Sekretet e FFK-së
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) vazhdon ta aplikojë një politikë të atillë që në opinion t’i përcjellë vetëm lajmet e mira që i merr nga FIFA e UEFA, derisa në raste kur merr ndonjë lajm të keq, mundohet ta fshehë atë.
Në fakt, udhëheqësit e futbollit kosovar, sidomos prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, janë hedhur në aksion për t’u ndërkombëtarizuar sa më shpejt. Patjetër, këto përpjekje të tyre janë për t’u vlerësuar. Si rrjedhojë e kësaj, FIFA tashmë e ka kthyer kokën kah Kosova. Madje, tani janë shpeshtuar kontaktet mes FFK-së e FIFA-s, ndonëse kjo e fundit, e posaçërisht UEFA vazhdojnë ta ‘injorojnë’ aspiratën e kosovarëve.
Shumë nga shkresat që i ka marrë deri më tani nga FIFA, shtëpia e futbollit kosovar nëpërmjet mediave i ka bërë të ditura për opinionin. Mirëpo, bëhet fjalë për lajme të mira që ka marrë nga Zurichu. Por, kur merr lajme të disfavorshme për vendin tonë, FFK-ja heziton t’i bëjë të ditura ato.
Ja rasti i fundit: në mars të këtij viti, Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s kishte vendosur që kërkesa e FFK-së për lejimin e organizimit të ndeshjeve miqësore ndërkombëtare të dërgohet në UEFA. Pra, FIFA kishte kërkuar një sugjerim nga UEFA, para se t’i përgjigjej kërkesës së Prishtinës zyrtare. UEFA kishte dhënë një rekomandim në FIFA, por ai nuk është bërë i ditur asnjëherë.
Sugjerimi që kishte dhënë UEFA është mësuar pas plot shtatë muajve, madje, jo nga FFK-ja, por nga kryetari i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, gjë që më pas u konfirmua edhe FIFA. Duka, por edhe FIFA në javën që lamë pas treguan se rekomandim i muajit mars nga ana e UEFA-s ishte negativ për Kosovën. Kurse, udhëheqësit e futbollit kosovar në atë kohë kishin pohuar se UEFA vetëm ‘ia ka hedhur topin’ FIFA-s, por pa treguar se rekomandimi i Konfederatës evropiane ishte negativ.
Megjithatë, këtë fakt e arsyeton sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu. “Ne nuk kemi pasur njoftim zyrtar rreth atij qëndrimi të UEFA-s, dhe pa pasur njoftime zyrtare, ne nuk mund të deklarohemi. Përndryshe, ju e dini se gjithmonë çdo lajm nga FIFA, qoftë pozitiv, apo negativ, e kemi plasuar në opinion. Nuk kemi çka të fshehim, edhe pse gjithë e dimë se procesi i ndërkombëtarizimit është shumë i vështirë”, deklaroi Salihu për Express.
Ndërkohë, ka pasur edhe raste në të kaluarën, kur FFK-ja në ‘fshehtësi’ përpiqej t’i organizonte ndeshje miqësore ndërkombëtare përfaqësueses së Kosovës. “Ajo është bërë me kërkesë të palës tjetër, me të cilët kemi negociuar organizimin e ndeshjes. Kjo pasi pala tjetër ka kërkuar që mos të bëhet shpejt publike situata, nga frika se Rusia apo Serbia mund ta pengonin zhvillimin e ndeshjes”, sqaroi ai.
Përndryshe, Salihu i ka premtuar opinionit se FFK-ja do të jetë shumë transparente gjatë gjithë procesit të ndërkombëtarizimit, në të edhe sot gjendet. “Sigurisht se transparenca nuk do të mungoj, edhe pse rasti ynë është unik andaj edhe kemi të drejt të mbajmë ndonjë fshehtësi nëse është shumë e nevojshme. Por, megjithatë çdo lajm do ta bëjmë të ditur për opinionin, qoftë ai lajm i mirë apo i keq. Në fund të fundit, të gjithë e dinë situatën dhe aspiratën e futbollit tonë, andaj edhe s’kemi çka të fshehim”, ka përfunduar Salihu.