E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova nuk merr pjesë në takimin e Budvës; shkak UNMIK-u

Prishtinë -Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku, pret së shpejti zgjidhje për problemin e përfaqësimit në CEFTA, pas kontakteve që do t’i ketë me faktorin ndërkombëtar. Ndihmës-ministrat e ekonomisë të vendeve nënshkruese të marrëveshjes së CEFTA-së, takohen sot në Budvë të Malit të Zi, pa përfaqësuesit nga Kosova. Në takim do të diskutohet për liberalizimin e sektorit të bujqësisë të vendeve nënshkruese të marrëveshjes së CEFTA-s, si dhe do të bëhet fjalë për barrierat jo-tarifore dhe ndikimin e tyre në tregtinë e përgjithshme në rajon.

Problemet e përfaqësimit e Kosovës edhe këtë herë vazhduan, pasi që përfaqësuesit e institucioneve të vendit nuk pranojnë që vendimet të nënshkruhen në emër të UNMIK-ut.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku, theksoi se mos-pjesëmarrja e palës kosovare në takim nuk është çështje e bojkotit, por çështje se pala kosovare dëshiron të definojë drejtë pozitën e saj në këto takime.

“Ne nuk mund të nënshkruajmë përderisa aty nënshkruhet në emër të UNMIK-ut, po ashtu edhe UNMIK-u nuk ka shprehë gatishmëri për me nënshkru atë protokoll”, ka sqaruar ministri Zharku

Merret vesh se as përfaqësuesit e UNMIK-ut nuk po marrin pjesë në takim, pasi nuk po merr pjesë pala kosovare. Ministri Zharku pret një zgjidhje të këtij problemi së shpejti.

“Besoj se do të zgjidhim këtë çështje ditëve të ardhshme me faktorin ndërkombëtar, me Komisionin Evropian, me ICO…, do të shikojmë ta zgjidhim këtë çështje”, thotë ministri Zharku.

Marrëveshja për Tregti të Lirë e Evropës Qendrore, CEFTA është nënshkruar nga Shqipëria, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Moldavia, Serbia dhe UNMIK-u në emër të Kosovës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›