E Diel, 1 Nëntor 2026

Vende pune, Bashkia: 200 mijë qytetarë do të përfitojnë nga Plani Rregullues i Tiranës



Emanuela Sako

Rreth 200 mijë vende të reja pune pritet të hapen në kryeqytet, falë zbatimit të projektit për Planin Rregullues të Tiranës. Të gjitha projektet që janë miratuar së fundmi në planin rregullues kërkojnë punësimin e dhjetëra qytetarëve për të vënë në zbatim projektet. Në këtë mënyrë, specialistët e Bashkisë së Tiranës kanë parashikuar uljen e papunësisë në kryeqytet dhe zbatimin e projekteve sipas afateve të përcaktuara, disavjeçare. Bashkia e Tiranës synon hapjen e vendeve të reja të punësimit për qytetarët që jetojnë në kushte të vështira ekonomike dhe që nuk kanë asnjë mundësi jetese. Bashkia e Tiranës parashikon që 132 mijë vende pune të hapen në sektorin privat dhe 68 mijë në sektorin publik. Gjithçka është bërë e ditur nga specialistët e Bashkisë gjatë prezantimit të Planit Rregullues të Tiranës, i cili u miratua me shumicë votash në Këshillin Bashkiak të Tiranës dy ditë më parë. Sipas studimeve të fundit që janë kryer nga autoritet shtetërore, papunësi në vend ka arritur në nivele të larta dhe nëse do të arrihet punësimi i 200 mijë personave, presupozohet që të zbutet kriza e papunësisë në kryeqytet.
Papunësia
Papunësia në vend kap shifra tepër të larta dhe niveli ekonomik i familjeve është i ulët. Për këtë arsye, Bashkia nëpërmjet projekteve të saj synon të ulë nivelin e varfërisë dhe të rrisë shkallën e punësimit. Numri i të papunëve në kryeqytet shkon në shifrat e 20 mijë personave. Të gjithë këta persona jetojnë në kushte të vështira ekonomike dhe nuk kanë asnjë pjesëtar të familjes në punë ose mbahen vetëm me një rrogë mujore minimale. Të dhënat publikohen nga institucionet zyrtare, të cilat bëjnë të ditur se numri i punëkërkuesve të papunë janë kryesisht të moshave mbi 45 vjeç. Për këtë kategori, papunësia mbetet në nivele të larta dhe personat janë kryesisht përfituesit nga skemat e ndihmës ekonomike dhe pagesës së papunësisë. Mundësia për të punësuar nga kjo grupmoshë është shumë e vogël. Shkaqet vazhdojnë të jenë profesionet që ka ky grup, të cilat, ndryshe nga profesionet e reja, nuk u përgjigjen kërkesave të tregut të punës. Sipas statistikave, 2 për qind e punëkërkueseve të papunë të regjistruar janë me arsim të lartë ku dominojnë arsimtarët, ekonomistët, agronomët, ushtarakët, inxhinierët gjeologë dhe të minierave. 11 për qind janë teknikë dhe specialistë të mesëm: ndërtimi, autoservisi, konfeksionesh, ekonomistë të mesëm etj., 49% janë punëtorë: të bujqësisë, industrisë përpunuese, ndërtimit. Ndërsa 38 për qind janë pa profesion, kontingjente të ndihmës ekonomike dhe pjesëtarë të familjeve më në nevojë.
Mënyra
Bashkia e Tiranës ofron disa mënyra punësimi për banorët në njësitë bashkiake. Kështu, strategjia e Ministrisë së Punës, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, vendosën që ndihma ekonomike të kushtëzohet me punë në komunitet. Në këtë mënyrë, shpenzimet për shpërndarjen e ndihmës ekonomike nuk do të jepen për aq kohë sa qytetarët do të shpërblehen në bazë të punës që do të kryejnë. Kompensimi i dhënies së parave me punën në komunitet mundëson dhe punësimin e atyre qytetarëve që nuk kanë mundësi të gjejnë punë. Projektet për kushtëzimin e kësaj ndihme me punë apo shërbime në komunitet mund të jenë me kohë të plotë pune ose me kohë të pjesshme pune, për disa ditë në muaj. Bashkitë apo komunat përcaktojnë fushat dhe përparësitë ku do të zbatohen projektet për punë komunitare apo për shërbime shoqërore. Masa e pagesës së personave, pjesëmarrës në projektet e punëve e të shërbimeve në komunitet, me kohë të plotë pune, nuk duhet të jetë më e vogël se paga minimale në shkallë vendi. Ndërsa fondet e nevojshme për pagesën në këto projekte sigurohen nga fondi i ndihmës ekonomike që llogaritet sipas strukturës së familjeve që marrin pjesë në këto projekte. Por ata nuk do të përfitojnë më shumë se 7.000 lekë në muaj. Reformat e parashikuara për vitet e ardhshme, për rritjen e nivelit të punësimit synojnë në përmirësimin e mjedisit për biznesin, investimet e mëdha në infrastrukturë e në përdorimin e burimeve energjetike, minerare e mjedisore, prioritetet për zhvillimin e turizmit, por edhe bujqësisë dhe agroindustrisë, si dhe nxitja e investimeve të huaja. Këta janë disa nga faktorët kryesorë që do të kontribuojnë në rritjen ekonomike dhe, rrjedhimisht, edhe në krijimin e vendeve të reja të punës.

