E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova shton masat ndaj gripit të derrave

Instituti i Shëndetit Publik në Kosovë u ka kërkuar të gjitha institucioneve shkollore që të bëjnë dezinfektimin e shtuar të të gjitha sipërfaqeve dhe nyjeve sanitare në shkolla.

Ky institut po ashtu ka rekomanduar raportimin e mungesës së nxënësve me qëllim të vëzhgimit më të mirë të ecurisë së gripit pandemik AH1N1.

Këto masa merren pas paraqitjes së tri rasteve të reja në mjediset e banuara me serbë.

Në mesin e të diagnostikuarve me gripin pandemik është edhe një vajzë 13 vjeçare nga Gracanica, e cila ishte sëmurë gjatë një ekskursioni të nxënësve në Serbi.

Sipas një komunikate të Ministrisë së Shëndetësisë, këto rekomandime të Institutit të Shëndetit Publik vijnë duke pasur parasysh grumbullimin e madh të nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës dhe situatës epidemiologjike në vend.

Numri i të sëmuarve me gripin e derrit në Kosovë deri tani ka shkuar në nëntë, por gjendja e pacientëve thuhet të jetë e mirë dhe e qëndrueshme.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›