E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova, storie suksesi

(E plotësuar) Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, Kryeministri Hashim Thaçi dhe ish-presidenti finlandez, Marti Ahtisaari, njëzëri e kanë përshëndetur përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, duke e cilësuar si arritje e madhe për vendin. Ata i janë drejtuar me një fjalë rasti gjatë seancës solemne në Kuvendin e Kosovës, pas vendimit të Grupit Drejtues Ndërkombëtar.

Ish-presidenti finlandez, Marti Ahtisaari, ka thënë nga foltorja e Kuvendit të Kosovës se ai ka ardhur për të festuar të arriturat e Republikës së Kosovës.

Ahtisari: Kam ardhur për të festuar sot

“Qëndroj sot këtu para jush për të festuar përfundimin e një rrugëtimi të gjatë. Jam gjithashtu duke shënuar kështu fillimin e një rrugëtimi tjetër. Pesë vite më parë, unë Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara ua kam dhënë materialin tim, propozimin për një zgjidhje gjithëpërfshirëse për Kosovën. Ne sot festojmë miratimin e plotë të të gjitha parimeve dhe instruksioneve të inkorporuara në institucione, në procese dhe në kornizën ligjore të një shteti funksional të pavarur”, ka thënë ndër të tjera projektuesi i pavarësisë së Kosovës, Marti Ahtisari.

Për më tepër, ai ka shtuar se dijenia dhe dinamizmi diplomatik e kanë ndihmuar që Kosova të jetë e suksesshme, duke siguruar të arritura të jashtëzakonshme në historinë e Ballkanit dhe të diplomacisë së saj, si dhe në misionin ndërkombëtar.

Ahtisari ka thënë se propozimi gjithëpërfshirës ia ofron mundësinë Kosovës e stabilitetit, përparimit dhe qeverisjes se mirë, ndërkohë se a bëhet realitet a jo, sipas tij, kjo varet nga vetë kosovarët.

Ndërka,q zëvendëskryeministri i Austrisë, Michael Spindelegger, ka thënë se të gjithë kosovarët mund të krenohen me këtë ditë, duke mos lënë pa përmendur kontributin e Austrisë që ka dhënë për Kosovën gjatë këtyre viteve.

Spindelegger: Kosovarët mund të krenohen

“Kosova e ka hapur një kapitull të ri në shtetësinë e saj. Kosovarët mund të krenohen me të arriturat e tyre, gjatë këtyre pak viteve që nga shpallja e pavarësisë. Austria ka pasur mundësinë që të përcjell Kosovën në këtë rrugëtim. Sipas neve, që nga fillimi shtypjes së Millosheviqit nëpër kohët më të vështira të luftës deri te periudha e shtete formimit ne gjithherë kemi ecur pranë miqve tanë kosovarë duke ju dhënë atyre çdo mbështetje të mundshme”, ka deklaruar Spindelegger.

Ndërsa ish-ambasadori amerikan, Frank Wisner ka thënë se ka qenë pjesë e negociatave për statusin, duke e ditur që një komb kërkon pavarësinë dhe ngritjen e saj në këmbë.

Wisner: Pa Kosovën e pavarur as Ballkani nuk do të ishte i qetë

“Në vitin 2005 është kërkuar që të marrë pjesë në negociatat për statusin përfundimtar. E kam pranuar, meqë isha i vëmendshëm për respektin e jashtëzakonshëm për këtë shtet dhe për luftën e saj afatgjate të pavarësisë, aftësinë për t’u ngritur në këmbë dhe për të luftuar luftën më brutale çlirimtare dhe për t’u çliruar nga okupimi serb në ish-Jugosllavi. Mirëpo, Kosova ka qenë e rëndësishme edhe për shtetin tim, sepse sikur të mos kishte paqe këtu, nuk do të kishte paqe as në Ballkan dhe, kur nuk mund të ketë paqe në Ballkan, nuk mund të ketë as në Evropë”, tha Wisner.

Një fjalë rasti ka mbajtur edhe ish-ambasadori Wolfgang Ishinger.

Ndërkohë, kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka thënë se dita e sotme shënon një ngjarje të rëndësishme në Kosovën e pavarur. Duke shtuar se kjo fitore dhe ky rezultat i dedikohet së pari institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, por edhe miqve të saj.

Sipas tij, Kosova ka ndryshuar shumë në këto më pak se pesë vjet të pavarësisë, duke u kthyer nga një vatër krize, në një faktor paqeje e stabiliteti.

