E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitje me armë në zyrat e OSSH-së, plagoset arkëtarja



TIRANË – Grabitja e një pike arkëtimesh të energjisë ka përfunduar me plagosjen e një punonjëseje të OSSH-së. Policia e Tiranës bëri të ditur se ngjarja ndodhi pasditen e së mërkurës, te Arka Nr. 1, Njësia 2, pranë Shkollës së Baletit, ku persona të armatosur kanë qëlluar me armë zjarri ndaj shtetases Vjollca Tobli (Koldashi), e cila ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Menjëherë pas ngjarjes nisën hetimet, ndërsa autorët janë larguar, duke u shpallur në kërkim. OSSH reagoi mbrëmë me një deklaratë ku i kërkoi shtetit që të gjejë autorët e krimit dhe ofroi mbështetje për familjen e punonjëses së plagosur gjatë ushtrimit të detyrës.

Ngjarja
Vetëm pak minuta para se të mbyllej orari zyrtar i punës, disa persona kanë hyrë në një prej zyrave të pagimit të energjisë elektrike në Tiranë. Shtetasja Vjollca Tobli (Koldashi) po mblidhte paratë e paguara nga qytetarët gjatë ditës dhe po përfundonte dokumentacionin, por ajo është përballur me disa persona të maskuar dhe të armatosur. Pikërisht në këtë moment ata i kanë kërkuar paratë, por punonjësja e OSSH-së ka refuzuar që të bëjë një gjë të tillë. Nga frika se mos 35-vjeçarja Koldashi do të njoftonte policinë apo se do të hynte ndonjë person tjetër në zyrë, ata kanë qëlluar drejtim të saj, duke e plagosur rëndë. Sipas uniformave blu, faturistja 55-vjeçare është dërguar në spital ndërsa është jashtë rrezikut për jetën. Ende nuk dihet identiteti i autorëve të kësaj ngjarjeje, ndërkohë që ata janë larguar menjëherë nga vendngjarja. Po ashtu, nuk ka të dhëna nëse janë marrë para dhe sa është shuma.

Reagimi
Menjëherë pas ngjarjes reagoi edhe OSSH-CEZ Albania, e cila, përmes një deklarate për shtyp, ofroi mbështetje për familjen e punonjëses së lënduar dhe i kërkoi shtetit që të gjejë autorët e krimit. Përmes një deklarate për mediat kjo kompani dënoi aktin kriminal dhe u bëri thirrje autoriteteve shqiptare që të bëjnë maksimumin e tyre në gjetjen e autorëve.
“Për fat të keq, kjo nuk është hera e parë që punonjësit sulmohen nga persona me sjellje kriminale. Ne i shohim këto akte jo vetëm si sulme kundër punonjësve tanë, por edhe si sulme ndaj investitorëve të huaj në vend”, - thuhet në qëndrimin zyrtar të kompanisë OSSH dhe CEZ Albania. Më tej theksohet se kompania po punon intensivisht për përmirësimin e sigurisë së punonjësve. “U bëjmë thirrje autoriteteve të rendit dhe klientëve tanë të na mbështesin gjatë kësaj periudhe tranzicioni, në mënyrë që akte të tilla të mos përsëriten më”, - thuhet në deklaratën e kompanisë që ka privatizuar rrjetin e shpërndarjes së energjisë.
Gjatë muajve të fundit janë shtuar ndjeshëm rastet e grabitjeve me armë, ku në shënjestrën kryesore janë filialet e bankave në Tiranë dhe në rrethe.

8 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›