Kosova nuk ftohet për shkak të Serbisë

Presidenca e Maqedonisë ka informuar se Kosova nuk merr pjesë në Samitin e Ohrit për bashkëpunim rajonal, që do të mbahet më 1 qershor.Në një njoftim nga kabineti i presidentit maqedonas, Gjorgje Ivanov, është dhënë arsyetimi se pse nuk është dërguar ftesa për presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga.
“Samiti për bashkëpunim rajonal në Evropën Juglindore tashmë ka formatin dhe strukturën e konfirmuar të pjesëmarrësve. Ftesa nuk është dërguar për presidenten e Kosovës, për shkak se nuk ishte pengesë për këtë vetëm një shtet, kundër dëshirës së Maqedonisë për të ftuar Kosovën në këtë samit. Në përputhje me aktet themelore dhe praktikat e deritanishme, Republika e Maqedonisë nuk mund të bëjë ftesa, për shkak se do të rrezikonte që disa nga vendet anëtare të SEECP (Procesi për Bashkëpunim në Evropën Juglindore) të refuzonin pjesëmarrjen”, theksohet nga kabineti i presidentit maqedonas.
Në përgjigje më tej nënvizohet se Maqedonia mbetet në parimin e inkluzivitetit në planin e bashkëpunimit rajonal dhe se shpreson se kur të krijohen kushtet edhe Kosova do t’i bashkëngjitet këtij bashkëpunimi rajonal.
Duke komentuar deklaratat dhe reagimet e Prishtinës lidhur me mosftesën e Kosovës, nga kabineti i presidentit Ivanov theksojnë se deklaratat e caktuara janë drejtuar në adresë të gabuar.
Ivanov ka sqaruar se ai vazhdon të jetë pjesë e procesit të bashkëpunimi rajonal, ku është përfshirë edhe Kosovës. Me këtë rast ai ka përmendur takimet mes presidentëve të Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi, ku si pjesë e këtij procesi është edhe Maqedonia. Presidenti Ivanov ka sqaruar se takimet e këtij formati janë mbajtur në Vlorë, Prizren, Ohër dhe Budvë, ndërsa në shtator do të mbahet në Sarandë, raporton Ina, kurse portali Zhurnal shkruan me ironi se “Maqedonia nuk mund të prishet me shtetet e tjera fqinje për hatër të një shteti siç është Kosova!”
Zhurnal përkujton se pikërisht Ivanov, në vitin 2009, bashkë me presidentin e Shqipërisë dhe Malit të Zi e krijuan bashkëpunimit katërkëndësh, me qëllimin e vetëm që Kosova të kyçet në iniciativat dhe bashkëpunimet regjionale.