“Privatizimi i Albpetrolit, procesi më transparent dhe më i suksesshëm i shitjes së pasurive publike”

Flet Eno Bozdo, zëvendësministër i METE
Në një prononcim për mediat, zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Eno Bozdo ka deklaruar procesi i privatizimit të kompanisë shtetërore “Alpetrol” dhe 4 HEC-eve është tërësisht transparent dhe se strategjia e opozitës është të rrënojë nisma e reformat e qeverisë “Berisha” me akuza pa prova. Ndërsa për garancinë e ofertave të kompanive në garë, zëvendësministri i Ekonomisë Bozdo është shprehur se duhet t’i japim kohë komisionit të vlerësojë ofertat e paraqitura, nga 20 kompani që kanë marrë informacion dhe formularët e paketës së privatizimit, 6 kompani ndërkombëtare kanë shprehur një ofertë financiare dhe teknike.
“Komisioni i vlerësimit të ofertave ka pranuar ofertat dhe ofertat janë qindra faqe të plotësuara nga secila kompani. Të gjitha ofertat duan kohën e duhur për t’u verifikuar. Ofertat po verifikohen nga Komisioni i vlerësimit të ofertave dhe kjo është qershia mbi tortë e gjithë procesit të privatizimit”, deklaroi zëvendësministri Bozdo.
Në lidhje me shqetësimet se ndoshta po vonohet shpallja e fituesve të garës së privatizimit të kompanisë “Alpetrol”, zëvendësministri i METE, Bozdo ka theksuar se, “nuk ka dhe nuk mund të ketë vonesë të procesit që ka vetëm tre ose katër ditë. Më besoni apo jo, edhe unë që jam zëvendësministër nuk kam aksesin e nevojshëm apo të mjaftueshëm brenda komisionit të ofertave, sepse ata janë persona që punojnë në një stres të caktuar, që punojnë një formule të caktuar dhe duan që të mbarojnë punën e tyre. Mund të ketë dhe kohë shtesë në mënyrë që arrihet në një përfundim dhe për të lejuar pastaj komisionit të nxjerrë fituesin zyrtar të kësaj gare. Ky proces privatizimi është shumë kompleks, ky proces ka nisur një vit e gjysmë më parë, që nga përgatitja dhe vlerësimi i aseteve, si dhe joshja e investorëve, duke ofruar materialin shkresor sa më korrekt e transparent tek investitori. Kemi të bëjmë me një proces ku akses dokumentacioni kanë pasur 20 kompani, që kanë shprehur interes dhe janë ofruar 7 kompani, ku 6 prej të cilave janë marrë parasysh dokumentet. Proces, i cili, kurrë më parë është realizuar me kaq transparencë, plotësi dhe gjerësi, që ka pikëpamja teknike procedural kemi qenë thellësisht të suksesshëm. Tashmë duhet të presim, ti japim kohën e mjaftueshme komisionit, i cili arrin në rezultate pjekura se cila nga kompanitë ka ofertën përkatëse financiare dhe teknike që meriton të privatizojë këtë aset”, deklaroi zëvendësministri i METE, Bozdo.
Zëvendësministri i Ekonomisë ka reaguar zyrtarisht në lidhje me garancinë financiare dhe teknike të ofertave apo eksperiencës në fushën e hidrokarbureve të kompanisë ofertuese.“Përgjigja zyrtare e Ministrisë është t’i japim kohë duhur komisionit të arrijë në një vlerësim sepse kemi dhe një konsulent ndërkombëtar, dhe kemi të bëjmë më vendimmarrje transparente nga Këshilli i Ministrave. Dhe gjithçka do të jetë transparente në kohën e duhur”, reagoi zëvendësministri Bozdo.
Gjithashtu zëvendësministri i METE, Bozdo ka nënvizuar se procedura për privatizimin e kompanisë shtetërore “Alpetrol” ka qenë e publikuar prej 8 muajsh për të gjithë investitorët, publikun e median.
“Draft-kontrata për privatizimin e Alpetrolit është lehtësisht e aksesueshme për të gjithë ata të interesuar dhe kanë dhe instrumentet për të pasur akses. Ka 8 muaj që është e publikuar dhe nuk mund të ecim përpara me deklarata e opozitës se proceset e privatizimit janë të korruptuara” nënvizoi zëvendësministri i Ekonomisë, Bozdo.
Sipas tij, asetet publike që kemi sot i përkasin të gjithë shqiptarëve. Çdo privatizim në mesë të vogël ose të madhe u kthehet qytetarëve dhe për çdo privatizim opozita ka hedhur dyshime apo thashetheme. Në një klimë të ndezur politike, ku ka acarime dhe deklarata se nuk do të njohim asnjë kontratë apo koncesion shërben për të trembur investitorët sidomos ato europian që janë shumë të ndjeshëm ndaj deklaratave politike.