Nostalgji në kohët e errësirës...
Të shkruash në dritën e qiriut është një ndjesi disi e veçantë. Dhe ja, teksa kanë ikur dritat në sallonin gjysëm të errët të shtëpisë sime, në mungesë të të gjitha pajisjeve elektronike, heshtjen e thyejnë vetëm brohoritjet e gëzuara te vajzës sime të vogël, që për çudi megjithëse vinin nga aq afër, para se të iknin dritat kishin qenë të mbytura nga klithmat e politikanëve tanë që shumë po na premtojnë dhe asgjë s`po na japin.
Çasti i ikjes së dritave është me të vërtetë çasti i kthimit në vetvete. Është momenti kur familja është më e rëndësishme se televizori. Është momenti kur lëmë problemet e mëdha globale, të cilat na marrin aq shumë kohë në përpjesëtim të zhdrejtë me interesin dhe fillojmë të interesohemi me problemet e vogla por jetike të familjes sonë.
Ky është momenti i vetëm që arrij të dëgjoj ato që vogëlushja ime kishte një kohë të gjatë që i bërtiste veshit të shurdhët të babait të saj. Në fakt janë fjalët më të dashura që një baba i ri dëshiron të dëgjojë. Ba – ba – ba . Por, është e pamundur. Është e paimagjinueshme se si ajo gjëja që ka pushtuar qoshet e shtëpive tona, ka pushtuar edhe shpirtrat tanë. Tashmë nuk arrij dot ta imagjinoj se si do të ishte një shtëpi pa televizor.
Një shkrimtar i famshëm turk thotë se ikja nga një dhomë me televizor në një dhomë pa të, është një mërgim. Por duke patur parasysh se në shtëpinë time, ashtu si në shtëpitë e shumë bashkëvuajtësve të mi, në çdo dhomë ka nga një televizor, mërgimi i vetëm, i detyruar, është çasti kur ikin dritat. Është kjo koha kur mërgojmë nga realiteti absurd ku na zhyt katërkëndëshi i qoshes, për në një realitet tjetër tepër të prekshëm dhe të ëmbël.
Për vetë profesionin tim them se televizori nuk është i dëmshëm në tërësinë e tij. Por ai është ashtu si një thikë që në dorën e një amvise kryen funksione aq të vlefshme. Po ashtu edhe në dorën e një mjeshtri mund t`i japë formë një copë druje. Por, në dorën e një vrasësi mund të jetë një armë vdekjeprurëse. Edhe TV-të janë kthyer në armë që dalëngadalë po vrasin shpirtin njerëzor.
Kohë më parë shpesh pyesja babain se si e kalonin kohën kur nuk ishin të njohur akoma me energjinë elektrike. Ai më tregonte si mblidheshin mbrëmjeve e gjithë familja në odat e mëdha me oxhak. Me nostalgji kujtonte vizitat tek komshinjtë dhe anasjelltas, ku më të mëdhenjtë kuvendonin rreth votrës dhe qanin hallet, ndërsa më të vegjlit argëtoheshin me lojëra nga më të ndryshmet. Teksa babai më flet për lloj lloj këngësh, vallesh krajane dhe lojërash në një shqipe të pakuptueshme për mua, befas më ngjall një dëshirë të madhe për atë lloj jete. Por, kjo zgjat deri sa vijnë dritat dhe unë instinktivisht ja pasoj vajzën nënës për tu zgjatur tek telekomanda...