E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova përfundon Pavarësinë e Mbikqyrur

Kosovë- Grupi Drejtues Ndërkombëtar i dha sot fund mbikqyrjes së pavarësisë së Kosovës e cila do të përmbyllet tërësisht në muajin Shtator.

‘Kohë kur pritet të përmbyllen detyrime si implementimi i disa ligjeve në këtë proces’- citohet nga ‘Ekspress’ shefi i ICO-se Pieter Feith, gjatë një video konference të mbajtur në Vjenë, pas takimit të Grupit Drejtues Ndërkombëtar.

Zoti Feith shtoi se veriu i Mitrovicës nuk do të ndahet, nuk do të jetë një konflikt i ngrirë, por do të integrohet.

I pranishëm në konferencë kryeministri kosovar Hashim Thaçi duke mirëpritur vendimin shtoi se Kosova deri në muajin Shtator do ti përmbushë detyrimet që ka.

‘Konsideroj se bashkërisht të gjithë, kemi bërë një punë të shkëlqyeshme, e cila e ka bërë Kosovën në shtet të respektuar në rajon dhe me gjerë. Unë e di se ende kemi punë për të bërë. Ne duhet të forcojmë sundimin e ligjit dhe të rrisim mirëbesimin e qytetarëve tanë. Ne duhet të rrisim nivelin e bashkëpunimit ekonomik. Ne duhet të realizojmë potencialin tonë të plotë të decentralizimit dhe të sigurojmë qytetarët tanë se qeveria e tyre është përgjegjëse për nevojat e tyre. Për më tepër, ne duhet të forcojmë lidhjet ndërmjet grupeve etnike në Kosovë dhe të bëjmë tolerancën dhe respektin për kulturën e njëri tjetrit pjesë përbërëse të jetës së shtetit tonë. Në bashkëpunim me Zyrën Ndërkombëtare Civile ne kemi krijuar strukturat për përballjen me këto sfida dhe unë zotohem se jemi të përkushtuar që ta bëjmë Kosovën një rrëfim suksesi dhe shembull i zhvillimit, paqes dhe stabilitetit’- tha Thaçi në takim.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar ka mbikëqyrur pavarësinë e Kosovës dhe përbëhet nga 23 vende evropiane, Shtetet e Bashkuara dhe Turqia.

/IDEA/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›