E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Juventus e Inter, kurrë simpati mes tyre"

Lapo Elkan i ka hedhur benzinë rivalitetit ndërmjet Juventusit dhe Interit, duke deklaruar se "ndërmjet këtyre dy skuadrave nuk do të ketë asnjëherë simpati". Aksioneri më i madh i klubit bardhezi, "shigjetoi" skuadrën e Masimo Moratit pas barazimit 1-1 në fundjavën e kaluar, rezultat me të cilin zikaltërit ruajnë avantazhin drejt titullit kampion. "Nuk e them këtë si aksioner i Juventusit, por si tifoz", deklaroi ai. "Nga ana strukturore, ‘dashuria‘ mes këtyre dy skuadrave është e pamundur. Të gjithë e dinë psenë". Elkan u referohej dy titujve që iu hoqën "Zonjës së Vjetër" pas skandalit "Calciopoli" në vitin 2006, ku një prej trofeve iu dha Interit në tavolinë. "Mund të ketë respekt të ndërsjellë: ndodh në të gjitha aktivitetet, në të gjitha duelet, qofshin këto sportive apo biznesi. Gjithsesi, të gjithë e kanë të qartë përse Juventusi dhe Interi nuk do ta duan asnjëherë njëra-tjetrën. Ne bardhezinjtë e dimë edhe më mirë se ata, pasi luajtëm një vit në Serinë B", shtoi nipi i avokatit Anjeli. Në fund, nuk mund të mungonte ironia ndaj rivalëve: "Nëse zikaltërit e fitojnë kampionatin, e theksoj nëse e fitojnë, për mua ky do të jetë titulli i parë i Interit të Moratit. Këtë e ka pohuar edhe vetë Hoze Murinjo".

Kanavaro

Pasi duken jashtë luftës për titull, te Juventusi kanë filluar të mendojnë për sezonin e ardhshëm. Një prej përforcimeve do të jetë Fabio Kanavaro, kapiteni i Kombëtares italiane. Pas drejtuesve të klubit, të cilët janë fare pranë marrëveshjes me mbrojtësin, edhe trajneri Klaudio Ranieri e ka "bekuar" rikthimin e 35-vjeçarit. Trajneri bardhezi tha: "Edhe ne e kemi pyetur veten rreth moshës së Fabios, por kishim si të shpërdoronim mundësinë që të afronim në ekip një lojtar të Kombëtares me parametër zero. Ai mund të formojë dyshen ‘axurre‘ të mbrojtjes, përkrah Kielinit. Kjo është arsyeja, përse u shpreha pro ardhjes së tij, kur drejtuesit e klubit më pyetën". Ranieri foli edhe rreth së ardhmes: "Spekulohet se klubi ka programuar gjithçka për muajt e ardhshëm, por kjo nuk është e vërtetë. Ka nga ata që parashikojnë rikthimin e Lipit, por këto zëra nuk më interesojnë, jam i përqendruar që të punoj sa më mirë".

David Silva

Bardhezinjtë kanë përshpejtuar bisedimet për mesfushorin e talentuar spanjoll, David Silva. Drejtori sportiv, Alesio Seko, dhe shefi i zbuluesve të talenteve, Renco Kastanjini, kanë udhëtuar drejt gadishullit Iberik për t‘u takuar me drejtuesit e Valencias. "TuttoJuve.com" pretendonte se dy përfaqësuesit e lartë të klubit pretendojnë të kthehen në Torino me marrëveshjen për transferimin e 23-vjeçarit. Silva, për të cilin në "Mestaja" pretendojnë rreth 40 milionë euro, është alternativa e preferuar për të zëvendësuar Pavel Nedved. ndërkohë, vazhdojnë përpjekjet për të blerë edhe fantazistin e Verder Bremen, brazilianin Diego.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›