Kosova pret ish-kryeministrin britanik, Toni Bler
Prishtina pret ditën e sotme ish-kryeministrin britanik, Toni Bler, i cili vlerësohet për rolin e tij gjatë fushatës ajrore të NATO-s, mbi objektivat serbe që i dha fund luftës në Kosovë. Autoritetet kosovare janë shprehur entuziaste lidhur me këtë vizitë, e cila konsiderohet historike për vlerën e saj të veçantë në ndihmë të popullit kosovar. Bler konsiderohet si një prej miqve më të mëdhenj të Kosovës dhe mbërrin ditën e sotme për një vizitë dyditëshe si dhe një sërë aktivitetesh. Në këtë vizitë, ish-kryeministri do të nderohet edhe me medaljen e artë të lirisë, nga presidenti kosovar Fatmir Sejdiu. Autoritetet në Kosovë janë impenjuar për një pritje madhështore, në shenjë falënderimi për kontributin e vyre që i shërbeu më pas pavarësimit të shtetit të ri të Kosovës.
Axhenda
Ai do të takojë udhëheqësit kosovarë dhe do të mbajë një fjalim në seancën solemne të parlamentit që do të mbahet për nder të tij. Presidenti Fatmir Sejdiu do ta nderojë ish-kryeministrin britanik me medaljen e artë të lirisë, e cila thuhet se i ishte akorduar atij nga vetë ish-presidenti, Ibrahim Rugova. Universiteti i Prishtinës ndërkaq do ta nderojë atë me çmimin “Doctor Honoris Causa”, ndërsa ditën e dytë të vizitës, ai do ta kalojë në Prizren dhe në Pejë. Vizita e ish-kryeministrit britanik, Toni Bler është organizuar nga qeveria e Kosovës, e cila thotë janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për ta pritur denjësisht dhe në mënyrë madhështore këtë figurë të lartë të Britanisë.
Kontributi
Gjithçka organizohet në shenjë mirënjohje për angazhimin e tij në fund të viteve 90-të për ndaljen e dhunës që po ushtronte Serbia ndaj shqiptarëve të Kosovës. Kjo do të jetë vizita e tij e dytë në Prishtinë që nga përfundimi i luftës më 1999. Në fund të mandatit të tij si kryeministër i Britanisë, Toni Bler është shprehur se besonte që Kosova ishte ndër sukseset më të mëdha të karrierës së tij dhe se mendonte që kishte bërë atë që ishte më se e drejtë. Ai është shprehur entuziast për këtë vizitë, duke konsideruar se do të jetë gjithmonë kënaqësi të shohësh se gjithçka që ka ndodhur vite më parë, i shërbeu zhvillimit të Kosovës dhe stabilitetit të rajonit.
Zanieri: “OKB-ja është status neutral, jo status negativ”
"Kosova preferon të bashkëpunojë më shumë me institucione që kanë qasje pozitive ndaj pavarësisë. Ne kemi potencialet që të kemi një rol ndihmës me institucionet dhe vendet që nuk e njohin Kosovën”. Kështu është shprehur shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zanier. Sipas tij, është e vështirë që Këshilli i Sigurimit të ndihmojë konkretisht popullsinë në terren. Megjithatë, kjo mbledhje do t’i shërbejë komunitetit ndërkombëtar që të informohet për komplikimet në veri. “Problemi është se ka në parim një kundërshtim të bashkësisë lokale serbe ndaj institucioneve të Prishtinës. Për ta zgjidhur problemin është i nevojshëm dialogu”, shprehet kreu i UNMIK-ut. Sipas tij, Kosova dhe Serbia duhet të ulen së bashku, të paktën pasi të ketë një opinion të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. “Ndoshta një element i rëndësishëm që doli nga takimi ishte dhe fakti se dialogu është i nevojshëm. Të shpresojmë që të dyja palët ta pranojnë dialogun pa shumë parakushte, në mënyrë që të fillojnë, e më pas t’i zgjidhin problemet”, thotë Zanieri.
8 Korrik 2010