Rama reagon ndaj bllokimit 1- vjeçar të Planit Rregullues

Një ditë pasi Këshilli Bashkiak shqyrtoi dhe i kaloi për miratim Këshillit të Rregullimit të Territorit planin rregullues të Tiranës, kryebashkiaku Edi Rama bëri përgjegjëse qeverinë, e cila sipas tij mbajti të bllokuar planin dhe e përdori atë për propagandë të ulët. Sipas tij, qeveria mbajti peng për 1 vit Planin Rregullues të Tiranës, për qëllime personale. “Pasi e mbajtën planin një vit në sirtar për të bërë propagandën e ulët se nuk ka plan dhe njëkohësisht për të kafshuar ato zona të planit që janë paraparë si pjesë e hapësirës metropolitane, dje e miratuan në Këshillin Bashkiak. Por të shikojmë se sa oreksi i familjes, do të ndikojë në miratimin përfundimtar”,- u shpreh Rama. Deklaratat e kryebashkiakut u bënë gjatë inspektimit të punimeve në bllokun 51 në Tiranë, ku Bashkia e kryeqytetit me një fond prej afro 250 milion lekësh po ndërhyn për rehabilitimin e kësaj zone. Në bllokun 51 në kryeqytet Bashkia do të bëjë një investim kompleks që përfshin zgjerimin e rrugëve, shtrimin e trotuareve me pllaka , si dhe ndërtimin e shesheve të parkimit, sistem të ri kolektorësh si dhe sistem të ri ndriçimi. Punimet për rikonstruksionin e infrastrukturës në bllokun 51 (kufizuar nga rrugët “Jordan Misja”-Unaza-“Don Bosko”) janë drejt përfundimit. “Janë 54 hektarë “kandahar” që po kthehen në 54 hektarë të Tiranës evropiane dhe që po integrohen me hapësirën e zhvilluar dhe në zhvillim të kryeqytetit, që pavarësisht pengesave primitive, pavarësisht politikës së mbrapshtë dhe të pabesë qeveritare, pavarësisht dritëshkurtësisë dhe babëzisë së atyre që sot qeverisin vetëm për interesat e familjes së Kryeministrit, do të vazhdojë të transformohet dhe do të vazhdojë të kthehet në një qytet ku të gjithë nga qendra deri në periferinë më të largët do të ndihen realisht pjesë e një rruge të përbashkët drejt Europës dhe do të ndihen realisht pjesë e një historie transformimi që është historia e sotme bashkëkohore e kryeqytetit”, - theksoi Rama. Gjerësia e rrugëve ekzistuese brenda bllokut varijon nga 3 deri në 9 metra. Projekti i rehabilitimit të bllokut nr. 51 ka parashikuar edhe shtrimin e trotuareve me pllaka beton vetështrënguese, si element dekorativ.
Përsa i përket çështjes së parkimit, është pasur parasysh nevoja në rritje për sheshe parkimi në zonë dhe për këtë arsye në hartimin e projektit të zbatimit është parë mundësia e ndërtimit të shesheve të parkimit publik shtesë, për banorët e zonës. Këto janë vendosur të ndërtohen atje ku ka pasur mundësi dhe ka sheshe të lira. Njëkohësisht është parashikuar ndërtimi i një rrjeti të ri kolektorësh dhe pusetash për ujërat e shiut dhe të KUZ, që janë të ndarë brenda bllokut dhe bëhen mikse tek pikat e shkarkimit në rrugën “Don Bosko”.

28 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›