Kosova, sipas “Foreign Policy”

Në kohën e festimit të përvjetorit të tretë të pavarësisë, Kosovës i vjen shkrimi më i rëndë ndërkombëtar. Është revista prestigjioze “Foreign Policy” e SHBA’së, që në numrin e saj më të ri vendos në ballinë shkrimin e gjatë me titullin “Banditokracia”.
“Mendoni se Mubaraku ishte i keq? Liderët e Kosovës akuzohen për trafikim organesh e tregti me drogë. SHBA-ja mbyll sytë”, është pasusi i parë i shkrimit nga Whit Mason dhe Bronwyn Healy- Aarons.
Aty fillimisht përshkruhet fakti se si Kosova në këta tre vjet “nuk ka kodin e saj postar as telefonik, nuk mund të ketë një IP adresë të veten, sportistët e saj nuk marrin pjesë në ngjarje sportive ndërkombëtare, mijëra trupa të NATO’s ende shërbejnë si paqeruajtës, kosovarët mund të udhëtojnë pa viza në vetëm 5 shtete, duke përfshirë Haitin dhe me vetëm 75 njohje nga 192, Kosova mbetet një shtet gjysmë-sovran”.
Çështja kryesore që ngrit ky shkrim është përkrahja që u jep SHBA-ja liderëve autokratë kudo në botë.
“Teksa SHBA përballej me pafuqinë (ose frikën nga përzierja) për të pasur ndikim në largimin e regjimeve në Tunizi dhe Kajro, në fakt ajo e ka fuqinë për të ndikuar në ndryshime dhe për të promovuar një qeverisje më transparente dhe të përgjegjshme në Prishtinë – ku një grup i liderëve banditë, pasardhës të UÇK’së, që akuzohen për krime lufte e tregti me armë, tash po e udhëheqin këtë vend”, shkruan FP.