Topalli falënderon Turqinë për njohjet që i solli Kosovës
_224870.jpg)
Në takimin me Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, ai i konsideroi marrëdhëniet mes dy vendeve si një shembull i bashkëpunimit të shkëlqyer, por edhe të bashkëjetesës si dy familje të rëndësishme.
"Shqipëria është vend jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe me një rol kyç në Ballkan", u shpreh kryetari i Parlamentit të Turqisë, i cili theksoi qëndrimin e vendit te tij se "pa pjesëmarrjen e Shqipërisë, nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet në rajon".
Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, vlerësoi rolin e Turqisë në nxitjen e njohjeve të Kosovës dhe homologu i saj turk e siguroi se "mbështetja e Kosovës dhe rritja e njohjeve të saj është një ndër çështjet kryesore në agjendën e qeverisë turke".
“Sigurisht që nuk mund të rrija pa e falënderuar dhe pa i shprehur mirënjohje, në emër të Kuvendit të Shqipërisë kolegut Çiçek, në fakt edhe shtetit, edhe qeverisë, edhe Kryeministrit për mbështetjen që ka dhënë në arenën ndërkombëtare, për rritjen e numrit të njohjeve të pavarësisë së Kosovës në vendet e tjera, ku i fundit ishte Sulltanati i Bruneit. Ne e dimë rolin që Turqia ka luajtur në rritjen e numrit të atyre vendeve, që kanë mbështetur Kosovën, për paqen dhe stabilitetin në rajon”, ka thënë Topalli.
Në mënyrë të veçantë, Kryetarja e Kuvendit dhe Kryetari i Asamblesë së Madhe të Turqisë vlerësuan aspiratën e të dy vendeve për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, si një proces i rëndësishëm, ku vendet janë të angazhuara për të arritur standardet dhe filozofinë e vlerave evropiane.