E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova rikthehet në Superligë

Pas Feronikelit, edhe Kosova e Vushtrrisë ka arritur që të rikthehet në Superligë.

Bardhekaltrit në ndeshjen e xhiros së fundit të Ligës së parë të Kosovës kanë mposhtur Ferizajn me rezultat 3:1, duke e siguruar kështu rikthimin në elitën e futbollit kosovar, pas dy viteve, me 53 pikë të tubuara.

Vushtrriasit nuk e kanë pasur edhe aq lehtë përballë ferizajasve, të cilët kaluan të parët në epërsi me golin e Haxhimuasës në minutën e 33’të. Mirëpo, vetëm dy minuta më vonë, vushtrriasit barazuan nëpërmjet Xhevdet Muriqit për 1:1.

Të vetëdijshëm për rëndësinë e fitores, vendasit kërkuan golin e avantazhit edhe këtë e arrirën pesë minuta pa përfunduar pjesa e parë nëpërmjet Besart Veselit.

Edhe në pjesën e dytë, vushtrriasit ishin të pandalshëm dhe në minutën e 68’të shtuan epërsinë në 3:1, nëpërmjet Armend Zabërxhës, gol ky i fundit në këtë takim.

Ndërsa skuadra e Hajvalisë, e cila ka përfunduar sezonin në vendin e tretë me 48 pikë, do ta ketë një mundësi që të inkuadrohet në elitën e futbollit kosovar, pasi do të luajë ndeshjen e barazhit me skuadrën që përfundon në vendin e dhjetë në Superligë.

Skuadrat e mundshme më të cilat mund të takohet janë Lepenci, Trepça dhe Liria, mirëpo kjo do të bëhet e ditur vetëm të dielën, pas përfundimit të javës së 33-të.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›