Vendimi, fondi i ekselencës, kush përfiton dhe si mund të aplikohet
Këshilli i Ministrave miratoi gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë fondin prej 100 milionë lekësh që do të parashikohet çdo vit në buxhet për t’i ardhur në ndihmë studentëve të shkëlqyer dhe shkencëtarëve të rinj. Në bazë të vendimit të qeverisë fondi i ekselencës do të financohet nga buxheti i shtetit si dhe nga donacione të ndryshme dhe do të përdoret për mbështetje financiare të studentëve dhe shkencëtarëve shqiptarë, të shkëlqyer. Ky fond do të përdoret nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për të dhënë bursa të posaçme për studentë që bëjnë studimet e doktoratës jashtë shtetit. Nëpërmjet këtij fondi Ministria e Arsimit do të japë bursa të posaçme për studentë që ndjekin studime “Bachelor” ose “Master” në njërin prej 15 universiteteve më të mira të botës, si dhe ata që janë pranuar e kanë përfituar bursë të pjesshme në shkencat inxhinierike, teknologji informacioni, matematikë, fizikë dhe bioteknologji në universitetet e njohura perëndimore. Po kështu kjo ministri do të japë bursa të posaçme për shkencëtarë të rinj, që bëjnë studimet e postdoktoratës jashtë shtetit si dhe çmime apo shpërblime për studentë fitues në konkurse dhe olimpiada ndërkombëtare. Është parashikuar në vendim që mbi bazën e këtij fondi të jepen çmime/shpërblime dhe mbështetje financiare për botime shkencore, me nivel të lartë shkencor, të vlerësuara edhe jashtë vendit.
Aplikimi
Mbi bazën e këtij vendimi të drejtën për të përfituar financiarisht nga fondi i ekselencës e kanë studentët që ndjekin studimet e doktoratës jashtë shtetit, pasi kanë përfunduar ciklin e parë e të dytë të studimeve në ato raste kur kanë arritur notë mesatare mbi 9, për shkencat natyrore, inxhinierike e të jetës, dhe mbi 9.5, për shkencat ekonomike e shoqërore, ose, përkatësisht, mbi 8, për shkencat natyrore, inxhinierike e të jetës, dhe mbi 8.5, për shkencat ekonomike e shoqërore, për studimet e kryera jashtë shtetit në secilin cikël studimi. Mund të përfitojnë gjithashtu ata studentë që janë pranuar në një universitet të huaj për studimet e doktoratës apo të postdoktoratës; që kanë përgatitur një projekt për kërkim, gjatë studimeve të doktoratës apo postdoktoratës, jashtë shtetit; që pranojnë të punojnë, së paku 3 vjet në Shqipëri, pas përfundimit të studimeve të doktoratës apo postdoktoratës jashtë shtetit; që nuk janë, njëkohësisht, përfitues të ndonjë burse tjetër nga shteti shqiptar dhe nuk kanë të ardhura personale mbi 200 000 lekë në muaj. Po kështu mund të përfitojnë studentët që ndjekin jashtë shtetit, ciklin e parë dhe ciklin e dytë të studimeve në njërin prej 15 universiteteve më të mira të botës; fituesit në konkurse dhe olimpiada ndërkombëtare, me reputacion, në formë çmimesh; nxënës dhe studentë të klasifikuar në tri vendet e para; studentë dhe doktorantë që kanë përfunduar studimet, universitare ose pasuniversitare, me rezultatin “shkëlqyer”, në një universitet të huaj, që renditet në 30 më të mirët e botës; autorët e botimeve me nivel të lartë shkencor të vlerësuar edhe jashtë vendit etj.
