Haxhinasto: Mediat të shmangin spekulimet, vendimi pas shqyrtimit të ofertave
Privatizimi i “Albpetrolit”
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Edmond Haxhinasto kërkoi dje që shmangen spekulimet për shitjen e Albpetrol-it, pasi procesi është në fazën e shqyrtimit të ofertave dhe pas kësaj do të merret vendimi për kompaninë fituese.
“Komisioni do shqyrtojë ofertat e kompanive. Pas shqyrtimit të ofertave të kompanive do merret vendimi”, u shpreh Haxhinasto.
Këto komente, ministri i METE i bëri gjatë inspektimit në HEC-in e Ashtës. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës bëri të ditur një ditë më parë se Komisioni i Posaçëm për Vlerësimin e Ofertave për Ankandin e Privatizimit të aksioneve të “Albpetrol” sh. a., po shqyrton dhe vlerëson të gjithë dokumentacionin e paraqitur nga kompanitë pjesëmarrëse në ankandin e privatizimit të aksioneve të kompanisë Albpetrol sh. a., Gjithashtu, me përfundimin e këtij procesi shqyrtimi dhe në konsultim të vazhdueshëm me firmën amerikane të konsulencës Patton Boggs, do të bëhet edhe vlerësimi final për sa i takon ofertave të paraqitura në këtë ankand.