Në hetime edhe presidenti Nikolas Sarkozi
Mediat franceze raportojnë se prokurorët në Paris kanë hapur hetime lidhur me dyshimet se gruaja më e pasur e vendit, Lilian Betencourt, fshehurazi ka financuar fushatën zgjedhore të presidentit, Nikolas Sarkozi. Thuhet se Sarkozi ka marrë 150 mijë euro donacion sekret gjatë fushatës së 2007-ës, por presidenti francez i hedh poshtë akuzat. Me javë të tëra, Sarkozi dhe qeveria e tij kanë mbrojtur ministrin e Punës, Erik Uoerth, i cili ka qenë i lidhur me akuzat për evazion fiskal të gruas më të pasur në Francë.
Afganistan
Trupat britanike tërhiqen nga rajonet e vështira
Qeveria britanike njoftoi ndryshime në dislokimin e trupave britanike në Afganistan. Sekretari i Mbrojtjes, Liam Fox, njoftoi në parlament ditën e djeshme se zona e ndjeshme dhe e dhunshme e Sanginit do t'i dorëzohet ushtrisë amerikane. Rreth njëmijë trupa, nga më shumë se nëntëmijë të dislokuara në total, patrullojnë zonën e Sanginit. Por një e treta e 300 ushtarëve britanikë të vrarë në konfliktin e Afganistanit kanë humbur jetën në këtë zonë. Dorëzimi në komandën e forcave amerikane do të portretizohet si një ristrukturim ushtarak i arsyeshëm.
Strasburg
BE-ja miraton rregulla të rrepta për shpërblimet e bankierëve
Bashkimi Europian miratoi rregulla të rrepta ligjore për shpërblimet për punonjësit e bankave. Një ligj përkatës u miratua nga Parlamenti Europian në Strasburg me shumicë të madhe. Sipas ligjit duke filluar nga viti 2011, bankierët e suksesshëm mund të përfitojnë menjëherë vetëm 30 për qind të shpërblimit të veçantë. Pjesa tjetër e shpërblimit do të jepet për një periudhë kohe më të gjatë, në mënyrë që të shpërblehet vetëm suksesi i vazhdueshëm. Në rast humbjesh të bankës, shpërblimi madje duhet të kthehet. Mbikëqyrja bankare mund të vendosë gjoba në para ose sanksione të tjera.
Gjermani
Gjermania do të pranojë dy të burgosur nga Guantanamo
Gjermania do të pranojë dy ish-të dyshuar për terrorizëm nga kampi amerikan i të burgosurve Guantanamo. Këtë e bëri të ditur ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere (CDU) në Berlin. Të dy ish të dyshuarit janë klasifikuar ndërkohë si të parrezikshëm dhe do të pranohen nga landet Hamburg dhe Rheinland-Pfalz. Kampi i të burgosurve në Guantanmo ishte ngritur në vitin 2002 në Kubë nga SHBA-ja. Atje mbaheshin rreth 780 të burgosur pjesërisht pa procedurë ligjore. Aktualisht në Guantanamo gjenden rreth 180 të burgosur.
8 Korrik 2010