Rregullat
Rregullat e hollësishme për zbatimin e kritereve, si dhe për masën e financimit për çdonjërën nga bursat e parashikuara, që aplikohen për studentët dhe shkencëtarët e rinj, përcaktohen me udhëzim të ministrit të Arsimit dhe Shkencës, i cili, botohet në “Fletore zyrtare”. Kriteret për përzgjedhjen e shkollave të larta jashtë shtetit, në raport me koston e kualifikimit, fushat parësore, numrin e bursave për secilën kategori, në varësi edhe të fondit të vënë në dispozicion për këtë qëllim, konsultohen me Këshillin e Arsimit të Lartë dhe Shkencës. Përzgjedhja e kandidatëve kryhet para fillimit të çdo viti akademik, nga komisione përzgjedhëse, të ngritura me urdhër të ministrit të Arsimit dhe Shkencës. Këto komisione kanë në përbërje profesorë të universiteteve, në varësi të fushës, si dhe një përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Kur fondi i veçantë plotësohet edhe nga donacione, në komision merr pjesë edhe një përfaqësues i donatorëve. Përzgjedhja e kandidatëve bëhet sipas procedurave të përcaktuara me udhëzim të ministrit të Arsimit dhe Shkencës. Udhëzimi botohet edhe në “Fletoren zyrtare”. Lista përfundimtare e kandidatëve të përzgjedhur dhe masa e bursës për secilin prej tyre miratohen nga ministri i Arsimit dhe Shkencës, pasi kandidati të ketë nënshkruar deklaratën, e miratuar nga ministri, për punësim në Shqipëri. Lista botohet në faqen e internetit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
Miratohen kuotat e pranimit në Qendrën e Studimeve Albanologjike
Këshilli i Ministrave miratoi gjatë mbledhjes së djeshme vendimin për hapjen e programeve të studimeve të doktoraturës në qendrën e Studimeve Albanologjike si dhe për miratimin e kuotës së pranimit të tarifës së shkollimit në këto programe studimi. Në bazë të këtij vendimi kuota e pranimit në këto programe studimi të doktoratës, për vitin 2009-2010, është 77. Kjo kuotë ndahet në: "Shkencat gjuhësore" 15 kuota; "Studime letrare" 20 kuota; "Shkencat etnologjike dhe folklor" 10 kuota; "Shkencat historike" 22 kuota; "Shkencat arkeologjike" 10 kuota. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Qendra e Studimeve Albanologjike për zbatimin e këtij vendimi.
Berisha: “Do të rrisim numrin e studentëve që pranohen në univesitetet publike”
Gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e djeshme të qeverisë, kryeministri Berisha bëri të ditur se këtë vit ka një rritje prej 11 % të pranimeve në universitetet krahasuar me një vit më parë dhe garantoi se në të ardhmen do të rritet më tej numri i studentëve që pranohen në universitetet publike. “Kam kënaqësinë t’ju njoftoj se krahasuar me vitin e kaluar, ka një rritje prej 11 % të pranimeve për këtë vit dhe numri i studentëve që këtë vit akademik pranohen në universitetet publike të vendit është 23534 studentë në 181 degë dhe profile të këtyre shkollave”,- është shprehur Berisha. Kryeministri u shpreh se kjo përbën një hap të madh përpara objektivit të qeverisë që tre vitet që vijnë të arrihet në 150 mijë studentë në shkollat publike dhe private të vendit. Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se krahasuar me një vit më parë, rriten pothuajse tre herë pranimet në ICT, në shkencat e shoqërisë së informacionit dhe teknologjisë së lartë. Kjo rritje është e domosdoshme, theksoi kryeministri në kuadrin e ndërtimit të Shqipërisë digjitale.
Kryeministri e vlerësoi këtë zhvillim si një përpjekje serioze për t’u përshtatur me kushtet e tregut dhe kërkoi që të inkurajohen universitet private për të rritur pranimet në këtë fushë, sigurisht pas plotësimit të të gjitha kushteve të nevojshme. “Në rast se këtë vit në universitetet publike nisin studimet për fushën e teknologjisë së informacionit 4170 studentë, qoftë dhe 1500 apo 2000 do të mund të nisnin në sektorin privat dhe kjo do të ishte një përgjigje akoma më agressive, ndaj nevojave gjithnjë në rritje të Shqipërisë dixhitale për shkollimin e rinisë në këtë fushë”, - u shpreh kryeministri. Lidhur me tarifat e shkollimit, kryeministri theksoi se ato nuk do të rriten, pasi ky është një premtim elektoral, të cilit qeveria do t’i përmbahet. Kryeministri bëri të ditur se shumë shpejt do të organizohen një seri diskutimesh dhe debatesh, me drejtues të universiteteve, për mekanizmin financiar të universiteteve, ku do të vendoset se cila do të jetë rruga e financimit. “Do të kontratojmë mekanizma të reja financiare për studentët, do të krijohen mundësi të reja, do të fillojë sistemi I kreditimit, si kudo dhe këtu dhe të gjitha këto do të bëjnë, të ketë një frymëmarrje financiare më të madhe, nga ana e universiteteve”, - tha kreu i qeverisë.
8 Korrik 2010