E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova, rezolutë për rendin në Veri

Parlamenti i Kosovës debatoi në një seancë të jashtëzakonshme për gjendjen e në veriun e Kosovës. Duke folur para deputetëve, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, tha se nuk do të ketë kthim prapa dhe qeveria e tij është e vendosur të çojë deri në fund synimet e saj për të vendosur rendin e ligjin në gjithë Kosovën.“Ruajtja e qetësisë, sigurisë dhe tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës është detyra jonë parësore. Për këto parime nuk do të ketë kompromis”,- tha kryeministri Thaçi. Me shumicë votash , Parlamenti miratoi një rezolutë me të cilën i jepet mbështetje qeverisë, për vendosjen e rendit në veri, ndërsa i bëhet thirrje pranisë ndërkombëtare të luajë rolin e saj në ruajtjen e sovranitetit të Kosovës. Njësitë e posaçme të policisë së Kosovës, filluan të hënën në mbrëmje një operacion për vënien nën kontroll të dy vend kalimeve kufitare në veriun e banuar me shumicë serbe. Operacioni u urdhërua nga qeveria e Kosovës në përpjekje për të zbatuar vendimin për ndalimin e importeve nga Serbia i cili nuk po zbatohej në atë pjesë të Kosovës ku nuk funksionojnë doganat e vendit. Një pjesëtar i policisë u vra në një sulm të armatosur ndaj njësive të posaçme në afërsi të Zubin Potokut, një nga komunat veriore me shumicë serbe. Operacioni i policisë nuk u mbështet nga zyrtarët e Bashkimit Evropian të cilët thanë se ai u ndërmor pa këshillime paraprake me ta.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›