Kosova në zemër

Xherdan Shaqiri është rritur në Zvicër dhe e ka marrë kulturën e këtij vendi, por nuk e harron asnjëherë vendin e të parëve të tij, Kosovën. Futbollisti gjilanas ka zemër të madhe dhe ka hapësirë për të dyja vendet. “E kam në zemër Kosovën dhe Zvicrën”, ka thënë 20-vjeçari, në një intervistë për uebfaqen zvicerane, aargauerzeitung.ch.
Shaqiri kishte shkuar në Zvicër kur ishte fëmijë. Ai është pritur mjaft mirë në vendin helvetik. “Ishte një avantazh për mua, kështu që kam mundur ta mësoj gjermanishten në mënyrë më të shpejtë dhe që ta absorbojë kulturën zvicerane”, shtoi ai.
Ndërkohë, ai përkujdeset edhe për familjen e tij. “Babai im është pronari i shtëpisë, gjë e cila nuk do të ndryshojë kurrë”, vazhdoi përfaqësuesi zviceran. Ai është mjaft i lidhur me familjen. “Kjo gjë më ka mbajtur deri tash, duke qëndruar me këmbët në tokë”, thotë Shaqiri.
Nëna e tij punon në një shërbim pastrimi, edhe pse nuk ka shumë nevojë për para, duke e pasur parasysh se Xherdani paguhet mirë. “Por, ajo punon për veten, në mënyrë që të mos rrijë pasive tërë ditën. Ajo ka nevojë për punë”, nënvizoi Shaqiri.
Ai është mjaft i pëlqyer nga zviceranët. Shaqiri po ashtu ia kalon mirë me njerëzit dhe pëlqen mjaft organizimin dhe kulturën e shtetit. Por, i vjen keq që nuk ka det në Zvicër.