Për më tepër, ai ka shtuar se Kosova aspiron të angazhohet të jetë vend anëtar i BE-së dhe NATO-s, megjithëse gjatë këtij rrugëtimi, ajo pengohet nga obstruksionet e ndryshme.

Ai ka thënë se Kosova ka përmbushur obligimet që janë paraparë në pakon e presidentit Ahtisari, por jo edhe UNMIK-u, duke lejuar strukturat kriminale në veri të Kosovës.

Krasniqi: UNMIK-u lejoi strukturat kriminale në veri

“Ne i përmbushëm obligimet tona sipas pakos së Ahtisarit, por prezenca ndërkombëtare nuk arriti t’i përmbush obligimet në veri. Për 10 vjet i lejoi strukturat kriminale. Te ura e Ibrit mbahet një barrikadë si simbol i ndarjes e trishtimit”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka thënë se heqja e mbikëqyrjes së pavarësisë nuk nënkupton pushimin e mbështetjes ndërkombëtare për Kosovën.

Nga ana tjetër, Përfaqësuesi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Peter Faith, zyra e të cilit mbyllet përfundimisht sot, ka folur për periudhën katërvjeçare të implementimit të pakos së Ahtisarit.

Ai në gjuhën shqipe ka uruar kosovarët për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë.

Si duket edhe këtij zyrtari ndërkombëtar i ka mbetur në zemër Kosova, pasi që në një moment tha se gjithmonë do të mbeteni të zemrën time.

Faith: Gjithmonë në zemër do t’ju kem

“Ju do të jeni gjithmonë në zemrën time”, ka thënë Faith.

Ndërkohë, presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, ka thënë se sot është një ditë e shënuar për popullin tonë, për shtetin tonë sovran dhe të pavarur, të ndërtuar në parimin qytetar, në të cilin gjithë njerëzit pa dallim i realizojnë në mënyrë të barabartë të drejtat e tyre.

Jahjaga: Kosova po tregon përkushtimin për të kryer obligimet

“Kosova me përmbylljen me sukses të fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë së saj, që është sukses i yni i përbashkët, tregon se institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, janë të përkushtuar dhe të përgjegjshëm t’i kryejnë të gjitha obligimet në funksionimin e shtetit në të gjitha segmentet e punës dhe jetës”, ka thënë Jahjaga.

Për më tepër, ajo ka shtuar se Republika e Kosovës është një rezultat i përpjekjeve shekullore të shtetit tonë, me luftën e UÇK-së dhe udhëheqjen e urtë të presidentit Ibrahim Rugova.

E para e vendit ka thënë se synim i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe BE, duke shtuar se Kosova si shtet do t’i plotësojë të gjitha obligimet që ky vizion të bëhet sa më shpejtë realitet.

Ndërkaq, kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, ka theksuar Kosova po përmbyll një kapitull, por duke hapur një tjetër, atë të integrimit evropian.

Thaçi: Po hapim epokën e re

“Ne po përmbyllim një kapitull, por do të hapim një epokë të re, atë të integrimit evropian. Derisa do të punojmë për integrimin e të gjitha minoriteteve, unë jam i bindur se do të shkojmë drejt normalizimit të marrëdhënieve edhe me Serbinë. Por ky normalizim nuk do të shkojë assesi në kurriz të sovranitetit të Kosovës”, ka theksuar kryeministri.

Për më tepër, ai ka shtuar se Kosova do të ketë sfida në ardhmen pas heqjes së mbikëqyrjes ndërkombëtare. (Kosovapress)

Kosova, storie suksesi

Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, Kryeministri Hashim Thaçi dhe ish-presidenti finlandez, Mati Ahtisaari, njëzëri e kanë përshëndetur përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, duke e cilësuar si arritje e madhe për vendin. Ata i bënë këto komente gjatë seancës solemne në Kuvendin e Kosovës, pas vendimit të Grupit Drejtues Ndërkombëtar.

Më këtë rast, Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, ka thënë se Republika e Kosovës është faktor paqeje dhe stabiliteti që zhvilloi marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bilaterale me një varg shtetesh.

“Republika e Kosovës është faktor paqeje dhe stabiliteti që zhvilloi marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bilaterale me një varg shtetesh, duke qenë subjekt i barabartë ndërkombëtar dhe duke dhënë kontributin tonë e duke fuqizuar si faktor, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë”, ka thënë ajo.

Ajo, gjatë fjalimit të saj, ka folur edhe për dialogun, e cila ka thënë se institucionet e Kosovës do të dialogojnë me qytetarët serbë që jetojnë në veri të Mitrovicës, duke arritur kështu mirëkuptimin se veprimi brenda institucioneve jep rezultate më të mira.

