vërë pushtetin në dorë PS-ja, kur ai vetë është i pavotuar dhe s’ka asnjë vend në parlament, as veten e tij!
Për këtë temë na duket interesant një vëzhgim i një gazete të djathtë , të cilën po e citojmë: “Veliaj, për të rimarrë dhe për të konsideruar rrugën e Kombit si një rrënim nuk është gjë tjetër veçse vijimi i qëndrimit të deritanishëm të Ramës kundër kësaj rruge. Në këtë botë mund të gjendet ndokush që mund të shkruajë edhe kundër kësaj rruge. Kjo nuk të bën përshtypje, pasi kanë qenë të shumtë armiqtë që lobuan që kjo rrugë të mos ndërtohej kurrë. Ajo që të bën përshtypje është qëndrimi në të njëjtën barrierë kundër rrugës së Kombit i Ramës dhe vasalëve të tij”. Duke e përfunduar këtë shkrim, nuk më jepet pa shkruar disa fjalë edhe për nihilizmin e Ramës. Ky term leksikor shprehet në mënyrë kategorike, të gjithanshme, absolute, në “Kurbanin” e tij. Nëse mund të themi një mendim të papërgënjeshtrueshëm te “Kurbani”, është nihilizmi i tij i kudogjendur, i pandërprerë në të 12 kapitujt, pa përjashtim, në mënyrë të njëmendët. Është mohimi i të gjitha arritjeve të kundërshtarit të tij politik (që shihet si armik në shumë raste). Por edhe pohimi, ekzaltimi i pafré, i çdo gjëje që ka të bëjë me UN-in e tij, s’ka të mbaruar. Kuptohet sesa i besueshëm mund të jetë një bashkësi fletësh e tillë, që s’mund të quhet as libër, as vepër. Natyrisht, Rruga e Kombit është njëra nga episodet e ndritshme të arritjeve të qeverisjes, që zuri fill në 2005-n. Doemos edhe kjo është parë me syzet opake të një nihilisti! Ai mëton se do të jepte dorëheqjen, po të përgënjeshtrohej. Përgënjeshtrimin e ka bërë vetë, por edhe “koordinatori” i tij, Valiaj. Sa për dorëheqjen, kemi të bëjmë me një “truk”. Këto ai i ka me bollëk.