E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova, pritje të lartë për Tony Blair në korrik

Ish Kryeministrit britanik Tony Blair do t’i rezervohet një pritje e lartë shtetërore gjatë vizitës së tij në Kosovë. Kështu deklaroi Kryeministri, Hashim Thaçi, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, duke shtuar se Blair do të falënderohet për kontributin dhe mbështetjen e tij të madhe për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

“Pritja për kryeministrin Blair do të jetë një pritje shtetërore, do të vlerësohet dhe falënderohet për kontributin e tij personal dhe të shtetit të tij, për mbështetjen për çlirimin e Kosovës, pavarësinë dhe demokratizimin e saj. Do të organizohet një pritje e nivelit më të lartë shtetëror por edhe një pritje qytetare falënderuese për ish kryeministrin Blair, mikun e Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës”, tha Hashim Thaçi, Kryeministër i Kosovës.

Ish kryeministri britanik Tony Blair do ta vizitojë Kosovën gjatë muajit korrik. Lajmin për vizitën e Blair në Kosovë e ka bërë të ditur bashkëshortja e tij, Cherie Blair në një intervistën “Studio e Hapur” në Alsat. Blair ka vizituar Kosovën menjëherë pas përfundimit të luftës, ku është pritur në mënyrë madhështore. Shumë fëmijë kosovar janë pagëzuar me emrin e tij e po ashtu edhe shumë rrugë janë emërtuar me këtë emër, në shenjë falënderimi për kontributin e tij të madh për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Bul Salihu < I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›