Plani i PS-së, Rama: Propozim për ndryshim buxheti për zgjidhjen e emergjencës
Në seancën e nesërme parlamentare opozita do të propozojë një plan masash që qeveria duhet të ndërmarrë për të përballuar situatën emergjente ku ndodhet vendi për shkak të motit të keq. Në këtë plan masash, PS i propozon qeverisë ndryshimin e buxhetit duke garantuar votën e saj për fondet që do të zhvendosen për zonat në emergjencë natyrore. Rama tha se shteti është gjetur krejtësisht i papërgatitur para kësaj gjendje dhe se strukturat lokale, bashkitë e komunat janë drejt falimentit, nuk kanë fonde për përballimin e situatës emergjente. Në komitetin e emergjencës krijuar në PS raportuan deputetët që po ndjekin nga afër situatën duke dhënë idetë e tyre për këtë plan masash. Ndërsa kryetari i PS-së Edi Rama tha se ky plan është për të përballuar të sotmen dhe për të parashikuar të nesërmen. Ai tha se shteti po tregon degradimin e tij dhe se është krejtësisht i papërgatitur për arsye të njohura, po dhe me shkatërrimin e plotë të administratës shtetërore si administratë jo e bazuar tek profesionalizmi.
Ne në Kuvend duhet që në mënyrë këmbëngulëse dhe të qartë ta paraqesim këtë plan tonin si domosdoshmëri që ska të bëjë me interesin e ngushtë partiak apo të opozitës, por në interes të vendit, ne jemi gati të votojmë çdo ndryshim të mirëpritur në buxhetin e shtetit që shkon në adresimin e problemeve të mprehta të kësaj emergjence, që shkon në ndihmë të nevojës alarmante, dhe çdo ndryshim që shkon në funksion të një kthese të domosdoshme në rrugën e rikthimit të qeverisë në administrimin e financave kur është fjala për sigurinë e jetës, pronës e biznesit të këtyre komuniteteve.
Rama mori shkas nga takimi që kishte sot në Librazhd duke thënë se nga biseda me drejtues vendorë të këtyre zonave në emergjencë ka mësuar se ata nuk kanë fonde emergjence. Njësitë vendore janë katandisur në struktura që po shkojnë drejt falimentit. Në Librazhd diskutuam me kryetarë të bashkive të Elbasanit dhe Korçës dhe gjendja financiare e tyre është alarmante. Gjendja financiare e atyre komunave që kryeministri u kërkon përballimin e orteqeve është në gjendje falimenti, e kanë të pamundur të bëjnë më shumë se sa të stimulojnë energji të biznesit privat, tha ai.
Ndërsa duke e parë planin e masave të PS-së si një zgjidhje, ai tha se këtë punë duhet ta bënte qeveria, ne duhet të ishim thjesht suport për qeverinë, po qeveria ska as aftësi dhe as dëshirë për të hartuar një plan, mbledhjet e saj po shkojnë në momente befasuese siç ishte kthimi i gjuhës kineze në gjuhë të detyruar, ndërkohë që njerëzit presin të dëgjojnë nga qeveria se cilat janë masat që ka marrë ajo për njerëzit atje nën dëborë, përfundoi Rama.
PLANI I MASAVE
-Identifikimi i kostove të emergjencës për mbajtjen hapur të rrugëve që lidhin komunat me njëra-tjetrën, fshatrat me njëri-tjetrin dhe fshatrat me komunat.
-Hapjen e rrugëve që lidhin qytetet me komunat dhe fshatrat, hapjen e rrugëve kombëtare.
-Kthimin në efiçencë të plotë të ujësjellësve.
-Furnizim të menjëhershëm me ujë të qyteteve dhe komunave.
-Furnizim të menjëhershme me barna edhe për 2 muaj, si dhe mbajtjen hapur të të gjitha qendrave shëndetësore.
-Furnizim me veshmbathje në fshat e qytet për dy muaj.
-Furnizim të menjëhershëm me gaz, qymyr dhe dru për 3 muaj.
-Furnizim me ushqim në sasi të mjaftueshme edhe për 3 muaj.
-Identifikimin e kostove për dëmet në rrugë rurale dhe kombëtare, në rrugët e brendshme të qyteteve.
-Identifikimin e dëmeve të shkaktuara në rrjetin e kanalizimeve, të ujërave të bardha dhe të zeza.
-Identifikimin e dëmeve të shkaktuara në shkolla në qytet dhe në fshat.
-Identifikimin e dëmeve të shkaktuara në banesat e qytetarëve në qytet dhe në fshat.
-Identifikimin e dëmeve të shkaktuara në bagëti.
-Identifikimin e dëmeve të shkaktuara në bazën ushqimore të këtyre familjeve.
-Duhen alokuar grantet e planifikuara në buxhetin e shtetit për komuna dhe bashkitë në nevojë.
-Alokim i fondeve për ndërhyrje të menjëhershme.
-Alokim i fondeve për ndihmën ekonomike në një masë të plotë 4 mujore.
-Alokim i fondeve shtesë për familjet që do bien në varfëri për shkak të dëmeve, në masë të plotë dhe të paktën për 4 muaj.
-Alokim i menjëhershëm i fondit të buxhetit të shtetit për ndërtimin e digave, për ti paraprirë atyre fenomeneve që mund të ndodhin nga shkrirja e menjëhershme e borës.
-Alokim i menjëhershëm i fondeve operative për funksionimin e hidrovorëve dhe kanaleve kulluese.
-Të ndërhyhet në mënyrë konkrete dhe emergjente në terren.