E Diel, 1 Nëntor 2026

Arkiva britanike/Dorëzimi i Abaz Kupit. Anglezët: Si u shkatërruan nacionalistët dhe ardhja e komunistëve në pushtet



(Vijon nga numri i kaluar)

Vendimi për të mos u siguruar nacionalistëve mbështetje materiale apo propagandistike ishte dhe goditja vdekjeprurëse ndaj kauzës së tyre. Të dëbuar nga pjesa më e madhe e territorit që ata kontrollonin më parë, të gjendur në luftë, si kundër Frontit Nacional Çlirimtar (FNÇ), ashtu edhe kundër gjermanëve, pa të drejtën për të hyrë në Mirditë, pasi ndaloheshin nga Gjon Markagjoni nëse ata nuk paguanin, dhe të paaftë për të siguruar më ndihmë nga tregtarët e Tiranës, nacionalistët u gjendën në një krizë së cilës nuk do t’i mbijetonin. Ndoshta do të ishte plotësisht e vërtetë të thuhej se nga ky moment asgjë nuk ishte më e vlefshme, me gjithë ndikimin e tyre të vogël që gëzonin ende, pavarësisht zbarkimit të trupave britanike të përgatitura për t’i mbrojtur nacionalistët, të paktën nga forcat e Frontit Nacional Çlirimtar. Por, kjo shpresë e fundit u shua kur u detyruam të refuzonim një kërkesë të Abaz Kupit, në kohën e zbarkimit në Sarandë, për t’i ardhur në ndihmë të drejtpërdrejtë në operacionet në Durrës dhe në rrugën Tiranë-Shkodër. Më vonë, pasi ai e kuptoi që largimi ynë ishte tashmë i përcaktuar, ai filloi të shpërndante trupat e tij, një vendim për të cilin ne ishim këshilluar ta përkrahnim, duke mos qenë në gjendje t’i mbante ata në mënyrë të pavarur dhe njëkohësisht, duke refuzuar të kërkonte mbështetje nga kolaboracionistët e mbetur.

Dorëzimi dhe arratisja e Abaz Kupit

Më 12 tetor, Kupi zmbrapsi një sulm të forcave gjermane kundër bazës sonë në Velesh (Veljes) dhe pak ditë më pas, së bashku, marshuam drejt ultësirës bregdetare, pranë grykës së lumit Mat, në pritje të evakuimit. Ndërkohë mbërritën lajmet për një sulm të forcave Nacional Çlirimtare kundër forcave të Muharrem Bajraktarit dhe Gani Kryeziut, për arrestimin e Seitit dhe majorit Simcox dhe vrasjen e Fundos. Lëvizja nacionaliste tashmë kishte pushuar së qeni si një ekzistencë e organizuar. Kupi vazhdoi me shpërndarjen e forcave të tij dhe, kur ky proces kishte arritur një pikë të caktuar, ai na kërkoi të organizonim largimin e tij. Autorizimi që duhej për këtë nuk po mbërrinte, prandaj e këshilluam të siguronte një varkë dhe të largohej vetë, diçka që ai e realizoi me sukses, pa ndihmën tonë. Më 28 tetor, i gjithë misioni u largua me sukses përmes detit.

Lufta civile në Shqipëri tashmë ka përfunduar dhe çdo gjë tani ishte në dyshim nëse Fronti Nacional Çlirimtare do të pengohej për të mos ardhur në pushtet. Forcat politike dhe ushtarake të nacionalizmit të vjetër janë përmbysur dhe udhëheqësit e tyre janë ose në mërgim, ose robër të Forcave Nacionalçlirimtare, ose në arrati. Legjenda e njerëzve të tillë, si Kupi, do të jetojë në male dhe njerëz të rinj mund të shfaqen; madje, edhe nga brenda radhëve të Frontit Nacional Çlirimtar për të shfrytëzuar pakënaqësinë. Zemërimi ndaj regjimit të ri mund të rritej në mesin e Gegëve dhe ndoshta mund të ketë shpërthim të revoltave, por e tërë historia e Shqipërisë tregon se për sa kohë qeveria mbështetet vetëm në ndihmën e huaj, dhe Fronti Nacional Çlirimtar duket se ka shumë miq në Beograd, edhe pse, ndoshta jo më në mënyrë të hapur, një lëvizje opozitare nuk mund të rritet nëse nuk mbështetet nga jashtë. Fakti thelbësor është se një revolucion po ndodh dhe Shqipëria ka siguruar një kastë të re udhëheqësish dhe një orientim të ri të politikës së jashtme.

Mendja ka një prirje të natyrshme për të diktuar një motiv të caktuar lidhur me ngjarjet dhe nuk është e lehtë të vendosësh në një linjë të përbashkët të gjitha këndvështrimet e oficerëve britanikë, të cilët, në mënyrë të pashmangshme, e lidhin problemin shqiptar me luftën kundër Gjermanisë, dhe pikëpamjet e shqiptarëve, që natyrshëm dhe në mënyrë të njëllojtë, i lidhin të gjitha zhvillimet e luftës kundër Gjermanisë me revolucionin që po zhvillohet në vendin e tyre.

Duke shprehur pikëpamjet tona deri në një farë mase, kjo ndoshta u ka dhënë mundësinë shqiptarëve të flasin për veten dhe të arrijmë një përfundim me tre thënie të nxjerra nga bisedat personale me udhëheqësit nacionalistë:

1 - "Duhet ta dini që janë vetëm tri parti politike në Shqipëri; agjentët e Gjermanisë, agjentët e Anglisë dhe agjentët e Rusisë. Por, ajo që asnjëri nga ne nuk e kupton është përse agjentët e Rusisë paguhen nga anglezët". - Ramadan Kaloshi nga Dibra.

2 - "Duhet të mbani mend, zoti kolonel, se ne shqiptarët jemi gjithë çka është e ligë; ne jemi të varfër, ne jemi të paditur, ne jemi të vegjël". - Islam Elezi nga Dibra.

3 - "Ndoshta është thjesht e drejtë që ata (Fronti Nacional Çlirimtar) të marrin pushtetin. Ne gegët i kemi shfrytëzuar toskët për 1000 vjet; tani është radha e tyre të na shfrytëzojnë". - Abaz Kupi.

(Vijon në numrin pasardhës)

Në numrin e ditës së enjte do të lexoni

Ditari i agjentëve britanikë për rolin e forcave të mbështesnin mbretin Zog gjatë Luftës së Dytë Botërore

Bashkëpunimi me forcat angleze në betejat kundër gjermanëve dhe dobësitë që kishin krahasuar me forcat NÇ

Për më shumë na ndiqni në numrin pasardhës

Shkrimi është marrë nga arkiva britanike e kujtimeve të oficerëve anglezë për periudhën e shërbimit të tyre në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore

28 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›