E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakti detar, PS: Të vazhdojë seanca dëgjimore me Panaritin

Partia Socialiste i ka kërkuar Komisionit të jashtëm vazhdimin e seancës dëgjimore me Ministrin e Punëve të Jashtme, Emond Panariti lidhur me ecurinë e procesit të delimitimit të shelfit kontinental në Korfuz e në detin Jon. Në një letër drejtuar komisionit të jashtëm, deputetja e PS-së Arta Dade, njëkohëshisht edhe nënkryetarja e këtij komisioni thekson se kjo është e domosdoshme pasi sipas saj seanca e parë dëgjimore u mbyll në mënyrë arbitrare.
 

“Në zbatim të nenit 36 dhe 80 të Rregullores së Kuvendit, në emër të opozitës kërkojmë thirrjen urgjente të Ministrit të Punëve të Jashtme në një seancë dëgjimore për vazhdimin e shpjegimeve nga ana e Ministrit të Punëve të Jashtme lidhur me ecurinë e procesit të delimitimit të shelfit kontinental në Korfuz e në detin Jon. E vlerësoj gadishmërinë e Ministrit të Punëve të Jashtme për t`ju përgjigjur pozitivisht kërkesës së opozitës. Shpreh keqardhjen që Ministri nuk u lejua nga ana Juaj që të vazhdonte përgjigjen e pyetjeve të deputeteve të Komisionit të Jashtëm, anëtarë ose jo të Grupit Parlamentar të PS. Kjo është e domosdoshme sepse seancë e parë dëgjimore u mbyll në mënyrë arbitrare nga ana Juaj” thuhet në letrën e PS-së.
 

Gjithashtu PS-ja thekson se nëse nuk do të përmbushet kjo kërkesë atëherë opozita do të hedhë edhe hapat e tjera që parashikon edhe rregullorja e Kuvendit.
 

“Nëse Ju do të refuzoni ta përmbushni këtë kërkesë në mënyrë urgjente opozita do të hedhë hapat që parasheh Rregullorja e Kuvendit nisur nga misioni kryesor që ka Komisioni i Jashtëm për të monitoruar punën e Ministrisë së Jashtme e në veçanti për çështje që cënojnë interesat madhore të vendit, integritetin tërësor territorial dhe për rrjedhojë kanë krijuar impakt shqetësues tek shtetasit e Republikës sëe Shqipërisë” përfundon letra e PS-së.

.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›