Kosova pranon mbishkrimin, por jo rezolutën 1244

Kosova gjatë prezantimeve në nismat rajonale e ndërkombëtare do të mbajë emrin e saj, por nën të do të ketë një mbishkrim, për të cilën duhet të arrihet marrëveshje paraprakisht në raundin e ardhshëm të dialogut me Serbinë.
Por, është pikërisht përmbajtja e këtij mbishkrimi ajo që duket se e ka bllokuar raundin e radhës të dialogut, theksojnë burimet ndërkombëtare për “Koha Ditore”
Ndërmjeti i BE-së në bisedime Robert Cooper dhe shtetet mbështetëse të dialogut në Bruksel po kërkojnë me ngulm që Kosova dhe Serbia në raundin e ardhshëm të merren vesh për formulën që do të mundësonte përfaqësimin e Kosovës në nisma rajonale e ndërkombëtare pa u penguar nga Serbia.
Qeveria e Kosovës, sipas burimeve ndërkombëtare, ka rënë dakort që Kosova të përfaqësohet me emrin e saj dhe me një mbishkrim ku do të shkruhej se “nuk ka paragjykime të qëndrimit të shteteve ndaj statusit”, por Serbia nuk po bën asnjë kompromis.
Sipas të njëjtit burim, pala serbe vazhdon të insistojë që mbishkrimi të mbaj përshkrimin “Sipas Rezolutës 1244 të KS të OKB-së”.
Pala kosovare refuzon përfaqësimin me rezolutën 1244, ndonëse ka vende perëndimore që kanë kërkuar që një gjë e tillë të pranohet.
Sidoqoftë, burimet kanë shpjeguar se një numër i madh i shteteve mbështetëse të pavarësisë, të udhëhequr nga Gjermania, mbështesin refuzimin e Kosovës dhe po i bëjnë presion Serbisë që të heqë dorë nga Rezoluta.