Kosova promovohet në CNN, BBC dhe Euronews
Fushata është përgatitur nga kompania izraelite “Satchi & Satchi” pas një tenderi që ka fituar vitin e kaluar nga qeveria e Kosovës, në vlerë prej 5.7 milionë euro, me këtë rast reklama e televizionit do të fillojë të emetohet në kanalet e mëdha televizive ndërkombëtare, siç janë CNN, BBC World News, Euronews, CNN Turk, Bloomberg dhe Eurosport. Më vonë reklamat për shtyp do të publikohen në revista me renome ndërkombëtare, si në “The Economist” dhe “Neësweek”. Përqendrimi primar gjeografik i kampanjës me moton “Kosova. Europianët e rinj”, do të jetë në Evropë dhe SHBA, ndërsa më vonë gjatë vitit do të ketë përqendrim në disa vende të caktuara- ka njoftuar kompania “Saatchi & Saatchi. Është një mundësi e mirë që Kosova e shfrytëzon për herë të parë me miqtë e saj, për të prezantuar hartën e vjetër të Europës, për të prezantuar Europën e re, apo plan të ri, me këtë energji të Kosovës të prezantojë shtetin e saj, të prezantojmë ambiciet e saj, prezantojmë dëshirën e saj që të ec lirshëm dhe të bashkëngjitet fuqishëm me bashkësitë e vendeve të botës demokratike”,- tha me këtë rast presidenti Sejdiu.
SHBA
Obama: “Nuk nxitohem për Afganistanin”
Presidenti amerikan Barak Obama ka deklaruar se nuk do të nxitohet për marrjen e vendimit për të derguar ose jo trupa shtesë në Afganistan, pavarësisht presioneve për miratimin e një strategjie të re. Duke folur në bazën e marinës në Florida, Obama ka theksuar se nuk do ta vërë kurrë jetën e ushtarëve amerikane në rrezik nëse kjo nuk do të jetë e nevojshme. Para se të bënte këtë deklaratë, Obama u takua me grupin e tij të këshilltarëve për sigurinë kombëtare, me të cilët diskutoi për politikën ndaj Afganistanit. Deklarata e Obamës është një përgjigje ndaj asaj të ish-zëvendespresidentit amerikan Dik Çeni, se ai po ngurron.
Irak
Al-Kaida merr përgjegjësinë për shpërthimet masive
Një grup i lidhur me al-Kaidën në Irak mori përgjegjësinë për shpërthimet masive me bomba të së dielës në Bagdad që shkaktuan vdekjen e 155 vetëve dhe plagosjen e mbi 500 të tjerëve.
Grupi ekstremist i quajtur Shteti Islamik në Irak njoftoi përmes një deklarate vendosur në një faqe interneti, se kishte organizuar sulmet. Kryeministri irakian Nuri al Maliki kishte bërë përgjegjës për sulmet al-Kaidën dhe anëtarë të ish-partisë Bathiste. Ai tha se autorët donin të krijonin instabilitet dhe të mos ta lejonin vendin që të mbante zgjedhje në janar.
Greqi
6 të mbytur në brigjet e ishullit Mitilini
Roja bregdetare greke ka zbuluar dje në brigjet e ishullit të Mitilinit kufomat e 6 personave, të cilët dyshohet të jenë emigrantë klandestinë. Sipas informacioneve të fundit, marinarët kanë gjetur edhe 10 klandestinë të mbijetuar, ndërkohë që dy të tjerë janë në kërkim. Autoritetet greke deklarojnë se klandestinët kanë mbërritur në brigjet e ishullit me varkë, e cila për shkaqe ende të panjohura është mbytur. Burimet shtojnë se roja bregdetare po kryen kërkime për gjetjen e personave të tjerë që mund të kenë qenë në varkë.
28 Tetor 2009