E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekonomiku, përcaktohet data e konkursit të pranimit për masterat



Jonida Tashi

Përcaktohet data e zhvillimit të testit special të pranimit për masterat e Ekonomikut në kryeqytet. Kështu, drejtuesit e Fakultetit Ekonomik kanë vendosur që konkursi i pranimit të zhvillohet në datën 14 nëntor 2009, në orën 14.00. Sakaq, për të njoftuar aplikantët për programin Master pranë Ekonomikut, burime zyrtare nga ky fakultet bëjnë të ditur se më datë 30 tetor, që përkon me ditën e premte të kësaj jave, do të publikohet lista e kandidatëve që do të hyjnë në provim. Megjithëse dokumentet e aplikimit për të vijuar një nga masterat që ofron Fakulteti Ekonomik në Tiranë i kanë depozituar pranë këtij institucioni të arsimit të lartë qindra të interesuar, jo të gjithëve do t’u jepet mundësia për t’i ndjekur studimet.
Përzgjedhja
Drejtuesit e Ekonomikut në bashkëpunim me specialistët e programit Master të këtij fakulteti kanë vendosur një sërë kushtesh, që duhet të plotësohen për të fituar të drejtën e fillimit të një programi të tillë studimi. Kjo do të thotë që kush prej aplikantëve nuk plotëson kriteret e përcaktuara nga fakulteti, duke nisur që nga nota mesatare e diplomës së shkollës së lartë që duhet të jetë mbi 8, nuk do të futet në testin special të pranimit. Aktualisht specialistët e programit Master pranë Fakultetit Ekonomik janë drejt përfundimit të procesit të përzgjedhjes së kandidatëve që do të marrin pjesë në provim. Kalimi i këtij provimi është një ndër kushtet që duhet të plotësojnë kandidatët për të vijuar Masterin. Sipas rregullave të vendosura nga fakulteti, aplikantët që do të grumbullojnë pikët më të larta në testin special do të kenë më shumë shanse për nisjen e Masterit. Sakaq, hartuesit e testit special të pranimit në Masterat e Ekonomikut që është i njëjtë për të gjashtë programet, kanë përcaktuar pikët maksimale që duhet të marr një kandidat konkurrues në provim.
Konkursi
Specialistët e Ekonomikut kanë vendosur që pikët maksimale që duhet të ketë një kandidat për t’u pranuar në Masterat e këtij fakulteti të jenë 100. Pjesën më të madhe të këtyre pikëve do ta ketë testi special i pranimit, i cili është vlerësuar me 60 pikë. Ndërsa dy komponentët e tjerë që do të plotësojnë pikët totale të pranimit do të jenë mesatarja e fakultetit, si dhe intervista e kandidatit. Mesatarja e diplomimit, e cila duhet të jetë mbi notën tetë do të vlerësohet me 25 pikë. Sipas kësaj logjike, pikët maksimale për mesataren do t’i marrin vetëm aplikantët që kanë mesataren më të lartë, ndërsa llogaritja e pikëve të mesatares për të gjithë aplikuesit e tjerë do të jetë në rend zbritës. Me prioritet për të vazhduar Masterin në Fakultetin Ekonomik do të shihet edhe intervista që do të zhvillohet me secilin aplikant dhe që do të vlerësohet me 15 pikë. Po ashtu, dosjet e aplikantëve të dorëzuara në zyrën e masterave do të kenë peshën e tyre specifike për t’u përzgjedhur ose jo fitues. Ndërsa përsa i përket numrit të kandidatëve që do të pranohen për të vijuar Masterin e Nivelit të Dytë (MND) në gjashtë programet që ofron ky fakultet, për këtë vit, qeveria ka vendosur që kuota totale e pranimit të jetë 300. Më konkretisht, shpërndarja e kuotës totale të pranimit për Masterat e Ekonomikut, sipas programeve është: Administrim biznesi 40 kuota; Administrim publik 40 kuota; Financë 60 kuota; Kontabilitet 40 kuota; Marketing 40 kuota; Studime ekonomike evropiane 40 kuota. Ndërsa tarifa e studimit që do të paguajnë kandidatët fitues për të vijuar masterin 1-vjeçar pranë Ekonomikut do të jetë e 100 mijë lekë për secilin prej gjashtë programeve.

Mungesa e ambienteve
Arsimi parashkollor, rrezikon të dështojë projekti i klasave

