E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuçi: Qeveria i respekton vendimet e Kuvendit

(E plotësuar) Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Hajredin Kuçi ka deklaruar të martën se ekzekutivi i vendit do të i zbatojë vendimet e Kuvendit, pas mocionit të votuar javën e kaluar në Kuvend.

Ky mocion kushtëzon Qeverinë e Kosovës, që bisedimet me Serbinë të mos i fillojë deri në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Në një prononcim për mediat, Kuçi ka thënë se Qeveria e Kosovës do të shikojë këto rekomandime që janë votuar në Kuvend dhe do të analizohen.

“Qeveria i respekton vendimet e kuvendit, do të marrim vendimin, do të shikojmë se si është puna e rekomandimit, por jam i bindur që edhe Kuvendi edhe gjithë ne mendojmë zgjidhjen më të mirë për Kosovën”, ka thënë Kuçi, siç transmeton Kosovapress.

I pyetur se pas formimit të Qeverisë në Serbi a do të vazhdohet me bisedime, Kuçi ka thënë se momentalisht janë të fokusuar që të implementohen marrëveshjet e arritura deri më tani.

Për më tepër ai ka shtuar se çështja e fatit të pagjeturve unifikon të gjithë në Kosovë dhe nuk është një instrument për të luftuar dikë.

“PDK-ja e ka thënë mendimin e vet të qartë, që çështja e pagjeturve duhet të jetë çështje që unifikon skenën politike, unifikon qytetarët dhe orvatjet tona për zbulimin e fatit të tyre dhe jo si instrument për të luftuar dikë”, ka deklaruar ai.

Edhe pse ishte paralajmëruar që PDK-ja do të insistojë që fut në rivotim mocionin e votuar javën e kaluar, një gjë të tillë Grupi Parlamentar i PDK-së nuk e bëri.

Me këtë mocion, i cili ka mbetur në fuqi kushtëzohen bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, deri në zgjidhjen e çështjes së fatit të të pagjeturve.

PDK tërhiqet nga rivotimi për mocionin

Ishte paraparë që gjatë seancës së sotëm të Kuvendit të Kosovës, Grupi parlamentar i PDK të insistonte në kërkesë për harmonizim të qëndrimeve dhe të debatohej mes partive parlamentare për mocionin e miratuar gjatë javës së kaluar i i cili i kërkonte qeverisë së Kosovës që vazhdimin e dialogut me palën serbe ta kushtëzonte me zbardhjen e fatit të pagjeturve, mirëpo Grupi parlamentar i PDK-së ka kërkuar që të mos debatohej për këtë çështje pasi që, sipas tyre, paraprakisht, duhet të zhvillohet debat mes partive politike për këtë çështje.

Arsim Bajrami, deputet i PDK-së, ka thënë se kjo është një kategori mjaft e ndjeshme, andaj institucionet e vendit janë duke bërë përpjekje për ta zgjidhur këtë çështje.

Seanca ka vazhduar me futjen, si pikë të rendit të ditës, shqyrtimin e propozim-vendimit për emërimin e anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për energji, për të cilën, pikë është duke u zhvilluar debat.

Mocioni për të pagjeturit, sot vazhdimi i seancës

Kthimi i mocionit, i cili kushtëzon vazhdimin e bisedimeve me zbardhjen e fatit të personave të pagjetur të luftës, pritet të jetë sërish në qendër të debatit në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës, ka kërkuar kthimin në votim, të mocionit të miratuar njëherë nga Kuvendi, nën arsyetimin se Kuvendi kishte votuar dy dokumente dhe jo një mocion të vetëm.

Të premten e kaluar, deputetët e opozitës lëshuan seancën plenare, duke pamundësuar kështu vazhdimin e punimeve të Kuvendit, për shkak të mungesës së kuorumit.

Kthimin e mocionit, e kanë kundërshtuar familjarët e personave të pagjetur.

Ndryshe, në seancën e së enjtes, pas interpelancës së kryenegociatores Edita Tahiri në lidhje me bisedimet me Serbinë, Kuvendi kishte votuar mocionin, i cili në një pikë kërkonte kushtëzimin e vazhdimit të bisedimeve me Beogradin me zbardhjen e fatit të të pagjeturve të luftës.

Mocioni ishte përkrahur fillimisht edhe nga PDK-ja, por pas seancës, deputetët e kësaj partie kishin thënë se nuk e kishin të qartë se për çfarë kanë votuar, andaj edhe kishin kërkuar rivotimin. (REL)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›