E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga policit grek, kreu i një organizate shqiptare



ATHINË - Vihet në pranga një polic në lagjen “Marusi” në Athinë, pasi në bashkëpunim me dy shqiptarë, trafikonin lëndë narkotike. Burime nga policia helene thanë se polici 44-vjeçar, bashkë me dy shqiptarët, 31 dhe 32 vjeç dhe një grek 39-vjeçar, ishin gati ta nxirrnin në treg lëndën narkotike kur u vunë në pranga. Sipas policisë, para katër muajve u dha sinjali në forcat e Antidrogës se dy grekë, njëri prej të cilëve polic dhe dy shqiptarë, po trafikonin lëndë narkotike. Dy ditë më parë një polic i Antidrogës luajti rolin e blerësit të drogës dhe la takim me policin-trafikant që të blinte 200 kg hashash në çmimin 1 mijë euro për kilogram. Gjatë shkëmbimit të parave dhe drogës forcat e tjera të policisë që gjendeshin rreth vendit arrestuan menjëherë trafikantët, mes tyre dhe oficerin e Policisë së Athinës. Gjatë këtij aksioni u sekuestruan: 203 kilogramë hashash, një makinë që përdorej për transportin e lëndës narkotike, një pistoletë, 32 fishekë, gjashtë celularë dhe 680 euro. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë greke, Lefteris Ikonomu, urdhëroi shkarkimin e menjëhershëm të tij. Katër të arrestuarit dhe materialet në ngarkim të tyre iu dërguan Gjykatës së Athinës, e cila vendosi masën burg pa afat deri në përfundimin e hetimeve.

Sherri në lokal, 31-vjeçari hakmerret me plumba, nuk ka viktima
TIRANË - Plumba në një lokal, por fatmirësish pa viktima. Një sherr për motive banale për pak sa nuk është kthyer në një tragjedi gjatë natës së dy ditëve më parë. Një i ri ka marrë një armë pushkë dhe ka shkuar në një bar-kafe për t’u hakmarrë ndaj një personi tjetër, pasi ishte zënë me të. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë se dy ditë më parë, efektivët e Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë kryer arrestimin në flagrancë të shtetasit Griseld Gjergjaj, 31 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tij është bërë pasi rreth orës 02:00, në rrugën “Pjetër Bogdani” në Tiranë, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri e llojit pushkë në ambientet e një lokali, pas një konflikti me shtetasin Erjon Shema, 22 vjeç, fatmirësisht si pasojë e kësaj grindje nuk ka të dëmtuar. Gjatë arrestimit, në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma pushkë si dhe dy gëzhoja që u gjetën në vendin e ngjarjes. Dosja me materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të shtetasit Griseld Gjergjaj i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për konsumim të veprës penale të “kanosjes” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Zjarr në matësit elektrikë, banorët e jetojnë orë tmerri
LUSHNJË - Orët e para të mëngjesit të djeshëm për pak sa nuk kanë rezultuar fatale për banorët e një pallati në bulevardin e qytetit të Lushnjës. Një zjarr në kasetën e matësve elektrikë në një pallat 11-katësh në vendin e quajtur Kryqëzimi i Stadiumit ka rrezikuar të gjithë banorët. Tymi i përhapur ka përfshirë shkallët e pallatit dhe banorët e rrezikuar kanë thirrur për ndihmë forcat zjarrfikëse. Banorët kanë braktisur banesat dhe rendur të largohen, për të evituar një tragjedi të mundshme. Ndërhyrja e menjëhershme e forcave zjarrfikëse ka bërë të evitohen pasojat e përhapjes së zjarrit. Për fat të mirë zjarri u lokalizua në kohë dhe nuk shkaktoi dëmtime të rënda. Ndërkaq, sipas hetimeve të para rezulton se shkak për zjarrin mund të jetë bërë një shkëndijë elektrike, ose nxehja e sistemit, megjithatë po punohet për zbardhjen e shkakut të vërtetë.

Mbytet në lumin ku po lahej italiani 25-vjeçar
LAÇ - Një shtetas italian është mbytur pasditen e djeshme në ujërat e lumit Skuraj, në Kurbin, ku dyshohet se ishte futur për të sfiduar vapën. Lajmin e bëjnë të ditur autoritetet lokale, sipas të cilave emri i shtetasit italian është Andrea Ruatola, 25 vjeç. Trupi i tij ende nuk është gjetur. Sipas burimeve, te shtetësia e tij u arrit prej disa dëshmitarëve, të cilët, pasi nuk e kanë parë të kthehet, kanë lajmëruar policinë. Kjo e fundit ka konfirmuar vdekjen e të riut dhe ka thirrur polumbarët e RENEA-s që të nisin kërkimet për trupin e tij.

Grabitja e dështuar, plagoset pronari i exchange-t

FIER - Persona ende të paidentifikuar kanë plagosur me armë pronarin e një zyre të këmbimit valutor teksa tentuan të vidhnin arkën. Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e djeshme në qytetin e Fierit. Mësohet se gjatë tentativës për të grabitur personat e paidentifikuar janë përleshur me pronarin duke e plagosur këtë të fundit me thikë. Shtetasi Etem Spahia është transportuar menjëherë në spital, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë. Mësohet se autorët e grabitjes së mbetur në tentativë janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Policia po heton për kapjen e tyre.

3 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›