E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kosova realitet i pamohueshëm në rajon, përfundimi i mbikëqyrjes dëshmi progresi”

12-09-2012 / Gazeta 55

Konferenca “Kapitull i Mbyllur në Ballkan”, ministri i Jashtëm Panariti në Prishtinë

Fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës hap një perspektivë të re edhe për rajonin dhe integrimin në BE, deklaroi ministri i Jashtëm shqiptar, Edmond Panariti.
I pranishëm ditën e djeshme në Prishtinë, në konferencën “Kapitull i Mbyllur në Ballkan”, ministri Panariti uroi Kosovën dhe qytetarët e saj në emër të shtetit dhe qeverisë shqiptare, vetëm një ditë pas vendimit zyrtar të Grupit Drejtues Ndërkombëtar, që i dha fund mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.
“Përfundimi i pavarësisë së mbikëqyrur padyshim përfaqëson një dëshmi të progresit të gjithanshëm dhe të qëndrueshëm të Kosovës në konsolidimin e institucioneve demokratike, ndërtimin e shtetit ligjor dhe të një shoqërie multietnike, si shprehje e gjallë e aftësive dhe e kapaciteteve të klasës politike të Kosovës për të marrë në dorë tërësisht fatet e vendit”, deklaroi ministri Jashtëm Panariti.
Ndërsa u shpreh se shteti i Kosovës është një realiteti i pamohueshëm dhe faktor stabiliteti në rajon, ministri i Jashtëm Panariti theksoi se marrëveshjet e arritura deri më tani mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zbatohen pa ekuivok përshirë largimin e menjëhershëm të strukturave paralele krimininale në veri të Mitrovicës.
“Kosova e pavarur dhe sovrane tashmë është një realitet i pamohueshëm, subjekt i marrëdhënieve ndërkombëtare, një faktor i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit ne rajon. Ne dëshirojmë dhe urojmë që marrëveshjet e arritura deri tani, në 9 raunde bisedimesh teknike, të zbatohen sa më shpejt, pa ekuivok dhe me efikasitet, përfshi këtu dhe largimin njëherë e përgjithmonë të strukturave paralele kriminale që pengojnë lirinë e lëvizjes në veri të Kosovës”, theksoi ministri Panariti.
Gjatë konferencës, kryediplomati shqiptar theksoi ndër të tjera se, “heqja e pavarësisë së kushtëzuar hap një perspektivë të re për Kosovën dhe gjithë rajonin, duke u bërë promotore e një zhvillimi të vrullshëm për Kosovën dhe rajonin dhe integrimin e tij në Bashkimin Evropian”.
 Në konferencë morën pjesë personalitete nga Kosova, Shqipëria por dhe nga vendet që kanë mbështetur Kosovën në rrugën e saj drejt pavarësisë dhe më tej. Të pranishëm ishin: Presidentja e Kosovës, Ahtifete Jahjaga, Kryeministri Hashim Thaçi, Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Edmond Panariti, ish Presidenti i Finlandës Marti Ahtisaari, ish-ambasadori Amerikan Frank Uisner, etj. Konferencën e përshëndeti me videolink edhe ish-presidenti amerikan Bill Klinton.
Ndërkohë pas konferencës në Prishtinë, ministri Panariti  zhvilloi një takim me homologun e tij kosovar, Enver Hoxhaj. 
Zyra e shtypit e MPJ-së bëri të ditur se  Panariti e uroi homologun Hoxhaj për përfundimin me sukses të procesit të pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës, i cili është një dëshmi e konsolidimit të institucioneve demokratike të Kosovës dhe shtetit të së drejtës. Ai i konsideroi të shkëlqyera marrëdhëniet politike ndërmjet të dy shteteve dhe shtroi nevojën për konsolidimin e mëtejshëm të tyre, në të gjitha fushat, si atë ekonomike, kulturore, sociale, etj.  
Duke iu referuar situatës së brendshme në Kosovë, ministri Panariti theksoi mbështetjen e vendosur të qeverisë shqiptare për ushtrimin e plotë të sovranitetit në tërë territorin e Kosovës. Ai përshëndeti ecurinë pozitive të procesit të integrimit të Kosovës në rajon, në strukturat evropiane dhe euro-atlantike.
Nga ana e tij, ministri Hoxhaj e vlerësoi këtë vizitë si të parën e një zyrtari të lartë shtetëror pas përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur. Ai e falënderoi homologun Panariti për kontributin që ka dhënë shteti dhe qeveria shqiptare në mbështetje të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe në procesin e njohjeve ndërkombëtare të saj. Të dy ministrat shtruan nevojën e koordinimit të mëtejshëm të aktiviteteve ndërinstitucionale në përgjithësi dhe ndërmjet ministrive të Punëve të Jashtme në veçanti, në funksion të bashkëpunimit dypalësh dhe proceseve integruese rajonale dhe më gjerë. 
Duke iu referuar bashkëpunimit ekonomik, të dy ministrat ranë dakord për mbledhjen në vjeshtë të Komisionit të Përbashkët Dypalësh, si dhe për hartimin e kuadrit ligjor përkatës. 
Ministri Panariti e siguroi homologun kosovar se qeveria dhe populli shqiptar do t’i qëndrojnë gjithmonë në krah qeverisë dhe popullit kosovar në përpjekjet për prosperitet, konsolidimin e demokracisë dhe integrimin në strukturat evropiane dhe euroatlantike

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›