Rrezikon të dështojë projekti i Ministrisë së Arsimit për hapjen e klasave parashkollore në shkollat 9-vjeçare. Mungesa e infrastrukturës pothuajse në të gjitha shkollat 9-vjeçare të vendit ka bërë që suksesi i klasave parashkollore të vihet në rrezik. Këtu nuk bëhet fjalë për shkolla 9-vjeçare në zonat e largëta të vendit, por për shkolla që gjenden mu në “zemër” të kryeqytetit. Shqetësimi për dështimin e këtij projekti ngrihet nga drejtoresha e shkollës 9-vjeçare “Shkolla e Kuqe”, Arjana Maçi. Kjo e fundit shprehet se ky projekt, i cili ka rezultuar tepër i suksesshëm edhe pse është në një fazë eksperimentale është në vështirësi, pasi nuk ka ambiente dhe shkollat apo kopshtet nuk kanë kapacitetet e duhura për të përballur kërkesat që vijnë në rritje. Fëmijët, të cilët mbushin moshën 5-vjeçare ndjekin këtë klasë e cila i përgatit ata për të shkuar në klasë të parë. Në klasën parashkollore fëmijët mësojnë të shkruajnë, të lexojnë, të komunikojnë rrjedhshëm dhe të zhvillohen nga ana logjike. Sipas një edukatore, e cila jep mësim në kopshtin e kësaj shkolle parashkollorët janë shumë më të përgatitur se fëmijët që mbarojnë në kopshtet tradicionale. Aktualisht numri i fëmijëve që ndodhen në klasën parashkollore në “Shkollën e Kuqe” është 30, ndërkohë që drejtoresha e shkollës pohon se për shkak të mungesës së kapaciteteve në infrastrukturë janë refuzuar shumë kërkesa të tjera nga prindërit. Hapja e klasave parashkollore në arsimin 9-vjeçar është një ndër objektivat që Ministria e Arsimit ka përfshirë në listën e prioriteteve për arsimin gjatë këtyre katër viteve. Ky është një për fëmijët 5-vjeçarë në programe parashkollore që ka nisur të zbatohet që nga ky vit shkollor. Deri tani janë rreth 50 klasa në të gjithë vendin që po përgatisin fëmijët për të shkuar në klasën e parë. Pas përfundimit të këtij projekti pilot, këto programe do të zbatohen në të gjithë vendin dhe pas kopshtit fëmijët do të regjistrohen në klasat parashkollore. Menjëherë pas kësaj ata do të jenë më të përgatitur për të nisur klasën e parë.

Universiteti i Tiranës
Fakulteti i Shkencave të Natyrës kërkon të punësojë pesë pedagogë

Fakulteti i Shkencave të Natyrës pranë Universitetit të Tiranës kërkon të punësojë pesë pedagogë. Konkretisht vendet e lira të punës janë shpallur në departamentet si më poshtë: Në Departamentin e Informatikës shpallen dy vende pune; Në Departamentin e Kimisë shpallet një vend pune; Në Departamentin e Matematikës shpallet një vend pune; Në Qendrën e Fizikës Bërthamore shpallet një vend pune Kandidatët konkurrentë për secilin prej departamenteve të mësipërme duhet të plotësojnë një sërë kriteresh të përgjithshme, të bëra publike nga Universiteti i Tiranës. Ndërsa dokumentet duhet dorëzohen pranë Drejtorisë së Burimeve Njerëzore në Rektoratin e Universitetit të Tiranës, nga data 26 tetor deri në 9 nëntor 2009. Përzgjedhja e kandidatëve fitues do të bëhet nëpërmjet konkurrimit me dosje dhe me intervista të drejtpërdrejta.

Të drejtat e fëmijëve
Ministri i Punës pret përfaqësuesin e UNICEF-it në Shqipëri

Garantimi i të drejtave të fëmijëve ka qenë thelbi i takimit të djeshëm që ministri i Punës, Spiro Ksera ka zhvilluar dje me përfaqësuesin e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, UNICEF, në Shqipëri, Detlef Palm. Ministri i Punës ka diskutuar me Detlef Palm, rreth projekteve të përbashkëta që po realizohen në fushën e përmirësimit të legjislacionit dhe ngritjes së strukturave efeciente për mbrojtjen e fëmijëve. Përfaqësuesi i UNICEF-it në Shqipëri, gjatë bisedës që zhvilloi me ministrin Ksera, u ndal në bashkëpunimin me Ministrinë e Punës për hartimin e Ligjit mbi të Drejtat e Fëmijëve si dhe në ngritjen e Sistemit të Mbrojtjes së Fëmijëve dhe Familjes pranë njësive vendore, struktura të rëndësishme këto për ofrimin e shërbimeve sociale në rastet konkrete.

Anëtarësimi në BE
Lohan këshillon Kserën t’i futet punës për plotësimin e detyrimeve

Ministri i Punës, Spiro Ksera priti dje në një takim përfaqësuesin e Delegacionit të Komisionit Evropian në Shqipëri, Helmuth Lohan. Biseda e tyre u përqendrua rreth aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian (BE) dhe detyrimeve që lindin nga marrja e këtij statusi, si dhe bashkëpunimit të Përfaqësisë së KE-së në Shqipëri me Ministrinë e Punës, në fusha që mbulon kjo e fundit. Ambasadori Lohan theksoi se Pyetësori që do t’i mbërrijë institucioneve shqiptare, pas marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE, është një dokument voluminoz dhe se plotësimi i tij në kohën dhe cilësinë e duhur do të kërkojë nga strukturat përgjegjëse një punë shumë të madhe dhe serioze. Ministri Ksera e informoi Ambasadorin se tashmë Ministria e Punës ka ngritur grupet e punës për çdo fushë dhe vuri në dukje se kjo Ministri, për nga volumi që zënë pyetjet për fushat që mbulohen prej saj, është institucioni i katërt më i rëndësishëm për nga detyrimet që duhet të plotësohen për hyrjen e vendit në BE.

28 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›