Vendimi, 10 vjet burg grekut trafikant droge
Gjykata për Krimet e Rënda ka dënuar dje me dhjetë vjet burg shtetasin grek Iordanis Savvoulidis, për akuzën e trafikut të drogës të mbetur në tentativë. Ishte pesëshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Sandër Simoni, që gjeti fajtor grekun Savvoulidis për tentim trafikimin e rreth 34 kg hashash drejt Greqisë, me makinën e tij personale tip Kia me targë YHZ6400 më 15 Nëntor 2011. Sipas vendimit të togave të zeza, i pandehuri Savvoulidis përfundimisht do të vuajë 6 vjet e 8 muaj burg, pasi shqyrtimi i dosjes së tij penale, u bë në aplikim të gjykimit të shkurtuar, duke përfituar kështu automatikisht uljen e 1/3 së dënimit prej 10 viteve burg. Po këtë masë dënimi, e kërkoi edhe prokurori i çështjes Eugen Beçi, i cili gjatë fazës hetimore kishte arritur të provonte krimin e kryer nga shtetasi grek Savvoulidis. Përdorimi i shtetasve grekë si korrierë të drogës është shtuar kohët e fundit për shkak të krizës financiare që ka kapluar shtetin helen. Vetë i pandehuri dhe mbrojtësi i tij ligjor, kërkuan një masë dënimi më të butë.
Sipas vendimit të togave të zeza, referuar hetimeve të prokurori Beçi, i pandehuri 24 vjeçar Savvoulidis, më 15 Nëntor 2011, rreth orës 13:00 ka tentuar të kalojë në pikën e kalimit kufitar të portit të Vlorës me makinën e tij personal tip Kia me targa YHZ6400 brenda së cilës kishte fshehur 242 pako në formë cilindrike, që në total peshonin 34 kg hashash. Kjo sasi droge, u gjet dhe sekuestrua në pjesë të ndryshme të makinës, si në veshjet e pasme të bagazhit, në të katër dyert anësore dhe në pjesën e prapakolpit ku u gjetën dhe sekuestrua sasia e drogës që do kalonte për në Greqi. Mësohet se 24 vjeçari kishte ardhur në Shqipëri më datë 14 Nëntor 2011 ku kishte kaluar natën në Mallakastër, ku mendohet se edhe droga i është ngarkuar në makinë dhe të nesërmen, më 15 Nëntor 2011 ka tentuar të hip në tragetin e linjës nga Vlora në Greqi.