“Në demokracinë tonë qytetare dialogu i brendshëm me mirëkuptim dhe besim të ndërsjellë është parim i veprimit të institucioneve. Ne do të dialogojmë me qytetarët tanë në tri komunat e territorit tonë të Kosovës, duke arritur mirëkuptimin se veprimi brenda institucioneve, qeverisja në nivel komunal, ashtu si dha rezultat në të gjitha komunat e tjera të Kosovës, do të jenë e suksesshme edhe në këtë pjesë të territorit, duke u mundësuar qytetarëve nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të zgjedhin përfaqësuesit dhe udhëheqësit e tyre legalë dhe legjitimë dhe të përfaqësojnë interesat e tyre”, ka thënë ajo.

Ndërsa Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë në këtë rast se kur është në pyetje interesi i shtetit, faktori politik në vend gjithmonë e ka dëshmuar se është bashkë. Ai ka falënderuar të gjitha shtetet që e kanë mundësuar që Kosova të arrij deri këtu.

“Sikurse atëherë, ashtu edhe sot, pozita dhe opozita në Kosovë gjithmonë janë bërë një kur kanë qenë interesat e Kosovës në pyetje. Procesi i Vjenës do të kulmonte me planin gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisaari, i cili propozonte pavarësinë e mbikëqyrur për Kosovës. Përkundër kompromiseve ne pranuan planin dhe pikërisht bazuar në këtë plan, me 17 shkurt të vitit 2008, nga kjo foltore, nga kjo sallë, duke dëgjuar të rrahurat e zemrës të stërgjyshërve tanë, do të shpallnim pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Kryeministri Thaçi.

Ndërkaq, ish-presidenti finlandez, Mati Ahtisaari, ka thënë nga foltorja e Kuvendit të Kosovës se ai ka ardhur për të festuar të arriturat e Republikës së Kosovës.

“Qëndroj sot këtu para jush për të festuar përfundimin e një rrugëtimi të gjatë. Janë gjithashtu duke shënuar kështu fillimin e një rrugëtimi të tjetër. Pesë vite me parë, unë Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara ua kam dhënë materialin tim, propozimin për një zgjidhje gjithëpërfshirëse për Kosovën. Ne sot festojmë miratimin e plotë të të gjitha parimeve dhe instruksioneve të inkorporuara në institucione, në procese dhe në kornizën ligjore të një shteti funksional të pavarur”, ka thënë ndër të tjera projektuesi i pavarësisë së Kosovës, Mati Ahtisari. (Kosovapress)

Përfundimi i mbikëqyrjes, sukses historik për Kosovën

Në konferencën e përbashkët për shtyp të kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe tani ish përfaqësuesit të ICO në Prishtinë, Peter Faith, të dy e kanë quajtur sukses historik përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovë.

Ish shefi i ICO-së, Peter Faith tha për gazetarët se tashmë GND ka marrë vendim për përfundimin e procesit të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.

Ai ju ka drejtuar në shqip gazetarëve duke thënë: “ “Pavarësia e juaj e mbikëqyrur ka përfunduar”.

Sipas Faith, plani i Ahtisaarit është përmbushur dhe Qeveria ka kaluar më sukses të gjitha ndryshimet kushtetuese dhe legjislacionit primar që në thelb janë brenda sistemit juridik të Kosovës,të bazuara në Pakon e Ahtisaarit.

“Qeveria, ka përmbushur, duke integruar në Kushtetutë, të gjitha ligjet duke u bazuar në pakon e Ahtisaarit, kurse se fundi vendimi për gjuhën dhe hapjen e një kanali në gjuhën serbe ka përmbushur këtë pako. Me përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë, Kosova gjithmonë do të fitoj nga miqësia me BE-në dhe SHBA. Kjo është arsyeja se unë ja kam dërguar rekomandimet dhe për këtë falënderoj edhe kryeministrin për partneritetin e tij serioz”, ka thënë Faith.

Edhe kryeministri Thaçi ka falënderuar ish – shefin e ICO. Ai e ka quajtur këtë moment si moment historik për Kosovën.

