Vasili: Shkarkim nga puna për mjekët “sekserë” që drejtojnë pacientët te privati
Emanuela Sako
Shkarkim nga puna të gjithë mjekëve që fyejnë pacientët dhe që janë kthyer në sekserë për përfitime personale. Bluzat e bardha janë “goditur” rëndë nga Ministri i Shëndetësisë, i cili ka bërë paralajmërime për pezullim nga puna të atyre që nuk zbatojnë ligjet e miratuara vite më parë. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili ka vijuar kritikat e tij drejtuar shërbimit shëndetësor në lidhje me fenomenet që shqetësojnë prej vitesh shëndetësinë por edhe qytetarët. Sipas tij, do të pezullohen nga puna të gjithë punonjësit e shëndetësisë që fyejnë pacientët dhe që luajnë rolin e sekserit për t’i drejtuar pacientët në klinika private. Këto dy situata janë bërë normale në të gjitha spitalet tona dhe askush nuk është marrë seriozisht me zgjidhjen e këtyre situatave. Prandaj, Ministri i Shëndetësisë ka vendosur të ndjekë linjën e zbatimit të ligjeve ekzistuese, të cilat janë lënë në hije prej kohësh. Deklaratat e Ministrit janë bërë gjatë një takimi me shefat e shërbimeve shëndetësore të kryeqytetit, ku u shpreh se do të ketë tolerancë zero për ata mjekë dhe infermierë që bëjnë rolin e sekserit dhe kanë komunikim të vrazhdë me pacientët. “Shërbimi parësor duhet të kuptojë sot që ndodhet përpara një sfide të re. Duhet të kryejë shërbim sa më të shpejtë dhe mbi të gjitha etikë në komunikimin me pacientët. Kushdo që do të jetë i pakujdesshëm me pacientët. Gjuha e drurit, gjuha e keqe me pacientët do të jetë shkak i mjaftueshëm për tu larguar nga detyra. Të ruhet kush bën rolin e sekserit, sepse më mjafton fjala e pacientit. Për çdo rast të tillë të konstatuar ,largimi nga puna do të jetë automatik”,- u shpreh ministri Vasili.
Situata
Qytetarët kanë drejtuar ankesa për sjelljen brutale të mjekëve pranë institucioneve shëndetësore. Por, deri më tani asnjë masë nuk është marrë ndaj mjekëve , të cilat ose janë zgjidhur në mënyrë të kushtëzuar nga të dyja palët, ose mjekët nuk u kanë kushtuar rëndësi. Autoriteti përkatës që merret me ankesat e qytetarëve është Urdhri i Mjekëve. Të gjitha rastet e ankesave të pacientëve për fyerje, janë zgjidhur në mënyrë individuale mes tyre dhe në pak raste ka ndodhur që ato të kalojnë për diskutim në këshillin kombëtar. Ministri i Shëndetësisë pranoi se ka pasur mjaft ankesa të pacientëve për fyerje nga mjekët. Kryesisht këto ofeza janë drejtuar ndaj pensionistëve, të cilët sipas Vasilit, janë kategoria që preket më lehtë.
Shkeljet
Veprimi arbitrar që ndodh më rëndom nga bluzat e bardha është përcjellja e pacientëve nga spitali publik në klinikat private, ku ata ushtrojnë profesionin e tyre. Strategjia e ndjekur prej mjekëve dhe që u pranua nga vetë Ministri, është se ata u thonë pacientëve se nuk kryhen vizita të tilla në një pavijon, nuk punojnë aparaturat ose neglizhojnë vizitat. Në këtë mënyrë ata i drejtojnë në klinikat private për të marrë një shërbim më të shpejtë dhe më të kualifikuar. Ndërkohë që personat që paguajnë sigurimet shëndetësore dhe që përfitojnë nga tarifat e vendosura për këtë kategori, janë të detyruar të paguajnë tarifa të larta dhe pa asnjë lloj subvencionimi në sistemin privat. Kjo situatë është bërë mëse e zakonshme në spitalet e vendit, sidomos në kryeqytet, ku biznesi i ushtrimit të profesionit të mjekëve në sistemin publik dhe privat është kthyer në mjaft fitimprurës. Mjekët gjejnë klientelën në sistemin publik dhe e drejtojnë atë për tek privati.
Gripi i derrit, rreth 910 mostra të marra nga ISHP
Megjithëse virusi i gripit të derrit duket se nuk është shfaqur agresive në vendin tonë, autoritetet e ISHP-së bëjnë të ditur se situata respiratore e qytetarëve është e vështirë. Çka nënkupton se pritet shtim i situatës gripale, pavarësisht nëse mund të jetë grip derri apo grip normal. Aktualisht, specialistët e ISHP-së kanë mbledhur rreth 910 mostra në të gjithë vendin, të cilat po ekzaminohen rast pas rasti në laboratorin e Virologjisë në ISHP. Specialistët kanë theksuar për të disatën herë se poliklinikat e kryeqytetit dhe të rretheve kanë ulur numrin e mostrave të mbledhura nga qytetarët që shfaqin probleme respiratore, të cilët janë potenciali më i mundshëm për t’u prekur nga virusi AH1N1. Specialistët bëjnë të ditur se ka një rënie të ndjeshme të vigjilencës për mbledhjen e mostrave nga specialistët e poliklinikave. Kjo përbën një problem kryesor në evidentimin e rasteve me virusin e gripit të derrit, pasi personat që mund të jenë prekur nuk ekzaminohen. Specialistët e ISHP-së kanë kërkuar që specialistët në rrethe të marrin masa dhe të mos neglizhojnë asnjë rast që mund të shfaq probleme respiratore. Njëkohësisht ata kanë evidentuar se ka probleme me mbledhjen e mostrave dhe me mbajtjen e të dhënave, të cilat dërgohen dhe analizohen në ISHP. Kështu, vetëm në 56% të skedave që shoqërojnë mostrën është e shënuar data e fillimit të sëmundjes, nga këto, vetëm në 63% të tyre janë marrë brenda afateve të rekomanduara kohore. Specialistët sqarojnë se cilësia e mostrës në drejtim të përmbajtjes së qelizave në pjesën më të madhe të rasteve lë mjaft për të dëshiruar. Nga rezultatet e fundit, në moshat pediatrike vihet re një fluks i lartë i infeksioneve respiratore sidomos në Repartin e Urgjencës në QSUT, ku numri i mostrave vazhdon të jetë mjaft i ulët. Kjo gjë nuk lejon pasqyrimin e situatës aktuale në moshat pediatrike për A(H1N1). ISHP-ja bën të ditur se poliklinikat, sidomos ato të rrethit të Tiranës, gjatë 3 javëve të fundit kanë ulur jashtëzakonisht vigjilencën dhe nuk dërgojnë apo raportojnë më mostra. Nga rrethet e tjera të vendit numri i marrjes së mostrave ka rënë ndjeshëm pavarësisht se numri i infeksioneve repsiratore është i konsiderueshëm. Në 70% të skedave të plotësuara nuk shënohen shenjat klinike apo sindromat e përcaktuara, gjë e cila ul cilësinë e raportimit dhe lë mangësi për gjykimin e situatës.
28 Tetor 2009