E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Tirana, ndihmë Mitrovicës për shtëpitë e dëmtuara nga lufta

12-09-2012 / Gazeta 55

Nisma “Ndihmo dhe ti” për meremetimin e shtëpive të dëmtuara gjatë luftës

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka deklaruar se  do t’i bashkohet nismës së komunës së Mitrovicës, “Ndihmo dhe ti”, e cila ka për qëllim mbledhjen e fondeve për meremetimin e shtëpive të dëmtuara gjatë luftës, në veri të Mitrovicës dhe kthimin në pronat e tyre, të të gjithë qytetarëve, pa dallim përkatësie etnike.
Në takimin me Kryetarin e komunës së Mitrovicës Avni Kastrati, Kryetari i Bashkisë Basha theksoi se do i propozojë Këshillit Bashkiak, akordimin e një ndihme financiare për këtë qëllim, sikundër u angazhua për të sensibilizuar edhe njësi të tjera të qeverisjes vendore në Shqipëri, për t’iu bashkuar kësaj nisme.
Nga ana e tij, kryetari i komunës së Mitrovicës Kastrati theksoi se fondi i mbledhur deri tani nga qytetarët e Kosovës është rreth 2 milionë euro.
“1023 është numri i pronave që kërkon ndërhyrje”, theksoi Kastrati.
Duke nisur nga viti i ardhshëm, të gjithë komunat e Kosovës do të ndajnë 5 për qind të buxhetit të tyre për këtë projekt”, u shpreh Kryetari i komunës së Mitrovicës.
Gjithashtu kreu i Bashkisë Tiranë, Basha e ka vlerësuar këtë nismë si mjaft pozitive, ndërsa ka nënvizuar se çdo përpjekje për të ndarë qytetin, është e papranueshme dhe nuk i shërben stabilitetit në rajon. ndër të tjera, qytetari i parë i Tiranës nënvizoi domosdoshmërinë e intensifikimit të bashkëpunimit me komunën e Mitrovicës por edhe komuna të tjera shqiptare në rajon.
“Kësaj do t’i kontribuojë, u shpreh Basha, edhe Asambleja e të zgjedhurve vendore shqiptarë, e cila do të mblidhet së shpejti”. 
Kjo asamble ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit dhe komunikimit mes bashkive dhe komunave shqiptare, i cili do të jetë vlerë e shtuar në procesin e anëtarësimit të rajonit, në strukturat euroatlantike.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›