“Një momenti i rëndësishëm dhe një kthesë historike për Kosovën. Tash kemi një agjendë të qartë evropiane. Ky është një vlerësim ndërkombëtarë për Kosovën, një vlerësim nga bota demokratike për ne. Kosova ka implementuar në tersi dokumentin e Ahtisaarit dhe e falënderoj ICO për ndihmën që ka dhënë. Mbesin sfida të reja, sfida për integrimin e serbëve të veriut, për liberalizimin e vizave, por edhe vendimeve të tjera. Ne po ndërtojmë Kosovën demokratike, për Kosovën që të gjithë qytetarët të ndihen të lirë. Ne si evropian të rinj kemi vizion të qartë. Intergim në BE dhe në Bashkimin Evropian por edhe të vazhdojmë partneritetin tonë me SHBA-në dhe mbesim të përkushtuar për të jetuar në një fqinjësi të mirë”, tha Thaçi.

GND shpall përfundimin e mbikëqyrjes

Grupi Drejtues Ndërkombëtar shpalli përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.

"Pas vlerësimit të tij më datë 2 korrik 2012 se Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës (PGJS) është zbatuar në mënyrë substanciale dhe duke vënë re se në përputhshmëri me zotimet e tyre, institucionet e Kosovës tani i kanë miratuar pakot e ndryshimeve të Kushtetutës dhe të legjislacionit primar duke i përfshirë në mënyrë të kënaqshme elementet e mbetura të PGJS-së brenda kornizës kushtetuese dhe juridike të Kosovës, Grupi Drejtues Ndërkombëtar shpall sot përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës dhe përfundimin e mandatit të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar", thuhet në deklaretn e grupit.

"Pas përfundimit të detyrave të nevojshme administrative të brendshme, Zyra Civile Ndërkombëtare do të mbyllet në fund të vitit 2012. Me efekt të menjëhershëm, PGJS-ja nuk ekziston më si fuqia juridike e veçantë dhe më e lartë, dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës tani përbën bazën e vetme të kornizës juridike të vendit", thuhet ne deklarate.

Nderime për Presidentin Martti Ahtisaari

Kryediplomati finlandez, fituesi i çmimit Nobel për paqe dhe kreatori i pavarësisë së Kosovës, Martti Ahtisaari ka arritur sot në Prishtinë.

Për nderë të tij është rreshtuar edhe Garda Ceremoniale e FSK'së.

Pas ardhjes së Frank Wisner në Prishtinë, pas tij ka ateruar në aeroport edhe Martti Ahtisaari.

Gjatë ditës pritet një agjendë e ngjeshur e tyre, përderisa ata nuk do të jenë të vetmit që do të vinë sot në Kosovë, pasi që pritet që në Prishtinë të arrin edhe diplomatë të ndryshëm perëndimor.

Ai është pritur nga ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, Piter Feith, shef i ICO-s si dhe nga Garda Ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës e mysafirëve të nderit.

Presidenti Ahtisaari, nuk është prononcuar për media.

Për më tepër, ish-presidenti finlandez, Martti Ahtisaari, pati udhëhequr bisedimet Kosovë-Serbi për statusin e Kosovës.

Pas përfundimit të bisedimeve, ishte propozimi gjithëpërfshirës për statusin, i presidentit Ahtisaari, i cili i hapi rrugës shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të viti 2008.

Ndërkaq, rreth 36 delegacione pritet që sot të vinë në Kosovë.

Sot, zyrtarisht në orën 16:30 me një seancë plenare në Kuvendin e Kosovës, Kosova do ti jep fund pavarësisë së mbikëqyrur.

Nga ana tjetër, Ministri Hoxhaj i ka uruar mirëseardhje Presidentit Ahtisaari duke shprehur konsideratat më të larta të institucioneve dhe popullit të Republikës së Kosovës për kontributin që ai ka dhënë për Kosovën.

Ministri Hoxhaj u ka uruar mirëseardhje në Kosovë edhe z. Frank Wisner, z. Wolfgang Ischinger dhe shumë personaliteteve të larta ndërkombëtare të cilët po qëndrojnë në Kosovë për të marrë pjesë në këto ngjarje historike për Republikën e Kosovës.

Wisner arrin në Prishtinë

Frank Wisner, ish i dërguari i Shteteve të Bashkuar të Amerikës, për procesin pavarësisë së Kosovës, tashmë ka arritur në Aeroportin Ndërkombëtarë të Pavarësisë “Adem Jashari”.

Ai është pritur nga Grada ceremoniale e FSK-së dhe ministri i Punëve të Brendshme, Enver Hoxhaj.

Po ashtu pas pak çastesh në Kosovë pritet të arrij edhe emisari i OKB-së për Kosovën, Marti Ahttisaari.

Këta nuk do të jenë të vetmit sot do ta vizitojnë Kosovën pasi që pritet që edhe një numër personalitetesh të tjera botërore të vinë në Kosovë në kuadër të përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›