E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kosova, rol aktiv në Kartën e Adriatikut”

06-12-2012 / Gazeta 55

Ministri Panariti në ditën e parë të punimeve të Ministerialit të NATO-s

Gjatë diskutimeve në ditën e parë të punimeve të Takimit të Ministrave të Jashtme të NATO-s, Ministri Panariti iu referua marrëdhënieve të kësaj organizate me vendet e Ballkanit Perëndimor. Ai vuri në dukje se Shqipëria mbështet fuqimisht integrimin e të gjitha vendeve të rajonit në NATO dhe se kjo organizatë duhet të ndjekë një politikë të dyerve të hapura me vendet e lartpërmendura, pasi ajo do të kontribuojë fuqimisht në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal. Duke mbështetur integrimin e shpejtë të Kosovës në NATO, Panariti kërkoi njohjen e progresit të Kosovës në drejtim të ndërtimit dhe konsolidimit të institucioneve demokratike dhe krijimit të një shoqërie multietnike ku mbizotëron tolerancë dhe mirëkuptim i ndërsjellë. Ai përshëndeti dialogun e nivelit të lartë mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë për zgjidhjen e çështjeve me karakter teknik, duke e konsideruar njëkohësisht të mbyllur njëherë e përgjithmonë çështjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Në këtë kuadër, ai kërkoi që Beogradi të heqë dorë nga mbështetja dhe financimi i strukturave paralele në veri të Kosovës. Duke iu referuar marrëdhënieve të Kosovës me NATO-n, Ministri Panariti kërkoi rritjen e rolit aktiv të saj në kuadrin e Kartës së Adriatikut. Më tej, ai vuri në dukje se Forca e Sigurisë së Kosovës është kthyer në një forcë profesioniste dhe multietnike që i shërben të gjithë qytetarëve të Kosovës. Gjatë pjesëmarrjes në këtë ministerial Panariti zhvillon një takim dhe me homologun e tij francez, Laurent Fabius. Ministri Panariti vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy qeverive, si dhe mbështetjen që Franca i ka dhënë Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian. Ministri Fabius, pasi e uroi homologun shqiptar për 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, përshëndeti progresin e arritur në vend në kuadrin e procesit të integrimit evropian, i cili u evidentua edhe në raportin e Komisionit Evropian. Duke e siguruar Ministrin Panariti për mbështetjen që Franca do të vazhdojë t’i jap Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit evropian, z. Fabius inkurajoi plotësimin në një kohë sa më të shpejtë të të gjitha kërkesave të mbetura nga paketa e rekomandimeve për marrjen e statusit të vendit kandidat. Gjithashtu, Ministri Panariti, pati dhe një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, z. Anders Fogh Rassmusen. Ministri Panariti vuri në dukje angazhimin e qeverisë shqiptare për të qenë një anëtare aktive e NATO-s. Nga ana e tij, Rassmusen vlerësoi kontributin që jep Shqipëria nën komandën e NATO-s, në drejtim të ruajtjes së paqes dhe sigurisë në vende të ndryshme. 
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›