E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët serbë në veri të Mitrovicës me telashe të mëdha

Nga Express më 19 shkurt 2011 në ora 19:44

Në 10 fakultetet e të ashtuquajturit Universitet serb me seli në veri të Mitrovicës, mësimet i vijojnë rreth 11 mijë studentë, prej të cilëve 9 mijë janë të rregullt, ndërsa 2 mijë për shkak të kushteve të këqija, por edhe vendimeve të tyre personale janë joaktivë.

Para pak kohësh është zhvilluar një hulumtim me temën “Si të përmirësohet jeta studentore në qytet”, me ç’rast janë anketuar shumë studentë nga fakulteti juridik, ekonomik, filozofik, shkencave teknike, mjekësisë dhe fakulteti i shkencave natyrore-matematikore.

Ideja është iniciuar nga ana e Iniciativës Studentore me ndihmën e bankës botërore, me qëllim të konstatimit se në ç’mënyrë dhe me çfarë problemesh ballafaqohen studentët në veri të qytetit buzë Ibrit.

Me këtë rast janë konstatuar të dhëna zhgënjyese sa i përket hapësirave dhe mungesave tekniko-teknologjike brenda këtyre fakulteteve, si dhe akomodimit dhe ushqimit të tyre.

Sipas rezultateve të hulumtimit nga ana e Iniciativës Studentore në temën “Si të përmirësohet jeta studentore në qytet”, del që problemet kryesore të studentëve janë mungesa e mësimit praktik, pagesat e larta për studentë, akomodimi jo i mirë, pastaj ushqimi po ashtu etj.

Hulumtimi i realizuar në gjashtë fakultetet e këtij universiteti ka pasur për qëllim të informojë studentët, qytetarët, politikanët, përfaqësuesit e qeverisjes lokale, por edhe udhëheqjen e këtij universiteti, se me çfarë problemesh janë duke u përballur studentët në veri të Mitrovicës.

Kryetari i Iniciativës Studentore për kërkesat e studentëve të këtij universiteti, Dushan Radakoviq, ka thënë se me rastin e anketimit të studentëve të këtyre fakulteteve, kanë dalë rezultate tejet zhgënjyese nga të cilat del se mbi 95 për qind të studentëve asnjëherë nuk kanë udhëtuar askund si rezultat i ndonjë organizimi nga ana e këtij universiteti.

“Nga 400 të anketuar, këtë fat e kanë pasur vetëm 21 studentë, ndërsa rreth 80 për qind e tyre asnjëherë nuk kanë dëgjuar për ndonjë bursë që mundëson studimet jashtë vendit. Ky është një shënim që duhet të alarmojë organizatat studentore, parlamentin studentor, fakultetet, si dhe vetë rektoratin”, tha Radakoviq.

Sipas tij, janë paraparë takime me përfaqësues të fakulteteve dhe universitetit, në mënyrë që këto probleme të eliminohen, ose të paktën të zbuten. Ai pranoi se është situatë e vështirë financiare, mirëpo përkundër kësaj, ai premtoi angazhim që në një mënyrë studentëve t’u lehtësohen kushtet e studimit dhe që ato t’i ofrojnë sa më afër standardeve evropiane.

Ndërkaq, Andrea Radovanoviq, studente në vitin e parë në Fakultetin Juridik, thotë se jeta studentore në Mitrovicë për dallim nga jeta e kolegëve që studiojnë në Serbi, është jashtëzakonisht e vështirë, pikërisht sa i përket kushteve dhe kuadrit profesional.

“Jeta studentore është e vështirë, për shkak se është hera e parë që ndahem nga familja. Gjatë gjithë ditës mësoj. Nuk jam e kënaqur me daljet e natës, vendi është i vogël. Sa i përket fakultetit, më mungon mirëkuptimi i profesorëve, ndërsa Bolonja nuk aplikohet në tërësi”, tha Radovanoviq.

Në anën tjetër, edhe studentët tjerë paraqesin akuza të njëjta për kushtet të cilat u përmendën, duke shtuar se nuk është lehtë të jetojnë gjashtë studentë në një dhomë të konviktit, derisa përmendin edhe qiratë e larta nëpër shtëpitë dhe banesat private. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›