Nishani: Ditë e mbushur me entuziazëm dhe përgjegjësi

“Ndahen e shkuara, e hidhur nga e ardhmja e sigurtë plot begati për të gjithë qytetarët e Kosovës, të çfarëdo etnie dhe përkatësie fetare. Bashkohen përpjekjet dhe përkushtimi për liri, demokraci dhe prosperitet. Përmbyllja e mbikëqyrjes së Pavarësisë së Kosovës është kurorëzimi i përpjekjeve dhe veprës sublime të brezave të luftëtarëve, dëshmorëve, njerëzve të dijes, politikanëve dhe aleatëve tanë të lirisë. Përulemi me mirënjohje para veprës së tyre!”, shprehet presidenti.
Në mesazhin e tij, kreu i shtetit shqiptar thekson se Republika e Kosovës sapo ka nisur udhëtimin e saj të gjatë si një shtet plotësisht i pavarur dhe sovran që ka tërësisht në duart e saj të ardhmen e qytetarëve dhe të brezave që do të vijnë, raporton noa.al.
“Më lejoni t’ju uroj në këtë ditë ogurbardhë, gëzimi i të cilës bëhet pjesë e festimit tonë të 100-vjetorit të shtetit të parë shqiptar”, thekson presidenti.
Ai e vlerëson këtë ditë të mbushur me entuziazëm, por edhe me një përgjegjësi të madhe, ku shton se qytetarët dhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës do të kenë përgjegjësinë e plotë për të punuar për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, për prosperitetin ekonomik dhe të ardhmen euro-atlantike të shtetit më të ri në moshë, por që ka fituar tashmë pjekurinë falë përkushtimit dhe urtësisë së të gjithë aktorëve politikë, institucionalë dhe shoqërisë civile.
“Një thënie e vjetër thotë: “Liria punon…”. Dhe ne nuk na mbetet gjë tjetër veçse të punojmë për ta shijuar lirinë, për ta bërë të punojë në të mirën e gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim etnie apo feje. Ne jemi të gjithë bashkë për të përballuar sfidat dhe gëzuar sukseset e së ardhmes, sepse kemi të njëjtin destinacion dhe të njëjtën aspiratë, të bashkohemi në familjen evropiane, ku liria ka dimensionet më të mëdha dhe e ardhmja është më e begatë. Por, gjithçka me punë dhe përkushtim. Ne do t`ia dalim, sepse kemi dëshmuar se dimë të luftojmë, të punojmë dhe të fitojmë”, përfundon mesazhin e urimit, presidenti Nishani.
Sot, Grupi Drejtues Ndërkombëtar shpalli përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.
Ky vendim është përshëndetur më herët edhe nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama i cili vlerësoi përfundimin e mbikëqyrjes së Pavarësisë, si arritje historike për Kosovën.