Tjetërsimi i pronave, arrestohet ish-kreu i Bashkisë
DIVJAKË - Policia e Lushnjës ka arrestuar ish-kryetarin e Bashkisë së Divjakës, Avni Koçi, pasi ka ndryshuar titujt e pronësisë në kundërshtim me ligjin. Arrestimi i tij u bë pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Vlorës, ku Koçi akuzohej për tjetërsim trojesh në periudhën kur drejtonte Bashkinë e Divjakës, gjatë viteve 2000 -2003.
Koçi në këtë kohë u ka dhënë tokë personave të tjerë dhe ka marrë vendime pa e mbledhur Këshillin e Rregullimit të Territorit të Bashkisë. Kjo gjykatë e dënoi Koçin më datë 27 qershor të këtij viti me 8 muaj heqje lirie. Prangosja e tij u bë në komunën e Kolonjës së Lushnjës, teksa ish-kryebashkiaku Koçi po merrte pjesë në inaugurimin e një qendre informimi të Drejtorisë së Bujqësisë.
Ekstradohet nga Frankfurti i dënuari për tentativë vrasjeje
TIRANË – Ekstradohet nga Gjermania një person i dënuar nga Drejtësia për krimin e vrasjes. Policia e Shtetit bëri të ditur të mërkurën se Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana ka kryer ekstradimin nga Frankfurti drejt vendit tonë të shtetasit shqiptar Altin Kujofska, 32 vjeç, lindur në Tiranë. Më 18 prill 2005, Gjykata e Tiranës e ka dënuar këtë shtetas me 10 vjet burg, për kryerjen e veprat penale të “Vrasjes me paramendim në bashkëpunim“ e mbetur në tentativë dhe “armëmbajtjes pa leje“.
I ekstraduari Altin Kujofska në bashkëpunim me një person tjetër të paidentifikuar, për motive të dobëta, kanë tentuar të vrasin me armë zjarri shtetasin Artan L.. Ngjarja ka ndodhur me datën 28.07.2004, rreth orës 23:30’, në rrugën Qemal Stafa, në lokalin e të dëmtuarit Artan L.. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Uisbaden (Ëiesbaden), më datën 11.05.2010, u bë i mundur arrestimi me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë, i shtetasit Altin Kujofska . Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas ky shtetas i është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Prangoset kryeplaku, mbolli Cannabis në pronën e tij
POGRADEC – Në vend që të denoncojë të tjerët sipas ligjit, kryeplaku ka kultivuar Cannabis, por ka përfunduar në pranga. Ngjarja ndodhi në fshatin Hodnisht të komunës Trebinjë. Burimet policore pohojnë se kanë arrestuar shtetasin Avni Pançe, kryeplak i fshatit, pasi në oborrin e shtëpisë së tij, janë gjetur të mbjella 26 rrënjë Cannabis. Operacioni policor u realizua mëngjesin e djeshëm. Sipas të dhënave, gjatë operacionit anti-cannabis, policia arrestoi edhe shtetasin Erjon Hysa, banor i fshatit, pasi kishte mbjellë në një parcelë pranë shtëpisë së tij 46 rrënjë Cannabis.
8 Korrik 2010