Kosovë, politikanët shkelin kodin e etikës në prag të zgjedhjeve
Blerina Olldashi
Fushata paraelektorale për zgjedhjet e 15 nëntorit në Kosovë, ka hyrë në javën e dytë të saj dhe po shoqërohet me shkelje edhe pse po monitorohet nga shumë mekanizma, përfshirë edhe ato nga shoqëria civile. Agjensitë e lajmeve shkruajnë se një rrjet organizatash joqeveritare që po monitorojnë fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, janë të shqetësuar fillimisht lidhur me ashpërsimin e gjuhës politike në tubimet elektorale nga shumë subjkete politike garuese për këto zgjedhje. Një shqetësim tjetër sipas organizatave joqeveritare “Demokracia në veprim” është dhe shfrytëzimi i fëmijëve për aktivitetet elektorale. Në këtë linjë, shoqria civile u bën thirrje subjekteve garuese që të zbatojnë kodin elektoral. Ismet Kryeziu i cili udhëheq i cili udhëheq koalicionin e organizatave joqeveritare, “Demokracia në veprim” në emër të këtyre organizatave u bën thirrje partive politike që në vend të ashpërsimit të gjuhës, të kenë programe dhe të orientohen në programe edhe me alternativa për t’u ofruar qytetarëve zgjidhje. Në kuadër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ekziston dhe Komisioni për Parashtresa dhe Ankesa. Ky kominison është duke mbledhur fakte për shkeljet e mundshme gjatë fushatës por ende nuk ka publikuar ndonjë të dhënë. Ndërkaq analistët thonë se në këtë proces parazgjedhor ka një ashpërsim të gjuhës politike gjatë tubimeve elektorale, por jo në masën që do të shkatërronte procesin. Një tjetër problem për këto zgjedhje konsiderohet pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në proces. Përfaqesuesit politikë të serbëve të Kosovës qendrore i kanë bërë thirrje Beogradit që të mos e pengojë pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet lokale. “Serbët e Kosovës duhet të provojnë që të organizojnë jetën e tyre në Kosovë. Beogradi nuk duhet t’i kërcenojë ata me sanksione”,- ka deklaruar Rada Trajkoviç. Por sekretari i shtetit në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviç ka deklaruar se fakti që Serbia nuk mbështet zgjedhjet në Kosovë tregon se bëhet fjalë për një urdhër të prerë të Beogradit.
“Porosia e Serbisë është shumë e qartë, nuk ka si të jetë më e qartë. Ajo nënkupton që serbët të mos dalin në zgjedhje”,- ka pohuar Ivanoviç.
Haga: Karaxhiqi, komandant i spastrimit etnik
Prokuroria e Gjykatës së Hagës ka nisur paraqitjen e rastit kundër Radovan Karaxhiqit, i akuzuar për gjenocid gjatë luftës së viteve ’90-të në Bosnjë. Radovan Karaxhiqi ka qenë “komandanti suprem” i spastrimeve etnike gjatë luftës së viteve 1992-’95 në Bosnjë. Ky rast ka të bëjë me komandantin suprem, njeriu që ka nxitur forcat nacionaliste, urrejtjen dhe frikën për të zbatuar vizionin e tij të një Bosnje etnikisht të ndarë. Ky është Radovan Karaxhiç”,- tha prokurori Alain Tieger. Deklarata e Tiegerit u bë gjatë fjalës së prokurorisë, në ditën e dytë të gjyqit të ish-udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç. Karaxhiçi, ashtu si edhe dy ditë më parë, nuk ka marrë pjesë në seancë. Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës deklaroi, ditë më parë, se nuk do të marrë pjesë në gjykim, pasi nuk ka pasur kohën e nevojshme për t'u përgatitur për mbrojtjen. Karaxhiçi, mbi të cilin rëndojnë 11 akuza, mes të cilave dhe ajo për gjenocid, do të vetëmbrohet.
Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari O-Gon Kuon, tha se Karaxhiçi ka zgjedhur të mos e ushtrojë të drejtën për të qenë i pranishëm në seancë dhe si rezultat “duhet t'i pranojë pasojat”. O-Gon Kuon ka shtuar se “seanca dëgjimore e prokurorisë mund të vazhdojë dhe në mungesë të të akuzuarit”.
28 Tetor 2009